Kristina prej më shumë se 4 vitesh është në luftë për të mbijetuar. Ajo tregon se prej 4 vitesh kurohet në spitalin Onkologjik, të qendrës spitalore universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë. E pyetur se kur ishte momenti që u përball me lajmin e trishtë, Kristina tregon se ishte në moshën 40 vjeçare, kur dalloi se gjoksi i saj nuk ishte më si më parë.
“Ua, si nuk e kujtoj atë moment të mallkuar! Mu shemb bota para syve, gjithçka kisha menduar ama që të kisha kancer jo. Më dukej sikur po më caktonin se kur do vdisja kur më thanë diagnozën”-tregon Kristina, ndërsa zëri i dridhej kur flet për atë moment që i ndryshoi jetën rrënjësisht.
Por, si të mos mjaftonte kjo, ajo duhej të përballej dhe me një luftë tjetër brenda dyerve të spitalit të QSUT.
Pavijoni onkologjik vatër vdekjesh
Prej disa kohësh ka plasur skandali në QSUT, konkretisht në pavijonin e Onkologjikut ku shumë mjekë nuk kanë kryer detyrën e tyre sublime për t’ju shërbyer pacientëve. Shumë nga këto mjekë si Edmond Gashi, Alketa Ymeri (Pere), Brikena Qirjazi, dhe Emiljano Lela janë para akuzave për shpërdorim detyre, korrupsion etj. Mjekët e përmendur shpesh kanë lënë pacientët në mëshirë të fatit, duke u ofruar atyre një trajtim të pamjaftueshëm në spitalin shtetëror dhe duke i detyruar ata të kërkojnë shërbim në sektorin privat.
‘Akoma e kam në memorie njerëzit që sa kishin mbaruar kimion e që qëndronin në këmbë. Ishin të shkatërruar, aq sa më dukej sikur në fytyrë kishin hije vdekje. Është një pamje që nuk e heq kurrë nga mendja. Një pamje që më drithëron mishin e më irriton njëkohësisht. Mjekët qëndronin në zyra e pacientët që i ndante një hap larg vdekjes qëndronin në këmbë pas gjithë atij trajtimi të vështirë që bënin”- tregon me sy të përlotur Kristina.
Ama, siç shprehet nëna e dy fëmijëve ishte e papërgatitur për këtë sëmundje, kishte shumë pak informacion, ajo ishte mes frikës së jetës, dhe frikës se si familja, të afërmit, do ta përballonin lajmin. Po e vendosur të luftonte deri në fund, ajo filloi duke bërë analizat e para për të kuptuar se në çfarë faze e kishte kapur tumorin.
E këtu fillon kalvari i vështirësive.
Sipas Kristinës mamografia ishte gjëja e parë që duhej bërë në mënyrë të menjëhershme, por ishte e pamundur për shkak se radha në spitalin e onkologjikut ishte shumë e lartë. Kështu që ajo zgjodhi ta bëjë në privat, në spitalin “Amerikan 3”.
“Mamografia më kushtoi lirë, ishte e përballueshme. Thjesht 29 mijë lekë të vjetra.”
Pas marrjes së përgjigjes së mamografisë Kristina u lajmërua nga mjekja që duhej të fillonte në mënyrë urgjente trajtimin me kimioterapi si terapia më efikase në këto raste.
“Ilaçet në përgjithësi për shembull të kimios na i sjellin mjekët dhe infermierët. Unë i kam bërë të gjitha seancat, por nuk është se ka qenë rezultati i duhur. ”
Sa i kushton një pacienti me kancer të kurohet në Shqipëri?
Pas muajsh shqetësimesh dhe vizitash të panumërta, ajo përfundoi në duar të mjekëve të onkologjisë. Pavarësisht se ishte e siguruar për shërbim në spitalin shtetëror, ajo e gjeti veten të detyruar të shpenzonte mijëra euro për trajtim privat. Pajisjet dhe shërbimi në spitalin publik ishin të pamjaftueshme; radha për vizita ishte e gjatë dhe ndihma e nevojshme vonohej. Ndaj, për Kristinën dhe shumë pacientë të tjerë, rruga drejt shëndetit kalonte përmes spitalit privat, ku çmimet për seanca onkologjike shkonin nga 300 deri në 1500 euro.
“Personalisht kam pasur një ndërthurje mes spitalit shtetëror e atij privat. Kjo ka ardhur si pasojë e radhëve të gjata, analiza më të sakta. Ndërsa në shtet kam bërë trajtimin me kimio, për shkak se nuk kisha mundësi financiare t’i realizoja në privat.”-shprehet Kristina, nënë e dy fëmijëve.
Ajo tregon se mjekja që e udhëhiqte në këtë kalvar të vështirë i tha që të kryente një analizë që nuk kryhej dot në shtet, siç ishte ajo e PET-CT. Kjo analizë kryhej në spitalin “Hygea” prej një kostoje 1400 euro. PET / CT është një nga teknikat imazherike më efektive në detektimin e qelizave tumorale e cila kombinon dy funksione në një aparaturë të vetme; PET (Tomografia e Emetimit të Pozitroneve) jep informacione mbi funksionin metabolik të organeve dhe indeve në organizëm si dhe CT (Tomografia e kompjuterizuar) e cila jep informacion të detajuar deri në nivel qelizor. Kjo pajisje është e vetmja, e cila jo vetëm arrin të detektojë sëmundjet tumorale qysh në fazat e hershme, por përmes saj mund të përcaktohet me precizion maksimal shkalla e përhapjes së tumorit në organizëm.
Sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ilaçe të rimbursueshme në Shqipëri janë 900, ku vetëm 60 janë të përdorshme për trajtimin e kancerit. Nga këto, për trajtimin e kancerit janë identifikuar rreth 60 ilaçe, të cilat janë të renditura në kategoritë L01 (Antineoplazikë) dhe L02 (Terapia Endokrine). Këto përfshijnë ilaçe për trajtimin e kancerit të gjirit, prostatës, mushkërive, zorrës së trashë, si dhe disa trajtime për limfomën dhe leucemitë.
Shumica që rimbursohen, janë nëpër farmacitë e spitaleve. Por sipas mjekëve dhe farmacistëve ilaçet që rimbursohen janë ato më pak të efektshme, ose që nuk kanë një efektshmëri të lartë për të luftuar këtë sëmundje.
“Të rimbursueshmet nuk kanë çmime shumë të larta, por ka dhe kemiopreparate që arrijnë deri në 2000 euro kutia.”- tregon një mjek onkolog.
Sipas mjekëve kostoja e kimioterapisë mund të ndryshojë në varësi të llojit të kancerit, protokollit të trajtimit, barnave të përdorura dhe nëse trajtimi kryhet në spital privat apo shtetëror.
Në spitalet publike, disa trajtime kimioterapi mbulohen nga sistemi shëndetësor dhe sigurimet shëndetësore, kështu që pacientët mund të paguajnë pak ose aspak në disa raste. Por, problematika qëndron tek fakti se këto pacientë zgjedhin t’i bëjnë në privat, për shkak të radhëve të gjata.
“Unë i kam bërë në privat. Kjo sëmundje kërkon të luftosh me kohën. Në shtet unë shkoja tek recepsioni shënoja emrin e më pas ato më thirrnin për të bërë ekzaminimet pas 1-2 javë ose më shumë. Imagjinojeni se sa shumë mund të avancojë sëmundja përgjatë kësaj kohe.”
Kristina tregon që edhe ilaçet për trajtimin e sëmundjes i ka marrë nga jashtë.
“Ilaçet për të trajtuar sëmundjen i kam marrë jashtë vendit. Mi ka sjellë vëllai se atje janë më cilësore edhe kontrollohen nga shteti. Përndryshe unë do merrja ilaçet që janë këtu të cilat nuk janë shumë të efektshme. Plus këtu rimbursohen vetëm ato ilaçe që kushtojnë pak, ato me çmime më të larta e që janë më cilësore nuk rimbursohen.”
Ndërsa në spitalet private, çmimi për një seancë kimioterapie varion nga 300 deri në 1500 euro ose më shumë, duke u varur nga medikamentet dhe shërbimet e përfshira.
Llogaritja e kostove
Kimioterapia zakonisht jepet në cikle që përfshijnë periudha trajtimi të alternuara me periudha pushimi, për t’i dhënë trupit kohë të rikuperohet. Për shembull marrim fazën e hershme ku ciklet zakonisht janë çdo 1 deri në 3 javë, në varësi të protokollit të përdorur. Trajtimi mund të zgjasë 3-6 muaj ose më gjatë, me 4-8 cikle kimioterapie në total.
Pra, nëse një pacient kryen dy terapi në muaj, kostoja për to është 3000 mijë euro, nëse përfshijmë medikamente cilësore. E nëse kjo terapi zgjat 6 muaj llogarisim 12 seancat përgjatë gjashtë muajve shumëzuar me 1500 barabartë me 18000 euro. Kjo është shifra që i duhet një pacienti i diagnostikuar me kancer në fazën e hershme për t’u kuruar. Në rastin më të mirë mund të kushtojë 3600 euro në rast se një seancë kushton 300 euro, por varet sa të efektshme janë këto ilaçe.
Por bazuar tek dëshmitë që japin mjekët për këto raste ka pacientë që mund të kenë nevojë për më shumë seanca kimioterapie, gjë që rrit kostot e përgjithshme të trajtimit.
Aktualisht, kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në popullatën e femrave dhe kanceri i dytë më i përhapur në të gjithë popullatën në Shqipëri, ku sipas Institutit të Shëndetit Publik për vitin 2020 janë diagnostikuar 4442 raste me tumore malinje dhe për vitin 2021 janë diagnostikuar 6036 raste me tumore malinje. Kjo lloj sëmundje është më e shpeshta tek gratë dhe ku rastet më të shumta vërehen tek gratë me moshë mbi 50 vjeç.
Këtë deklaratë e konfirmon edhe një dokument i Institutit të Shëndetit Publik ku incidenca e standardizuar sipas moshës për kancerin e gjirit në Shqipëri është më e lartë se vendet e Mesdheut Lindor dhe më e ulët se në vendet e Bashkimit Europian.