Pas anulimit të zgjedhjeve nga vetë presidenti Ilir Meta, Partia Socialiste ditën e enjte do të nisë procedurat për shkarkimin e tij. Ka qenë Elisa Spiropali ajo që ka bërë edhe deklaratën e fortë nga Kryesia e PS për shkakrimin e Metës.
Në lidhje me deklatatën e Spiropalit ka reaguar edhe “Zëri i Amerikës”, ku e ka cilësuar një hap ekstrem vendimin e Partisë Socialiste.
Në shkrim citohet:
“Është hera e parë që në Shqipëri, parlamenti do të ndërmarrë një hap të tillë ekstrem, i cili pason vendimin e Kreut të Shtetit për të anulluar datën e zgjedhjeve vendore të parashikuara për më 30 Qershor.”
Shkrimi i plotë i “Zërit të Amerikës”:
“Në Shqipëri Partia socialiste njoftoi sot se ka vendosur të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit Iir Meta. Eshtë hera e parë që në Shqipëri, parlamenti do të ndërmarrë një hap të tillë ekstrem, i cili pason vendimin e Kreut të Shtetit për të anulluar datën e zgjedhjeve vendore të parashikuara për më 30 Qershor.
Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së Partisë, ministrja për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali deklaroi se me vendimin e tij Presidenti ka kryer “një akt brutal ndaj Republikës”. Sipas zonjës Spiropali “ne si Kryesi mendojmë se Meta ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion”. Një qëndrim i paralajmëruar një ditë më parë dhe nga vetë kryeministri Edi Rama , sipas të cilit vendimi i Kreut të Shtetit është “një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp që s’ka më turp”, ndërsa shtoi se “Ilir Meta e ka shkruar fatin e tij si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në këtë zyrë”
Zonja Spiropali shpjegoi se procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës “do nisin menjëherë në sencën parlamentare të së enjtes. Eshtë detyra jonë politike për të mbrojtur Kushtetutën, Rendin kushtetues dhe Republikën”.
Procedurat për shkarkimin e Presidentit nisin me kërkesën e një të katërtës së deputetëve, ose 36 prej tyre, ndërsa vendimi duhet të merret me të paktën dy të tretat ose 93 vota, të cilat shumica e vetme nuk i ka. Sidoqoftë, edhe nëse parlamenti e aprovon, fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese, e cila për momentin është jashtë funkzionit, me vetëm 1 nga 9 anëtarët e saj. Pavarësisht kësaj, kjo nuk na heq të drejtën për të nisur procedurat”, deklaroi zonja Spiropali.