Një skemë mashtrimi me fatura fiktive që kanë shkaktuar 60 mln lekë dëm ndaj shtetit është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar nga organi i akuzës, janë caktuar masa sigurie për 7 persona të akuzuar për krijimin e skemave mashtruese lidhur me TVSH. Mes tyre është edhe një ish-punonjës i Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Bëhet me dije se nga analizimi i fakteve, u provua se janë krijuar dhe regjistruar në mënyrë fiktive me anë të falsifikimeve, 17 subjekte tregtare, të gjitha me aksionerë, administratorë dhe pjesëtarë të bordit drejtues.
Të gjithë të huajt vinin nga vende si Kuba, Spanja, Germania, Kroacia, Malta, Belgjika, Italia, India, Bangladeshi. Pasi kishin krijuar këto kompani, pretendonin se kishin kryer shitje (të gjitha fiktive) në vlerën 200,000,000 lekë, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën 60 milionë lekëve të reja.
Por vetëm një verifikim provoi se në fakt jo vetëm që nuk kanë bërë asnjë shitje, por madje nuk kanë pasur kurrë asnjë punonjës, mjete apo adresa të vendeve ku pretendojnë se kanë kryer punime dhe kanë prerë faturat për ato shërbime. Një tjetër detaj i rëndësishëm është zbuluar nga të dhënat e sistemit TIMS. Del që asnjë nga shtetasit e huaj që pretendohet se kanë firmosur pranë QKB-së për regjistrimin e biznesit të tyre, në asnjë moment nuk ka hyrë në territorin e Shqipërisë.
“Dokumentet e dorëzuara nga këta subjekte në QKB, Banka të nivelit të dytë (mandat magesa kapitali), caktimi ekspertëve kontabël në statutet e tyre, u provua se janë të falsifikuara,“-bën me dije Prokuroria.
Konkretisht në masën e sigurisë “arrest me burg” është lënë vetëm:
Antik Çerpja- akuzohet për “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, ekonomisti akuzohet se ka krijuar kushtet për të furnizuar subjekte të treta nëpëmjet subjekteve fiktive për të cilat ka pasur akses në sistemet e tyre si dhe dokumentacionin tatimor (blloqe TVSH).
“Arrest shtëpie”
Arlind Duka- akuzohet për “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, ish-specialisti pranë QKB-së Vlorë, ka mundur të kryejë regjistrimin e katër subjekteve tregtatre, me status Sh.A (shoqëri aksionere).
Ndërsa “detyrim paraqitje” janë vendosur: Altin Abedini, Mahmut Limani dhe Rudebs Rexha, Fabio Dama dhe Andrea Alia. Këta persona sipas Prokurorisë duhet të hetohen për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, referuar nga Drejtoria Hetimit Tatimor në kuadër të procedimit penal nr.6684, viti 2023 i bashkuar, kërkoi masa sigurie shtrënguese për shtatë persona, përfshirë dhe një ish-punonjës së Qendrës Kombëtare të Biznesit, për Veprën Penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar”, parashikuar nga neni 144/a i Kodit Penal. Nga analizimi i fakteve, u provua se janë krijuar dhe regjistruar në mënyrë fiktive me anë të falsifikimeve, 17 subjekte tregtare, të gjitha me aksioner administrator dhe pjestar bordi drejtues, shtetas të huaj, përkatësisht 15 shtetas nga vende si Kuba, Spanja, Germania, Kroacia, Malta, Belgjika, Italia, India, Bangladeshi.
Të 17 subjektet tregtare kanë kryer shitje në mënyrë fiktive në vlerën 200,000,000 lekë, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën 60,000,000 lekë. Nga verifikimi i kryer, këto subjekte nuk kanë pasur asnjëherë punonjës, mjete ose adresa sekondare për të kryer punimet të cilat kanë faturuar. Nga të dhënat e sistemit TIMS, rezulton se të 15 shtetasit e huaj të cilët kanë firmosur regjistrimet e subjekteve pranë QKB-së, nuk kanë hyrë në asnjë moment në Territorin e Shqipërisë. Dokumentet e dorëzuara nga këta subjekte në QKB, Banka të nivelit të dytë (mandat magesa kapitali), caktimi ekspertëve kontabël në statutet e tyre, u provua se janë të falsifikuara.
Në total, subjektet fiktive kanë kryer shitje në vlerë 192,622,898 lekë (të dhëna nga vetëdeklarimi). Këto vlera të cilat dyshohet të jenë fiktive, janë faturuar vetëm te subjekti që operon në fushën e kromit.
Personi nën hetimi shtetasi A. D. (ish specialist pranë QKB-së Vlorë), ka mundur të kryej regjistrimin e katër subjekteve tregtatre, me status Sh.A (shoqëri aksionere). Ndërsa personi tjetër nën hetim, shtetasi A. Ç. (ekonomist), ka krijuar kushtet për të furnizuar subjekte të treta nëpëmjet subjekteve fiktive për të cilat ka pasur akses në sistemet e tyre si dhe dokumentacionin tatimor (blloqe TVSH).
Sa më sipër, prokuroria dyshon se shtetasi A.Ç., A.D., M.L., A.A., R.R., A.A., F.D., duhet të hetohen për kryerjen e veprës penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, parashikuar nga neni 144/a, 180, 300 dhe 190 i Kodit Penal dhe kërkon:
1-Caktimin e masës së sigurimit “arrest ne burg” për personin nën hetim A.Ç. Për veprën penale të parashikuar nga neni 144/a i Kodit Penal;
2-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nen hetim A.A. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
3-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të për personit nën hetim M.L. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
4-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personin nën hetim R.R., për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
5-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për personin nën hetim F.D. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
6-Caktimin e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” për personin nën hetim A.A. për veprën penale të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal; dhe
7-Caktimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi” për personin nën hetim A. D. për veprën penale të parashikuar nga neni 190 dhe 300 i Kodit Penal.