Ku janë sot ish-kryeministrat e ministrat e PS-së, ku janë profesorët e intelektualët që e themeluan partinë që po drejton vendin?
Kush e mban mend fillimin e rrugëtimit të Shqipërisë pas rrëzimit të komunizmit, ku edhe pse vetëm me një media televizive, nisën të flasin në publik shumë zëra politikë. Padyshim ai i Sali Berishës ishte më i njohuri dhe u bë edhe viral.
Ndërkaq, përveç Berishës ishin zërat e Azem Hajdarit, Gramoz Pashkos, Neritan Cekës, Arben Imamit, Preç Zogajt, nga ana e PD-së që atëherë ishte shumë ‘cool’. Por nuk ishte kaq e varfër skena dhe në anën tjetër, ku përveç zërit me nota të larta të Ramiz Alisë, që ngjante një anëtar i grupit “cugini di campagna”, dallohej zëri bas i Fatos Nanos, zëri prej tenori i Shkëlqim Canit, i spikerit thuajse të moduluar në frekuencë Xhelil Gjonit, por edhe Namik Dokle, Kastriot Islami, Bardhyl Fasko, Abdi Baleta, Panajot Barka, Namik Hoti e Sabri Godo, madje edhe shoqata të tjera e parti, gazeta pa fund; që nga e famshmja “Koha Jonë”, tek Haxhi Isufi i Kunjit, ‘Lajmëtari’ i Shkodrës apo ‘Erosi’ i Agim Devës e deri te ‘Intervista’ e Artan Kristos. Aa, harruam socialdemokratët paksa mikroborgjezë të Skënder Gjinushit, por që piperin aty e luante Teodor Laço, shkrimtari sharmant nga Dardha e Korçës. Një revolucion kaotik zërash, nga politika në media, duke kaluar natyrisht në Kulturë. Shqipëria hyri në një Republikë të re, e cila ishte shumë e rrëmujshme, por për shumë, sidomos ata që merreshin me këtë punë, ishte mjaft interesante.
Erdhi Saliu i Parë, që bëri ‘synet’ shumë zëra, e mbylli mjaft prej gojëve që s’pushonin. Ca me para e ca me dru. Një pjesë nisën të bënin katandi. Nuk ishin si ato të parët që ashtu të veshur me një xhaketë të vjetër, një paketë cooper dhe një dopjo konjak mendonin të ndryshonin botën, duke hedhur në letër fjalët që i sillte fantasia. Qoftë edhe prej dopjos së dytë.
Ca menduan për kostume, veshje për gratë, por mbi të gjitha për dashnore, sa më shumë dashnore. Fundjava në Himarë, kur duhej me doemos fuoristrada. Dhe i lanë zërat e nisën të bënin tregti me fjalët.
Krejt normale, pasi po hynim në një fazë të re.
Megjithatë politika kishte zëra; më pak se në fillim, por kishte.
Edhe pse Fatos Nanon, Saliu i Parë e kishte burgosur, dhe ai takonte një herë në muaj të shoqen e familjarët, Pandeli Majko e Ilir Meta mbushnin gazetat duke u sjellë si “zëra reformatorë”. Fliste edhe profesor Pëllumbi, profesor Meidani, e profesorë të tjerë që ju ngjeshën politikës ca për qejf e ca për ambicje.
Krahasojeni atë mjedis idilik me njerëz që thonin mendimet e tyre, që flisnin me fjalë të rënda e ide gjeniale me monarkinë e sotme të Edi Ramës. Ku Partia Socialiste është kthyer identik si oborri i Luigjit të XIV në Versajën që sapo kishte nisur të ndërtohet. Ku djaloshi mbret që shikonte në ëndrra pas disa gotave të së bekuarës që ja sillte murgu Dom Perignon, e natyrisht barërave që vinin nga India, mblodhi në Pallatin e Gjuetisë së babait të vet të gjithë fisnikët e Francës. Dhe i detyroi që të jetonin me mëshirën e sovranit, duke ua marrë të gjitha pronat e të mirat e tyre. Madje u merrte para për ushqim, ndenje e argëtime.
Dhe fisnikët e Francës u kthyen në skllevër të “Mbretit diell” që ishte i dehur non stop e thoshte: “Shteti jam Unë”.
Shikojeni sot shtetin e Edi Ramës. Asnjë nga deputetët e PS-së nuk flet, përveçse përsërit frazat që i sjell të gatshme kuzhina e propagandës së “Mbretit Diell” që tani ka marrë pozat e liderit global dhe shpëtimtarit të “Shqipërisë 2030”.
Ku janë sot ish-kryeministrat e ministrat e PS-së, ku janë profesorët e intelektualët që e themeluan partinë që po drejton vendin? Aty i ke, vetëm nuk flasin, sepse mbreti u ka mbyllur gojën duke ua punësuar djemtë, vajzat, nuset, dhëndurrët, madje edhe kunatat e baxhanakët. U jep ndonjë leje ndërtimi, ngase profesorët e ish-ministrat janë kthyer në komisionerë të biznesmenëve të mesëm, por vetëm për punë të ndërmjetëme.
Pasi Versajën e Ramës po e ndërtojnë një grusht njerëzish që janë realisht oborri i “tiranit tonë të iluminuar” që e ka kthyer shtetin edhe më keq se monarkia foshnjore e Ahmet Zogut, ku kishte zhurmë, opozitë, pamflete e atentate pa fund. Madje edhe në diktaturën e frikshme të Enver Hoxhës kishte një opozitë jashtë vendit apo brenda tij, që edhe nëse nuk rebeloheshin, e bënin sepse donin të jetonin.
Po sot: janë kthyer të gjithë në eunukë, për pak komisione e letra me vlerë që i shtyp Babloku nga Versaja e tij misterioze, ku po qesh gjithnjë e më pak, edhe pse pushtet ka shumë e më shumë. Ja kjo Shqipëri është sot, edhe pse ka më shumë turistë se në vitin 1991, edhe pse ka buxhet më të madh, por kaq trishtim, kaq shumë trishtim. Madje qesh gjithnjë e më pak edhe mbreti vetë…/Pamfleti