Vrasja e Martin Canit nuk është thjesht tragjedia e një 14-vjeçari. Është historia e një populli që ka humbur çdo besim tek institucionet, tek njerëzit me pushtet, tek bluzat e bardha dhe tek mësuesit – një pasojë e drejtpërdrejtë e një keqqeverisjeje afatgjate që ka shkatërruar çdo shtyllë të shtetit.
Dinjiteti i njerëzve është shkelmuar dhe ndjenjat janë mpirë kaq shumë, sa edhe vdekja e një fëmije në oborrin e shkollës nuk ngjall më reagimin e duhur human. Tre ministre qeshin e bëjnë batuta në parlament gjatë heshtjes që duhej mbajtur për ngjarjen e rëndë, duke demonstruar shkallën e degradimit moral të klasës politike.
Në një sistem ku çdo hallkë ka dështuar – nga mësuesit që injoruan paralajmërimet, tek policia që manipuloi provat, tek prokurorët që zgjodhën të hetojnë sipas lidhjeve familjare – si mund të kërkojmë drejtësi? Kur vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, akuzohet se urdhëroi heqjen e emrit të djalit të një zyrtari të lartë nga dosja hetimore, dhe prokurorja Alma Felaj, kunata e një deputeteje socialiste, drejton hetimet për një rast ku përfshihet djali i dy zyrtarëve të SPAK-ut, çfarë mund të presim?
Kamerat e sigurisë filmuan tetë persona në vendngjarje. Dëshmitarët konfirmuan praninë e Kledion Bejkajt, djalit të hetuesit të BKH-së dhe specialistes së SPAK-ut. Por sistemi vendosi të shohë vetëm një autor. Kjo nuk është më çështje provash apo supozimesh – është pasqyrë e një realiteti ku institucionet funksionojnë vetëm për të mbrojtur veten dhe familjarët e tyre.
“Do të vij me një thikë kaq” – këto fjalë u thanë hapur në klasë. Asnjë mësues nuk reagoi. Asnjë drejtor shkolle nuk mori masa. Oficerët e sigurisë, të paguar sa rojet e bashkisë dhe të trajtuar si spiunë kur raportojnë probleme, u detyruan të “mbyllin sytë”. Kjo është Shqipëria e sotme – një vend ku paralajmërimet për krime injorohen sistematikisht dhe ku përgjegjësia trajtohet si barrë e padëshiruar.
Ministria e Arsimit, nën drejtimin e Ogerta Manastirliut, ende “procedon me verifikime” tetë ditë pas tragjedisë. E njëjta Manastirliu që si ish-Ministre e Shëndetësisë nënshkroi urdhrin fatal që detyroi ambulancat të anashkalojnë QSUT-në në favor të Spitalit të Traumës – një vendim që i mori jetën Martinit duke e çuar në një institucion pa pajisjet e duhura.
Edhe transferimi i autorit të arrestuar nga spitali në burg u kthye në shfaqje të turpshme të mosfunksionimit institucional. Komisioni i Burgjeve akuzoi mjekun për “mosbindje”, ndërsa mjeku u detyrua të dalë publikisht për të sqaruar manipulimet.
Krahasimi me vendet fqinje është drithërues vetëm nëse ende besojmë se jemi një shtet normal. Në Gjermani, çdo konflikt shkollor trajtohet menjëherë me përfshirjen e psikologëve. Në Shqipëri, as shkollat bazë nuk kanë oficerë sigurie apo punonjës socialë.
Çdo mëngjes sjell lajme që konfirmojnë rënien totale të shtetit – policë që vrasin me snajper biznesmenë, prokurorë që marrin urdhra nga krimi i organizuar, gjyqtarë që janë pjesë e bandave. Media është kthyer në zëdhënëse të krimit, gazetarët që dikur luftonin për të vërtetën sot janë bërë pjesë e strukturave kriminale. Mjekët tregtojnë shëndetin e qytetarëve, ndërsa drejtorët dhe zyrtarët emërohen vetëm për besnikërinë ndaj sistemit, jo për aftësitë profesionale.
Tani që Martin Cani nuk është më, shokët e klasës lënë mesazhe lutjeje që ai “t’i ruajë nga lart”. Por kush do t’i ruajë nga një sistem që vret përmes heshtjes dhe indiferencës? Kush do të mbrojë fëmijët e tjerë nga një shtet që ekziston vetëm në letër?
SPAK-u dhe drejtuesit e tij kanë mundësinë të ndryshojnë diçka. Por a mund të presim drejtësi nga një institucion ku dy prindër të një të dyshuari për vrasje mbajnë pozita kyçe? A mund të shpresojmë në hetim të paanshëm kur prokurorja e çështjes është kunata e një deputeteje socialiste?
Kjo ngjarje kërkon sqarime të thella. Por duke parë gjendjen në Shqipëri, ku çdo institucion është kthyer në bunker të interesave personale dhe familjare, ku drejtësia është bërë tallje dhe ku përgjegjësia është fjalë boshe, çdo shpresë për drejtësi duket naive. Këtë e provon edhe heshtja dhe indiferenca që ka rënë mbi vrasjen e një 14-vjeçari, sikur jeta e një fëmije të mos kishte më asnjë vlerë në këtë vend.
/gazetareforma.com