Vdekja e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, ka shkaktuar jo vetëm një humbje të madhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare, por edhe një debat të gjerë për mënyrën sesi shteti shqiptar e trajtoi ceremoninë e tij mortore. Analisti Armand Shkullaku ka reaguar ashpër duke kritikuar paaftësinë e shtetit për t’i siguruar një vend të denjë për prehjen e shkrimtarit të shquar.
Shkullaku theksoi se ndarja nga jeta e Kadaresë ka kapur në flagrancë joseriozitetin e shtetit shqiptar, që në mbi një shekull ekzistencë nuk ka krijuar një vend të posaçëm për të nderuar pas vdekjes figurat e shquara të kombit. Sipas tij, kaosi që pasoi vdekjen e paparalajmëruar të Kadaresë u reflektua edhe në fjalimin e lamtumirës së kryeministrit, i cili tingëlloi më shumë si një rrëfim për hallin e tij se ku duhej t’i gjente një vend të përshtatshëm përmasave të pavdekësisë së Kadaresë.
Në fjalimin e tij, kryeministri pranoi se Kadare nuk mund të prehej në Varrezat e Dëshmorëve, as pranë vëllezërve Frashëri dhe as në lulishtet e qytetit, përballë hotel Rogner apo pas kryeministrisë. Shkullaku vuri në dukje se kryeministri kishte refuzuar këto propozime duke interpretuar mendimet dhe dëshirat e Kadaresë, pa mundësinë që vetë shkrimtari t’i konfirmonte.
Analisti e krahasoi këtë situatë me poezinë “Kristal” të Kadaresë, duke theksuar se shqiptarët dëgjuan në takimin e fundit të tyre me shkrimtarin, se si ai nuk mund të prehej në vendet e propozuara. Shkullaku përfundoi me kritika të ashpra ndaj shtetit për mosgatishmërinë e tij për të nderuar një personalitet të përmasave të Kadaresë.
Reagimi i plotë i Armand Shkullakut
Shteti shqiptar dëshmoi edhe njëherë se është i paaftë, qoftë edhe për t’i gjetur një vend prehje të denjë një personaliteti të shquar që i kalon përmasat kombëtare. Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, kapi në flagrancën e joseriozitetit një shtet të tërë, që në mbi një shekull ekzistencë, nuk ka bërë vend për të nderuar pas vdekjes figurat e shquara të tij.
Kaosi që shkaktoi vdekja e paparalajmëruar e Kadaresë, përshkoi fjalimin e lamtumirës së kryeministrit shqiptar, i cili më shumë se një homazh për shkrimtarin, tingëlloi si një rrëfim për hallin e tij se ku duhej t’i gjente një vend që t’i shkonte për shtat përmasave të pavdeksisë së Ismailit. Dhe lamtumira e fundit, nga një moment solemn për Kadarenë, u shndërrua në odisenë plot andrralla të kryeministrit, që ende nuk po gjente një varr që atij t’i dukej i përshatshëm për të nderuar shkrimitarin.
Ashtu si në poezinë “Kristal” të Ismailit, “…tani kërkoj unë posht’e lart, një vend ku ty të të lëshoj…”, shqiptarët dëgjuan në takimin e fundit të tyre me shkrimtarin, se si ai nuk mund të prehej në Varrezat e Dëshmorëve, por as pranë vëllezërve Frashëri e aq më pak në lulishtet e vetme që kanë mbetur, përballë hotel Rogner apo pas kryeministrisë. Për të gjitha këto propozime, kryeministri kishte refuzuar duke interpretuar sipas mendjes së tij çka do të kishte dashur vetë Ismaili. Te dëshmorët jo, se Ismaili nuk kishte rënë dëshmor dhe as kishte patur dëshirë të martirizohej. Te vëllezërit Frashëri jo, se s’kishte shumë vend mes tyre dhe do i trazohej vetmia e përjetshme. Nëpër lulishte jo se jo, se të vdekurit duhet të ndahen nga të gjallët aq më shumë që, sipas Ramës, Ismaili u ikte vendeve ku grumbulloheshin njerëz. Sigurisht që këto interpretime, për hallin e një shteti që nuk di se ku t’i bëjë vend një personaliteti, Ismaili vetë nuk kishte mundësi t’i konfirmonte.