Dy ish drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla, janë tashmë në pozita më të rënduara, pasi ndaj tyre është shtuar akuza e pastrimit të parave, në aferën e njohur si “5D”. Sipas ligjit tashmë ata rrezikojnë deri në 15 vite burg nëse do të rezultojnë fajtorë për këtë vepër, ndërkohë që hetimet ndaj tyre janë shtyrë me një vit.
Apeli i Posaçëm e orientoi prokurorinë të hetonte edhe për shkelje të tjera. Arrinte në konkluzionin, madje shkonte në një pikë të rëndë, duke ngritur dyshime se brenda Bashkiste kishte patur grup të strukturuar kriminal. Ditën e sotme ishte seancë gjyqësore ndaj Redi Mollës, Mariglen Qatos dhe Taulant Tushes.
Avokatët kishin kërkuar shuarjen e masës së sigurisë. Prokurori tha kam regjistruar vepër të re penale, pastrimin e parave. Duke qenë se rëndohet pozita e ish zyrtarëve, në mënyrë automatike shkon edhe në drejtim të zotit Veliaj, duhet të zgjatet afati i paraburgimit dhe gjykata e pranoi. Pozita e ish drejtorëve të Veliajt, është rënduar ndjeshëm në raport me ligjin. Nga pastrimi i parave hetohen edhe personat e bashkëlidhur. E dyta, marzhi i dënimit shtohet ndjeshëm, mund të shkojë deri në 15 vite burg. 5D është rrugë e gjatë, ka hetim për Veliajn, familjarët e tij, ka zyrtarë të tjerë që Apeli i Posaçëm e ka orientuar. Përshembull, në një nga rastet vëllai i Taulant Tushës komunikon me Nestor Muhametllari, pronari në letra i 5D, sepse pronarët faktikë janë Qato dhe Molla. Muhametllari rezulton të kishte kontakte me zyrtarët e bashkisë por edhe familjarë të tyre”, tha Lala.
Po a mund të përfitojnë nga amnistia?
Amendamenti i miratuar me datë 12 shkurt të këtij viti, në komision që mori edhe dakordësinë e qeverisë parashikon që edhe personat e dënuar nga GJKKO mund të përfitojnë ulje dënimi nga 1 deri në 1.5 vite burg, duke shfuqizuar germën c të nenit 5, pika 2, që i përjashtonte nga kriteret e përfitimit të amnistisë. Si pasojë e këtij amendamenti dy ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë Mariglen Qato dhe Redi Molla kanë të drejtë të përfitojnë nga amnistia pas marrjes së dënimit. Çështja që ngelet gjithmonë është se do a flasin personat e akuzuar tani se si e kanë ndërtuar skemën, apo do presin të përfitojnë nga amnistia. Kjo sepse Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës më 4 prill në Kuvend. Mes tyre, 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm përfituan falje, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera apo shpërdorimit të detyrës përfituan ulje dënimi. Sipas të dhënave që SPAK vuri në dispozicion, ulje dënimi përfituan 16 funksionarë publikë të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë për shkelje të barazisë në tenderë si dhe 7 gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar gjithashtu për vepra penale të korrupsionit. Dy prej përfituesve ishin të dënuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Por, dilema e madhe që ngelet është se çfarë do ndodh me kryetarin e Bashkisë Erjon Veliaj?
Mariglen Qato dhe Redi Molla janë dy nga shumë ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë të akuzuar për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre etj. Dy ish- drejtorët kanë përfituar para ku nëpërmjet projekteve 5D që vlen të kujtohet që numri një i bashkisë Tiranë Erjon Veliaj ishte promovuesi kryesor i tyre akoma nuk po gjykohet. Edhe pse dy ish-drejtorët kanë qenë pjesë e kabinetit të tij dhe janë dënuar, për kryetarin e bashkisë akoma nuk është bërë ndonjë akuzë për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Mbetet për tu parë se sa kohë do të duhet organeve kompetente për të arritur tek zoti Veliaj.