Kur Njësia e Posaçme Hetimore (SPAK) zbuloi një megaaferë korrupsioni në kufijtë e së pabesueshmes me projektet e inceneratorëve, koncesioneve në shëndetësi, skemën e abuzimit të drejtorëve në Bashkinë e Tiranës, etj., të gjithë që kishin pak njohuri mbi financat publike, u shtangën se si ka mundësi që asnjë zinxhir i qeverisjes nuk ka funksionuar dhe mbi të gjitha, sistemet e kontrollit.
Si kudo në botë, edhe në Shqipëri, qeveria ka investuar miliarda lekë ndër vite për të rritur kapacitetet e kontrollit të brendshëm financiar. Në Ministrinë e Financave, funksionon Drejtoria e Auditit e cila ka të shpërndarë në entet publike 441 punonjës, të cilët sipas kompetencave ligjore duhet të jenë gardianë të ligjit kushtetues dhe përdorimit korrekt të fondeve buxhetore.
Mbi Drejtorinë e Auditit, po në Ministrinë e Financave, funksionon Drejtoria e Përgjithshme e Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, e cila merret me trajnimin, kontrollin e cilësisë, certifikimin e audituesve që janë të shpërndarë pothuajse në shumicën e enteve dhe bën vlerësimin e performancës së tyre.
Ndërkohë me Ligjin Organik të Buxhetit, kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm janë të tilla që frenojnë në burim keqpërdorimin. Sistemet e thesarit operojnë në mënyrë të tillë që asnjë faturë nuk paguhet pa situacion punimesh.
Por teksa ligjet janë përmirësuar, numri i audituesve është rritur dhe pagat ndaj tyre gjithashtu, cilësia e kontrollit të brendshëm financiar ka pësuar rënie drastike në pesë vitet e fundit.
Sipas të dhënave në Ministrinë e Financave, në vitin 2023, në të gjithë entet publike ishin 441 auditues, por dëmi financiar që ata zbuluan ishte vetëm 473 milionë lekë (4,7 mln euro). Siç shihet nga grafiku shoqërues, rendimenti i audituesve ka rënë ndjeshëm pas vitit 2020.
Zbulimet e vitit të kaluar janë 90% më të ulëta se në vitin 2019, kur vlera e dëmeve të gjetura ishte mbi 4,3 miliardë lekë, apo në vitin 2015, kur Ministria e Financave drejtohej nga Shkëlqim Cani, punonjësit e auditit zbuluan 68 miliardë lekë dëme.
Të dhënat krahasuese tregojnë se me dyfishin e punonjësve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rendimenti i auditit të brendshëm i qeverisë është shumë i ulët. KLSH, me rreth 218 punonjës, zbuloi vitin e kaluar 67 miliardë dëm ekonomik, ose 141 herë më shumë se Auditi i Brendshëm.
Njësia e kontrollit të brendshëm, që është në varësinë e ministrit të Financave, nëse do të funksiononte në bazë të ligjit, do të kishte efekt pozitiv në financat e shtetit edhe më shumë se KLSH.
Në bazë të ligjit “Për Auditimin e Brendshëm në Sektorin Publik” 2015, auditimi i brendshëm përfshin një vlerësim të pavarur të qeverisjes, menaxhimit të riskut dhe proceset e vetëkontrollit të një njësie të sektorit publik, nëpërmjet auditimit të përputhshmërisë, auditimit të performancës, auditimit financiar, auditimit të teknologjisë së informacionit dhe lloje të tjera të auditimit të brendshëm.
Rezultatet e gjetjeve, sipas ligjit, i vihen në dispozicion ministrit të Financave, i cili në bazë të tyre vepron me hartimin e politikave buxhetore dhe lajmëron Kryeministrin dhe Qeverinë për rreziqet potenciale në dëm të financave të vendit, ku presupozohet të merren edhe masa ndëshkimore për punonjësit dhe riparohen dëmet.
Eksperti fiskal, Eduart Gjokutaj, tha se, audituesit e brendshëm janë përgjegjës për të ndihmuar institucionet publike dhe agjencitë e pavarura të përcaktojnë nëse kontrollet janë funksionale për të ulur rrezikun në procese dhe aktivitete të ndryshme.
Roli i auditorit të brendshëm është të sigurojë një vlerësim të paanshëm dhe çdo konflikt interesi i perceptuar duhet të menaxhohet me kujdes. Ai tha se, audituesit e brendshëm përballen me rezistencë nga punonjësit ose drejtuesit kur rekomandojnë ndryshime ose përmirësime në procese dhe kontrolle. Kjo sfidë e trashëguar ende nuk është zgjidhur dhe ndikon drejtpërdrejt në rezultatet e produktit të audituesve të brendshëm.
Rritet numri i audituesve, zbulimi i dëmeve në pikiatë
Të dhënat tregojnë se numri i audituesve është rritur ndjeshëm, por rendimenti i tyre ka rënë pikiatë.
Nga viti 2015 deri në vitin 2023, numri i audituesve u rrit me 20%, ndërsa vlera e dëmit të zbuluar gjatë kësaj periudhe ra me 99.3%, sipas krahasimeve të të dhënave të publikuara në raportet vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Harmonizimit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik.
Sipas të dhënave zyrtare në periudhën 2020-2023, dëmi ekonomik i zbuluar për një auditues ishte mesatarisht 1,6 milionë lekë, ndërsa për periudhën 2014-2018, dëmi mesatar i zbuluar nga një auditues i brendshëm ishte 68 milionë lekë. Nga ana tjetër, skemat e mashtrimit dhe abuzimet me fondet publike tregojnë nivele të larta të shkeljes së ligjeve në sy të audituesve.
Në raportin e punës për vitin 2023, SPAK vuri në dukje se veprimet korruptive në administratën publike kanë marrë formë të organizuar që përfshijnë shumë sisteme të qeverisjes.
Veprimet korruptive sipas SPAK ndjekin procedura, të cilat thjesht legalizojnë veprimet e përfituesve të fondeve apo shërbimeve publike, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.
“Në shumicën e rasteve, ky lloj ‘institucionalizimi, sidomos kur kemi të bëjmë p.sh. me keqpërdorimin e fondeve publike është në formë të organizuar dhe i shoqëruar me veprime juridike, të cilat synojnë mbulimin e natyrës së vërtetë të veprimit kriminal. Vihet re përdorimi gjithnjë e në rritje i personave juridikë, të cilët janë përfitues të këtyre fondeve publike.
Këta të fundit bëjnë ndërrime të shpeshta të aksionerëve të shoqërive tregtare, apo ndërrim të emrave tregtarë të personave juridikë, copëzim të transaksioneve, ku jo rrallëherë, këto veprime kryhen në llogari të cilat janë të regjistruara jashtë vendit”, evidentoi SPAK në raportin që i dorëzoi Kuvendit këtë pranverë.
Struktura e SPAK ka zbuluar se tashmë ajo e pjesë e administratës publike, që duhet të jetë gardiani i fondeve buxhetore dhe i respektimit të ligjit, është vënë tërësisht në shërbim të abuzimit dhe vazhdon të jetë.
Tashmë është e vërtetuar se inceneratori i Tiranës nuk ekziston dhe Ministria e Financave vazhdon të paguajë fatura punimesh që nuk janë kryer, edhe pse ka në dorë të gjithë mekanizmat ligjorë për ta bllokuar.
Ministria e Financave refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të “Monitor” për veprimtarinë e Auditit të Brendshëm, por burimet brenda saj pohuan se ministri i Financave po anashkalohet nga segmentet në detyrat që i takojnë nga segmentet e tjera të qeverisë.
79% e strukturave të auditit punojnë jo në përputhje me ligjin
Për të siguruar eficiencën e strukturave të Auditit të Brendshëm në Ministrinë e Financave është Drejtoria e Harmonizimit Financiar që kontrollon punën e njësive të auditit në institucione nëse janë duke punuar konform ligjit për të cilin paguhen.
Drejtoria e Harmonizimit Financiar, që është në varësi të Ministrisë së Financave, përpiloi një raport për vitin 2023 në të cilin vlerësoi se pothuajse 79% e njësive të auditit në entet publike nuk veprojnë në përputhje me ligjin, teksa 37% e njësive të auditit veprojnë në mospërputhje të plotë me ligjin.
Drejtoria e Harmonizimit Financiar në Ministrinë e Financave vuri në dukje se ka një tendencë në rritje të rasteve të identifikuara për dyshim të parregullsive dhe keqmenaxhimit financiar nga strukturat e auditimit të brendshëm.
Gjatë vitit 2023, në total janë raportuar 8 njësi shpenzuese për raste të dyshuara të parregullsive dhe shkeljeve të rënda, të cilat në gjykimin profesional të audituesve janë dërguar për investigim të mëtejshëm te titullari përkatës për ndjekje nga Drejtoria e Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave dhe në institucione të tjera: 1 rast Ministria e Brendshme, 1 rast Ministria e Kulturës, 1 rast Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, 1 rast Ujësjellës-Kanalizime Tiranë dhe 4 raste Bashkia e Shkodrës.
Raporti thotë se përgjithësisht, audituesit operojnë në mungesë e kapaciteteve administrative dhe profesionale për të ndërtuar, për të mbajtur dhe për të përditësuar elementet e nevojshme të kornizës së kontrollit të brendshëm. Aplikohen procedura joefektive dhe mungesë të manualeve të punës dhe nuk ekziston gjurma e auditimit të miratuar për proceset kryesore.
Raporti i Financave gjithashtu referon se ka mungesa të përcaktimit dhe përshkrimit të saktë të detyrave dhe përgjegjësive, mosekzistencë të ndarjes të qartë të detyrave ndërmjet funksioneve të ndryshme dhe një sistem raportimi jokoherent dhe të përshtatshëm, monitorimi dhe mbikëqyrje e pamjaftueshme.
“Dobësi të konsiderueshme janë identifikuar në regjistrimin dhe administrimin, si dhe aseteve të njësive publike që kanë treguar të ketë mangësi materiale lidhur me: plotësinë, ekzistencën, përkatësinë, si dhe pasaktësi në hartimin e regjistrit të aseteve, çka përbën faktor risku potencial në miradministrimin e pronës publike” – vëren raporti i Ministrisë së Financave.
Gjithashtu, mosmarrja e masave të nevojshme parandaluese në mënyrë të veçantë në planifikimin dhe ekzekutimin e buxhetit të shtetit, ka ndikuar në krijimin e detyrimeve të reja.
Ministria e Financave referon se sigurimi i cilësisë në auditim, krahas krijimit të Programit të Kontrollit të Cilësisë dhe Përmirësimit, mbulohet në një masë të gjerë nga vlerësimet e jashtme të cilësisë, të cilat kryhen nga Drejtoria e Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm në të gjithë strukturat e auditimit të brendshëm publik.
Deri në fund të vitit 2023, Drejtoria e Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave ka realizuar 117 vlerësime të njësive të auditimit të brendshëm, në një frekuencë të paktën një herë në pesë vjet, duke mbuluar rreth 86% të sistemit. Opinionet e dhëna kanë vlerësuar për nivelin e përputhshmërisë së punës audituese me kërkesat e kuadrit ligjor dhe standardeve të auditimit.
Për vitin 2023 u vlerësuan me opinion pozitiv vetëm 21% e njësive të auditit, të cilat operonin përgjithësisht sipas standardit ligjor. Për 26% të njësive u dha opinion negativ, pasi veprimtaria e tyre ishte përgjithësisht në mospërputhje të plotë me kërkesat e ligjit.
Për 37% të njësive të auditit u dha opinion thuajse negativ, pasi veprimtaria e tyre në pjesën më të madhe ishte në mospërputhje e pjesshme me kërkesat e ligjit, ndërsa vetëm për 16% të njësive të auditit u dha opinion pjesërisht pozitiv, duke vlerësuar se veprimtaria e tyre është në mospërputhje me ligjin vetëm në disa fusha.
Spitalet dhe bashkitë, auditi nuk ushtron funksionet
Sistemet e brendshme të kontrollit kanë shfaqur dobësi të mëdha përgjithësisht, por ato që veprojnë nëpër bashki dhe në spitalet publike kanë dobësi të mëdha dhe thuajse marrin paga pa ushtruar asnjë funksion ligjor.
Drejtoria e Harmonizimit Financiar në Ministrinë e Financave referoi se vlerësimet tregojnë dobësi të strukturave audituese në nivel të qeverisjes lokale dhe qendrat spitalore lidhur me përmbushjen e kritereve të përcaktuara në Ligjin për auditimin e brendshëm, si në krijimin e njësive të auditimit të brendshëm, apo në zbatimin e standardeve të punës audituese.
Në strukturat e auditimit, në vitin 2023 ishin të punësuar 441 auditues, një rekord historik pavarësisht se janë të nevojshëm 505 të tillë, analizon Ministria e Financave.
Struktura profesionale e audituesve të brendshëm konsiston në 348 ekonomistë, 69 juristë dhe 24 me profesione të tjera specifike sipas sektorëve të ekonomisë. Kriteri i eksperiencës përmbushet nga 246 auditues të brendshëm që kanë vjetërsi pune mbi 5 vjet dhe 195 kanë vjetërsi në auditim deri në 5 vjet.
Nëpërmjet Programit të Trajnimit të Vazhdueshëm Profesional për vitin 2023, janë trajnuar 317 auditues të brendshëm të certifikuar në 20 tema, të cilat mbuluan: qasjen e auditimit mbi bazë risku, adresimin e rasteve të korrupsionit dhe mashtrimit financiar, sistemin buxhetor, prokurimet publike dhe auditimin e detyrimeve të prapambetura, planifikimin, raportimin dhe ndjekjen e rekomandimeve të auditimit.
Në korrik të vitit 2023 përfundoi procesi i certifikimit për sezonin 2022-2023 ku tashmë rreth 81% e audituesve të brendshëm publikë janë të certifikuar si një kusht thelbësor për ndërtimin dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve audituese.
Po në vërtetë, eficienca e këtyre audituesve me gjithë investimet në burime njerëzore dhe trajnimet ka pësuar rënie drastike referuar rezultateve të gjetjeve. Shpenzimet në paga nga taksat e shqiptarëve për audituesit janë shumë më të larta se përfitimet që vijnë nga kjo strukturë.
Auditimi i brendshëm luan rol të rëndësishëm në mirëqeverisjen e shëndetshme, dhe për këtë arsye nuk kërkohet vetëm kryerja e shërbimeve të ofruara nëpërmjet auditimeve të përputhshmërisë dhe auditimeve financiare, por edhe të shërbejë si partner strategjik dhe të shtojë vlerë në veprimtarinë e njësisë publike drejt përmirësimit të proceseve organizative dhe sigurimit të eficiencës dhe efikasitetit të tyre.
Auditi i brendshëm kulmoi në vitin 2015, u zbuluan 550 milionë euro dëme
Nga viti 2009 deri më 2023, kur Ministria e Financave ka publikuar raportet e veprimtarisë së auditit të brendshëm në entet publike, rezultatet e gjetjeve kanë pasur luhatje nga 400 milionë lekë në 4 miliardë lekë në vit, përveçse në vitin 2015, kur njësitë e auditit zbuluan dëme në vlerën e 68,7 miliardë lekëve ose 550 milionë euro me kursin e këmbimit të kohës.
Në vitet 2014 dhe 2015, kur në drejtimin e Ministrisë së Financave ishte Shkëlqim Cani, një figurë e njohur në qarqet ekonomike të vendit, ish-guvernator, performanca e auditit të brendshëm të qeverisë u rrit ndjeshëm.
Në vitin 2014, kur socialistët erdhën në pushtet, vlera e abuzimeve të gjetura në raportin e 2014 ishte 20 miliardë lekë, ose 5 herë më e madhe se gjetjet e vitit 2013. Gjithashtu, gjetjet për vitin 2015 të auditit te brendshëm arritën rekord historik, kur vlera e zbulimeve ishte rreth 69 miliardë lekë.
Pas vitit 2015, ritmet e punës së auditit të brendshëm pësuan rënie të ndjeshme, por pas vitit 2020, zbulimi i dëmit në vlerë shënoi përkeqësim të lartë. Në vitin 2023 u zbuluan vetëm 4 milionë euro dëme, teksa Kontrolli i lartë i Shtetit për të njëjtën periudhë vlerësoi së dëmet financiare të zbuluara në të njëjtin vit (2023) ishin 72,3 miliardë lekë, ose 720 milionë euro.
Nuk funksionojnë as barrierat e tjera
Vitin e kaluar, nga buxheti i shtetit nëpërmjet thesarit janë financuar rreth 2700 projekte investimesh, për të cilat nuk kishte buxhet të planifikuar. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të pasqyruara në listën vjetore të investimeve publike, më 2023 janë bërë pagesa për rreth 2700 projekte, me vlerë rreth 15 miliardë lekë, të cilat nuk ishin të planifikuara në buxhet.
Pagesat më të mëdha u përkasin projekteve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ligji organik i buxhetit, i ndryshuar në vitin 2026, në nenin 52 të tij përcakton qartë se “kryerja e shpenzimeve bëhet vetëm nëse masa e shpenzimit nuk kalon fondet e angazhuara për këtë qëllim.
Shpenzimet, që rezultojnë nga angazhime të marra përsipër gjatë viteve të mëparshme, në përputhje me dispozitat e veçanta të ligjit të buxhetit vjetor, përfshihen në buxhetin e vitit pasardhës”. Përgjegjësinë kryesore për autorizimin e pagesave konform ligjit e ka Nëpunësi i Parë Autorizues, që është Sekretari i Përgjithshëm.
Në raportet e përvitshme për zbatimin e buxhetit, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur parregullsi në drejtim të mosrespektimit të disiplinës fiskale, konstatuar kjo në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit dhe raportimit të buxhetit, që konsistojnë në:
“Rialokime për projektet e investimeve me financim të brendshëm pa respektuar radhën prioritare në buxhetim, keqklasifikimin e investimeve, marrjen e angazhimeve pa fonde buxhetore.
Problematika në lidhje me procesin e detajimit të fondeve për rindërtimin, detajimin e projekteve të investimeve publike me akt normativ pa kaluar në PBA.
Shkurtimin e fondeve të investimit në momentin e lidhjes së kontratës dhe rialokimin e këtyre fondeve drejt projekteve me detyrime të prapambetura, mosregjistrimin e kontratave në SIFQ me pasojë krijimin e detyrimeve të prapambetura, stoku i të cilave vazhdon të mos raportohet në vlerën e saktë dhe mbetet jashtë treguesve të konsoliduar fiskalë.”
KLSH kërkoi që Ministria e Financave, përkatësisht Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit të marrë masa për fuqizimin e rolit të Drejtorisë së Menaxhimit të Investimeve Publike në MFE, në drejtim të monitorimit të procesit të investimeve publike me financim të huaj, me qëllim rritjen e cilësisë së menaxhimit të fondeve publike dhe llogaridhënies së strukturave që kryejnë shpenzime buxhetore./ Monitor