Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e fundit të tranzicionit ka shprehur një vlerësim negativ për Shqipërinë në kontekstin e “mirë-qeverisjes”. Raporti konstaton një përkeqësim të dukshëm në këtë fushë për vendin.
Sipas të dhënave të publikuara në raport, Shqipëria është klasifikuar me 4.71 pikë nga 10 të mundshmet në treguesin e mirëqeverisjes për vitin 2023, duke e bërë atë vendin me vlerësimin më të ulët në rajon. Vetëm Bosnja dhe Hercegovina ka marrë një vlerësim më të ulët, me 4.09 pikë.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Kosova renditet mbi Shqipërinë me 4.85 pikë. Raporti gjithashtu tregon një rënie të vazhdueshme të performancës së Shqipërisë në fushën e “mirë-qeverisjes” nga viti në vit, duke filluar nga viti 2016 me 5.28 pikë dhe zbritur në 4.74 pikë në vitin 2022.
Mali i Zi është vendi i parë në rajon për qeverisjen e mirë në vitin 2023, me një vlerësim prej 6.34 pikë. Pas tij renditen Rumania, Bullgaria, Serbia dhe Greqia.
Treguesi i mirëqeverisjes është vlerësuar si një ndër treguesit më të rëndësishëm në raportin e publikuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo vlerëson funksionimin, cilësinë e standardeve të institucioneve politike dhe ekonomike, kontrollin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit përmes një sistemi pikësh.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim synon të nxisë tranzicionin drejt një ekonomie të hapur të orientuar nga tregu dhe për të promovuar sipërmarrjen në ekonomitë ku investon. Për ta bërë këtë në mënyrë efektive, ajo analizon procesin e tranzicionit në vende të ndryshme.