“Hajde të pimë një teke raki”.
Është fjalia e mirëseardhjes e çdo shqiptari kur vjen miku, qoftë ky vendas apo i huaj. Një traditë që tregon vlerat karakteristike të vendit tonë.
Ashtu si kuzhina, edhe pijet tradicionale janë një element i rëndësishëm i identitetit kulturor dhe historik të vendit, dhe duke i provuar ato, vizitorët mund të zbulojnë thellë trashëgiminë dhe shijet unike të kësaj kulture të pasur.
Për shqiptarët, këto pije janë një mënyrë për të festuar, për të përshëndetur mysafirët dhe për të krijuar lidhje të forta shoqërore. Për turistët, ato janë një mënyrë për të njohur kulturën dhe historinë e një vendi.
Çdo zonë e vendit ka zakonet dhe traditat e saj të veçanta kur bëhet fjalë për pijet tradicionale si rakia, konjaku, birra artizanale, likeret dhe vera.
Konsumi i tyre nga turistët është duke krijuar një fitim të madh për bizneset, të cilët po vuajnë nga ulja e konsumit vendas.
Xhimi Begeja, drejtues i Shoqatës së Mikro Birrave Artizanale Shqiptare, por edhe operator i vogël në treg, me kapacitet prodhues 700 deri në 750 litra në ditë, pohon se birra e tij kërkohet më së shumti nga turistët e huaj.
Ai merret vetë me shpërndarjen e saj në lokale të ndryshme në të gjithë Shqipërinë dhe tregon se ka shitjen e garantuar për të gjithë sasinë e prodhuar, por nuk mund ta rrisë çmimin, sepse ulet konsumi.
“Ne shpërndajmë te restorantet më shumë gjatë sezonit turistik, pasi janë turistët e huaj ata që e kërkojnë më shumë birrën tonë.
Është një nga katër birrat e vetme artizanale që ka ngelur në vend. Formula ime nuk ka ndryshuar prej 17 vjetësh. Kjo është një mënyrë e mirë për t’u treguar turistëve pijet tona”
“Supë e mirë, me harxhe shumë, supë e mirë me tenxhere të vogla, që shërbehet e freskët dhe shpejt” – është formula që Begeja përdor për prodhimin e Birrës Puka, nëpërmjet fermentimit të hapur.
Ashtu si birra, edhe vera dhe rakia janë shumë të kërkuara nga turistët.
Olsi Risto, nga Kantina Duka, shprehet se numri i vizitorëve të huaj që bëjnë turin e verës ose rakisë është rritur me 20-30%.
Është shtuar shumë interesi për turet. Turistët kërkojnë vazhdimisht produkte autentike. Bashkëpunimi me agjencitë është rritur dhe na duhet të organizojmë ture të ndryshme, duke përfshirë paketa të ndryshme për ta, që t’u përshtatemi më mirë kërkesave të tyre.
“Te ne është më e kërkuar vera, por edhe rakia nuk mbetet pas, pasi për shumë të huaj, degustimi i rakisë është për herë të parë”- shprehet z. Risto.
Shqiptarët me kënaqësi ndajnë njohuritë e tyre në lidhje me këto pije. Ata tregojnë si t’i shijosh, të ofrojnë mezen e duhur dhe rrëfejnë historitë dhe kujtimet personale të lidhura me to.
Turistët kanë mundësinë të zbulojnë fshatrat e thella të vendit, të marrin pjesë në ngjarje të traditës dhe të provojnë ushqime dhe pijet autentike shqiptare.
Prandaj panairet e shumta të organizuara gjatë verës kanë qenë aktivitetet e duhura për t’i promovuar këto vlera. Gjatë gjithë verës në shumë qytete, kryesisht ato me vizitorë të shumtë, u organizuan panaire dhe aktivitete kulturore.
Kalendari kulturor i qyteteve mbushet me panaire, koncerte, shfaqje tradicionale dhe ekspozita artistike
Një shembull i qartë i rikthimit të traditës janë festivalet e verës që zhvillohen në disa qytete të Shqipërisë.
Festivalet përfshijnë shfaqje muzikore, gastronomike dhe artizanale, synojnë të bëjnë bashkë të rinjtë dhe të moshuarit nën një çati të përbashkët ku tradita dhe moderniteti janë të harmonizuara.
Këngëtarët dhe grupet e reja muzikore ndërthurin ritmet e dikurshme me elemente të muzikës bashkëkohore, duke krijuar një fushë të re, e cila respekton rrënjët e kulturës shqiptare.
Turistët gjatë gjithë sezonit kanë pasur mundësinë të marrin pjesë në koncerte, shfaqje tradicionale, ekspozita artistike, demonstrime artizanale dhe festa popullore, të cilat i kanë dhënë një përjetim të veçantë kulturës dhe traditave vendase.
Ministria e Kulturës deklaron se këto shfaqje janë shtrirë veçanërisht përgjatë vijës bregdetare, për të ofruar dhe për të mundësuar një paketë të plotë vlerash dhe traditash, por pa lënë mënjanë dhe qytete të tjera të rëndësishme të turizmit kulturor.
Për të promovuar dhe për të festuar kulturën dhe ekonominë vendase, Bashkia e Durrësit organizoi një nga këto aktivitete.
“Taverna e Adriatikut”, në kulmin e sezonit turistik, këtë verë ka shumëfishuar numrin e turistëve në qytetin bregdetar dhe rrethinat e tij.
Kantina vere dhe agroturizme të ndryshme, prodhues të vajit të ullirit, mjaltit dhe produkteve të shumta ushqimore, pastiçeritë më cilësore të Durrësit, po dhe artizanë të punës me dorë e kthyen panairin në një përvojë argëtuese dhe edukative për vizitorët e shumtë.
“Vizitorët provuan më të mirat që ofron Durrësi për banorët e tij dhe turistët. Panairi u kthye në një hapësirë publike kushtuar jo vetëm shijes së mirë, por edhe muzikës e argëtimit” – u shpreh Floreta Kërtusha, nga Drejtoria e Turizmit në Durrës. /Monitor