“Na hoqën nga mbeturinat dhe na sollën helmet,” thotë një banor i Porto Romanos, teksa shikon me zemër të ngrirë fëmijët që luajnë vetëm 200 metra larg asaj që mund të quhet pa frikë një bombë toksike me sahat – 816 tonë mbetje vdekjeprurëse të vendosura në mes të zonave të banuara.
Këto mbetje toksike, që “udhëtuan” në gjithë botën para se të riktheheshin në Shqipëri, janë vetëm maja e ajsbergut të një skandali që kërcënon drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Për vite të tëra KURUM ka transportuar mbetje të rrezikshme në Portin e Durrësit, me dijeninë e plotë të autoriteteve. Kamionë të mëdhenj, të pamagazinuar dhe pa asnjë shenjë paralajmëruese, transportonin material vdekjeprurës që më pas hidhej në ambient të hapur, duke u ekspozuar ndaj kushteve atmosferike për javë e muaj të tërë.
Heshtja e institucioneve është shokuese. As Dogana e Durrësit, as Ministria e Mjedisit dhe as Autoriteti Portual nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për këtë skandal që rrezikon shëndetin publik. Qeveria hesht, Prokuroria s’ka dhënë asnjë deklaratë tjetër. Një zinxhir i tërë institucionesh që duhet të mbronin interesin publik kanë zgjedhur të mos japin llogari për këtë rrezik real ndaj sigurisë kombëtare.
Situata ka arritur kulmin e rrezikshmërisë me ankorimin e anijes turke “Moliva” me mbi 100 konteinerë që përmbajnë 2100 ton mbetje të dyshuara toksike. Në një vendim që sfidon çdo logjikë të sigurisë kombëtare, këto konteinerë u transportuan natën drejt Porto Romanos, vetëm 200 metra larg banesave.
Vendimi për t’i dërguar në Porto Romano, port i kontrolluar nga grupi Kastrati me 65% të aksioneve, ngre shqetësime edhe më serioze për sigurinë. I njëjti port është kthyer në një pikë kyçe të furnizimit të luftës në Gaza dhe strehë për materiale të rrezikshme që vende të tjera i kanë refuzuar. Anija “Kathrin”, e ngarkuar me eksplozivë ushtarakë për Izraelin, e refuzuar nga Namibia dhe Malta për rrezikshmërinë e ngarkesës, gjeti strehë pikërisht në portin e Kastratit.
Raporti “Behind the Barrel” konfirmon se ky port është kthyer në furnizuesin e katërt më të madh të karburantit për operacionet ushtarake në Gaza, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare paralajmëron për rrezikun e gjenocidit. Grupi Kastrati që operon pa kontroll, shkoi deri në shkatërrimin e një muri antik të mbrojtur që nga viti 1948, duke treguar se asnjë ligj nuk e ndalon.
Banorët e Porto Romanos, të zhvendosur nga Kukësi për t’u mbrojtur nga përmbytjet, tani përballen me një kërcënim të dyfishtë – helmin në oborrin e shtëpive dhe një port që operon si depo e pakontrolluar materialesh të rrezikshme. Shoqërimi në polici i dy banorëve që guxuan të protestojnë tregon qartë se pushteti është më i shqetësuar për heshtjen sesa për sigurinë e qytetarëve.
Absurdi arrin kulmin kur shohim se qeveria, në vend që të marrë përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve, i ka lënë në dorë të Kastratit si mbetjet toksike ashtu dhe eksplozivët. Pretendimi se zona do të monitorohet me kamera sigurie është një tallje e vërtetë me jetën e qytetarëve – si mund të besojmë në sigurinë e qindra tonëve helme kur i njëjti port lejon transportin e lirë të eksplozivëve dhe shërben si pikë furnizimi për luftën?
Ndërsa Porto Romano vazhdon të grumbullojë materiale gjithnjë e më të rrezikshme, pyetja mbetet: Sa afër tragjedisë duhet të shkojmë para se dikush të marrë përgjegjësi? Apo do të presim derisa të jetë tepër vonë, kur statistikat e ftohta të viktimave të bëhen titujt kryesorë të lajmeve që do të tronditin botën?
/gazetareforma.com