Me datë 16 tetor të vitit 2023 kryeministri Edi Rama deklaroi që do të lëshonte dy satelitë të emërtuar ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’ në hapësirë. Këto do të lëshoheshin nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA. Arsyeja që u krijuan satelitët për tu lëshuar në hapësirë sipas kryeministri do të ishte monitorimi i territorit shqiptar për shkelje.Kjo u deklarua në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’, ku kryeministri i cilësoi si sy satelitët, si sytë superteknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësia.
“GATI PËR T’U LËSHUAR në hapësirë nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA, dy sytë super teknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësitë, me një precizion të lartë dhe qartësi të plotë figure deri në 75 cm2; Satelitët e ALBANIA 1 dhe ALBANIA2. Shqipëria do të ketë përdorim ekskluziv të tyre, për përpunimin e Informacionit Gjeo hapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj, e një sërë institucioneve e subjekteve, publike ose private, puna e të cilave lidhet me territorin, ujërat, pyjet, zjarret, mbetjet urbane, prodhimin bujqësor, zhvillimin urban, titujt e pronësisë, e me radhë”,-citohet në postim.
Po sa kanë kushtuar satelitët për një vend me sipërfaqe prej 28.748 kilometra katrorë?
Dy satelitët ‘Albania 1’ dhe ‘Albania 2’ do t’i kushtojnë shtetit shqiptar 6 milionë dollarë, ose 671 760 000 lekë, për një kohëzgjatje kohore prej 3 vitesh. Marrëveshja për ngritjen e satelitëve mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit Operatorit “Satellogic USA Inc” u nënshkrua më 29 shtator. Bazuar në marrëveshjen e firmosur vendi ynë do të kishte disa përfitime si më poshtë:
- Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës. Informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore. Monitorim rrjetit të kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive. Informacion për cilësinë e ujërave bregdetare si dhe erozionin bregdetar në funksion të mbrojtjes së zonës bregdetare dhe inventarizimin e saj. Përdorim të gjerë në fushën ushtarake, me dronët “Puma” për kontrollin e zjarreve
- Policia e Shtetit do të ketë të mundur marrjen e informacionit për kultivimin e bimëve narkotike, shfrytëzimin apo prerjen e paligjshme të pyjeve, gjuetinë e paligjshme, shkatërrimin e shtratit të lumenjve, shfrytëzimet e paligjshme të burimeve natyrore në zonat e mbrojtura, kalimin e paligjshëm në pikat kufitare
Po a ka përfituar Shqipëria nga këto satelitë?
Nga burimet dhe kërkimet tona në institucioneve kryesore rezulton se përfitimet janë të vogla ose mund të quhen aspak të rëndësishme në krahasim me atë çfarë u premtua dhe u pagua.
Le ti marrim më rradhë:
Në momentin e firmosjes me kompaninë Satellogic, kryeministri Rama deklaroi që satelitët do ishin mbikëqyrësi numër 1 përsa i përket ndërtimeve.
“Ne do të kemi një kryeinspektoriat në qiell, i cili nuk ka emër të përveçëm, i cili nuk ka kushërinj, i cili nuk ka parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha…me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin, sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 centimetrash”
Po nga momenti i firmosjes së kontratës e deri më tani, rezulton se Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nuk ka shembur asnjë tullë, nga pamjet e satelitëve.
E njëjta situatë është dhe tek Policia e Shtetit ku pamjet satelite ishin zero ndihmuese për togat blu. Shumica e parcelave të kultivuara me drogë janë zbuluar falë operacioneve tokësore ose në rastin më të mirë me dron e helikopter.
Për ndihmën që do ofronin satelitët foli dhe Niko Peleshi, që në atë kohe ishte Ministri i Mbrojtjes
“Do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marr masa administrative nga Sektori i Inspektimit dhe Kontrolli i Peshkimit. Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara.”,
Edhe ky shërbim që u tha, rezultoi një gënjeshtër e madhe. Kjo sepse i vetmi shërbim që ka marrë Ministria e Mbrojtes ka qenë numërimi i serave. Asgjë më shumë se sa kaq.
Satelitët të padobishëm, stafet shqiptare nuk dijnë ti lexojnë
Nga kërkimet tona rezulton që edhe në rast se pamjet satelitore do të shërbenin për diçka, shumica e stafeve shqiptare ose më mirë të themi të gjitha nuk dijnë ti lexojnë. Pa trajnimi i tyre sjell një tjetër vështërësi tek dobia që mund të na sjellin satelitët.
Ama, deri më tani mund të themi se prania e satelitëve në hapësirë ka sjellë zero dobi në shtetin shqiptar, e paralelisht janë hedhur në “hapësirë” 6 milionë dollarë.