Ambasada kineze ka denoncuar me vendosmëri sanksionet e ndërmarra nga Britania në lidhje me mbështetjen e Rusisë në luftën në Ukrainë. Në një deklaratë, autoritetet kineze kanë bërë të ditur se çdo veprim që dëmton interesat e tyre do të përballen me një përgjigje të fortë.
Ambasada ka argumentuar se qëndrimi i Pekinit në lidhje me luftën në Ukrainë është objektiv dhe i drejtë. Ata kanë kërkuar nga Mbretëria e Bashkuar të korrigjojë gabimet e ndërmarra dhe të tërheqë sanksionet kundër firmave kineze.
Britania e Madhe ka njoftuar 26 sanksione të reja, duke përfshirë biznese në Kinë, Bjellorusi, Serbi, Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistan, të cilat, sipas qeverisë britanike, vazhdojnë të mbështesin pushtimin e paligjshëm të Ukrainës nga Rusia.
Sanksionet përfshijnë 31 persona dhe subjekte të lidhura me projektimin dhe prodhimin e dronëve, pjesëve të raketave dhe importimin e komponentëve elektronikë. Tre firma kineze janë në listë për furnizimin e mallrave të sanksionuara.
Katër subjekte në Emiratet e Bashkuara Arabe, të përfshira në tregtimin e naftës ruse, janë ndër objektivat e tjera të sanksionuara, së bashku me entitete të tjera të përfshira në aktivitetet e grupit mercenar Wagner. Një organizatë e mbrojtjes bjelloruse është gjithashtu ndër subjektet e sanksionuara nga Britania, akuzuar për prodhimin e teknologjisë ushtarake të përdorur nga Minsku për të mbështetur përpjekjet luftarake të Rusisë.
Ministrja e Jashtme britanike, Anne-Marie Trevelyan, ka njoftuar se këto sanksione synojnë të godasin sistemet e mbrojtjes ruse dhe zinxhirët e paligjshëm të furnizimit që mbështesin makinën luftarake të Rusisë. Ky vendim i qeverisë britanike rrit numrin e individëve të sanksionuar në mbi 1600, përfshirë 250 subjekte të tjera.