Teksa këtë sezon ka pasur një ‘bum’ turistësh në Shqipëri, disa pikëpyetje ngrihen në lidhje me mënyrën se si po tentohet të pasqyrohet vendi ynë në sytë e të huajve.
Anëtari i Këshillit Shkencor të UNESCO-s, Auron Tare në një postim në rrjetin social Facebook, shkruan për turizmin në Shqipëri.
Sipas Tares tërheqja e masës ‘Low Cost’ po i heq vendit autencitetin, teksa shton se ka një propagandë të madhe për ta paraqitur Shqipërinë si një parajsë turistike dhe të lirë.
Statusi i Auron Tares:
Që të jem i saktë dhe korrekt. Kjo pamje mund të ishte edhe në shume qytete turistike të Mesdheut. Nuk qëndron problemi se dy të huaj ecin me brekë në rrugët e qytetit. Apo se 4 “italianë” ikin pa paguar. Apo se disa te tjerë vjedhin filxhanë kafesh në baret e bulevardit apo se pas 12 në plazhet e Sarandës të mbyt era e hashashit. Problemi është se ka një tendencë dhe propagandë të madhe për ta paraqitur këtë vend si parajse turistike dhe me keq akoma shumë të lire. Kjo propagandë që behet prej disa vitesh nga një numër institucionesh dhe sektorësh ka tërhequr një mase të madhe turistesh Loë Cost. Si rrjedhim ka një përballje me një masë të madhe të huajsh që vinë vërdalle për të gjetur ketë “tokë të Premtuar” me çmime të ulëta. Nga ana tjetër kemi një mase te madhe qytetaresh të cilët pa pritmes brenda një ditë u shndërruan ne Hoteliere, maxhordome, Guida turistike, shoferë të klasit të lartë, udhërrëfyes, agjentë portuale etj të cilët me një shërbim të ulët dhe jo për faj të tyre, krijojnë amulli në masën e madhe që vjen për të udhëtuar në këtë vijë bregdetare.
Ne kontrast janë bujtinat agroturistike të cilat bujtësin e kanë të një cilësie të mirë dhe mjaft të interesuar për atë lloj produkti i cili ka mundur të krijojë një lloj profili autentik vendas. Të bërit turizëm pa asnjë ide se ku po shkon ky vend, pa asnjë plan, të lënit të lirë të industrisë në duar të lloj lloj njerëzish pa asnjë kualifikim trajnim apo përgjegjësi, sjell një mish mash tipik shqiptar ku një turmë e madhe të huajsh me shumë pak lekë në kontot bankare vjen në një vend i cili i shikon ata si numra për tu rrjepur dhe jo për të krijuar një markë turistike Made in Albania. Ky kontrast i madh do të luajë një rol në të ardhmen e afërme ku vija jonë bregdetare do të shndërrohet në një lloj vendi pa asnjë identitet, një mish mash ndërtimesh betoni pa asnjë vlerë shpirtërore dhe edukative ku do të pihet alkool i lirë dhe hashash pa asnjë pengese. Tërheqja e kësaj mase Loë Cost po i heq vendit autenticitetin, garancinë e një vendi ku mund te udhëtosh për të mësuar provuar dhe parë një kulture vendase. Jemi dëshmitarë se në pak vjet ne qytetet tona kjo pamje nuk i ben me njeriut pershtypje dhe kultura lokale po pëson nje ndryshim të madh për hir te një fitimi të shpejte dhe pa kokëçarje. Prandaj vende të cilat e kanë kaluar këtë faze janë munduar të ndalojnë shpërthime të tilla ku presioni i numrave dëmton peizazhet historike, vendet shpirtërore, vijën bregdetare dhe kulturën lokale. Fatkeqësisht edhe pse te fundit në lojën e turizmit nuk mundem dot të mësojmë nga gabimet e të tjerëve dhe ende vazhdojmë të mburremi se jemi vendi me rritjen më të madhe të turizmit. Ndërkohë askush nuk thotë se jemi vendi me shperfytyrimin më të shpejte ne Evropë të vijës bregdetare duke shkatërruar arkitekturën lokale, peizazhet, plazhet dhe kulturën tonq. Na rrofshin numrat!