Qeveria shqiptare ofron mbështetjen më të ulët financiare për fermerët krahasuar me vendet e tjera në rajon, ndërkohë që pjesa më e madhe e fondeve për këtë sektor përdoret për shpenzime korrente, me shumë pak investime direkte në rritjen e prodhimit bujqësor.
Sipas të dhënave nga projektbuxheti 2025, nga 7.2 miliardë lekë të alokuara për zhvillimin rural, mbi 5 miliardë ose 69% shpenzohen për qëllime operative, ndërsa vetëm 21% përdoren si investime kapitale që synojnë rritjen e prodhimit.
Në total, nga 72 milionë euro të dedikuara për “Zhvillimin rural dhe nxitjen e prodhimit”, vetëm 22 milionë shkojnë për investime, ndërsa pjesa tjetër mbulon kostot e stafit të Ministrisë së Bujqësisë dhe shërbimeve këshillimore.
Situata paraqitet e ngjashme edhe në buxhetin e vitit 2024.
Ndërkohë, fermerët shqiptarë zhvilluan protesta këtë vit duke kundërshtuar mungesën e mbështetjes financiare.
Ndërkohë, importet e produkteve bujqësore janë rritur me mbi 20% këtë vit, duke dëmtuar konkurrencën e produkteve vendase.
Në vendet e rajonit dhe Europës, subvencionet për bujqësinë janë më të larta, duke ulur kostot e prodhimit dhe ofruar çmime më konkurruese në krahasim me produktet shqiptare.
Në periudhën 2020-2023, Shqipëria investoi mesatarisht vetëm 0.19% të PBB-së në bujqësi, ndërsa në buxhetin e vitit 2025 ky nivel arrin në 0.56%. Edhe kjo shifër mbetet shumë më e ulët se mesatarja e vendeve të Europës, ku financimi për bujqësinë arrin të jetë deri tre herë më i lartë.
Shqipëria vazhdon të veçohet si një ndër vendet me mbështetjen më të ulët për bujqësinë, pavarësisht se ky sektor përbën rreth 19% të PBB-së dhe ka një rol të rëndësishëm në ekonominë kombëtare.