Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) ka raportuar të mërkurën mbi gjuetinë dhe tregtinë e paligjshme të shpendëve të egër, të cilët shiten në një prej tregjeve të hapura të Tiranës.
Shqiptarët i blenë vetë 55% të barnave vitin e kaluar, paguan 141 milionë lekë
“1000 lekë të reja një rosë e egër dhe 500 lekë një karabullak i vogël/bajzë në tregun e ish Uzinës Dinamo”, shkruan njoftimi i AOS në faqen e tyre zyrtare në Facebook.
“Krahas tregtimit, ofrohet falas edhe edhe mënyra e gatimit në mënyrë të tillë që shpendët e egër të mos mbajnë erë”, shkruajnë mjedisorët.
Aktivistët për mbrojtjen e mjedisit raportojnë se këto lloje shpendësh të egër tregtohen pothuajse çdo fundjavë, pasi kapen në liqen me rrjeta peshkimi dhe me teknika specifike për vrasjen e tyre.
Ligji nr.10 006 i vitit 2008 për Mbrojtjen dhe Konservimin e Faunës së Egër parashikon mbrojtjen nga keqtrajtimi, dëmtimi dhe plagosja të individëve të llojeve të egra.
Nga ana tjetër, neni 7 i Ligjit për Shpalljen e Moratoriumit të Gjuetisë në Republikën e Shqipërisë, parashikon sanksionimin me gjobë të gjuetarëve apo klubeve të gjuetisë që kryejnë shkeljen, gjobë që varion nga 800 mijë deri në 1 milion lekë.
Të kontaktuar nga BIRN, Bashkia e Tiranës, përgjegjëse per administrimin e tregjeve, dhe Policia e Tiranës nuk iu përgjigjën një kërkese për koment, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Mjedisorët i bënë thirrje këtyre autoriteteve të reagojnë për këtë krim mjedisor që cënon faunën e egër.
“Ky është një krim mjedisor dhe duhet trajtuar me të njëjtin seriozitet si çdo krim tjetër”, shkruan Shoqata Ornitologjike Shqiptare në postimin e saj./BIRN