Parlamenti shqiptar miratoi në seancën e fundit të sesionit projektligjin e shumëpërfolur “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Projektligji përcakton kuadrin rregullator se si do të nisë procesi për të kontrolluar kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit dhe prodhimin e nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.
Deputetët e opozitës u shprehën kundër projektligjit duke e quajtur atë antikushtetues. Ata pyetën se për kë dhe pse po miratohet ky ligj në një periudhë kaq të shpejtë kohore
95 deputet morën pjesë në votim, 69 votuan pro, 23 kundër dhe 3 abstenuan.
Drafti
Në bazë të ligjit, në Shqipëri do të krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale dhe Prodhimit të Nënprodukteve të saj. Agjencia do të jetë institucioni përgjegjës për monitorimin e zbatimit të parashikimeve të këtij ligji në lidhje me kontrollin dhe mbikëqyrjen e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit si dhe prodhimit të nënprodukteve të saj.
Agjencia organizohet dhe funksionon në nivel qendror, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Ajo do të hartojë kriteret e vlerësimit të aplikuesve bazuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, do të organizojë procedurat për dhënien e licencës për kultivimin dhe përpunimin e bimës së kanabisit si dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore, do të rivlerësojë çdo tre vjet, përmbushjen e kushteve të dhënies së licencës.
Shqipëria hyn në tregun e ligjshëm, duke ju bashkuar rreth 40 shteteve në të gjithë botën që e kanë lejuar tashmë, me përvojë dhe me një forcë pune të kualifikuar për shkak të dominimit që ka në tregun e zi.
Në projektligj janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve për subjektet e interesuara. Pranë Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit do të ngrihet edhe Komisioni i Licencave që do të administrojë dhe verifikojë kërkesat që do të paraqesin subjektet.
Ky komision do të vendosë edhe sanksione për ato subjekte që pajisen me leje dhe licenca por që shkelin kushtet ose dalin përtej kuadrit ligjor të përcaktuar.
Në ligj është vendosur një kufizim sa i takon sipërfaqes maksimale të tokës që mund të kultivohet me kanabis. Konkretisht, sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.
Gjithashtu, sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për qëllime mjekësore nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë. Ky kufizim pritet të ndezë një luftë të fortë mes kompanive për t’u pajisur me licencë.
Licenca jepet për një ose disa veprimtari për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi, me kërkesë për secilin nga aktivitetet. Në momentin e paraqitjes së kërkesës një tarifë e cila është e pakthyeshme. Masa e tarifës, procedura dhe mënyra e përdorimit të kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Formati i licencës për ushtrimin e aktiviteteve të lidhura me prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për Shëndetësinë. Licenca jepet vetëm në emër të subjektit dhe është e patransferueshme dhe e patjetërsueshme
Studentët në protestë, parlamenti u mohon fjalën, voton ligjin për 5 vite punë të detyrueshme
Teksa jashtë parlamenti studentët e mjekësisë kërkuan në protestë që në seancën e fundit parlamentare të mos votohet vendimi i qeverisë për t’i mbajtur ata 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të specializimit. Ligji u miratua vetëm me votat pro të Mazhornacës.
Me 72 vota pro, 23 kundër dhe asnjë absenim u miratua në parlament ligji mbi “Trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.
Përmes këtij projektligji, qeveria vendos detyrimin për studentët e mjekësisë të punojnë të paktën 2-5 vite pas diplomimit në Shqipëri, ose në të kundërt të paguajnë një tarifë që përkon me koston për arsimimin e tyre.
Drafti
Sipas pr/ligjit “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë” studentëve aplikantë në mjekësi por dhe ata që janë në vijim të studimeve u ofrohet mundësia të firmosë një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 2 – 5 vjeçare pas diplomimit.
Nëse ata pranojnë ta firmosin marrëveshjen do të përjashtohen nga tarifat e shkollimit gjatë gjithë studimit gjithashtu do të kenë dhe disa përfitime të tjera sociale.
Në nenin 4 të pr/ligjit thuhet se për studenti nënshkruan marrëveshje, para regjistrimit të tij si fitues në këtë program. Marrëveshja lidhet ndërmjet tij, ministrisë përgjegjëse për arsimin, ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit të arsimit të lartë publik për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve, për jo më pak se 5 (pesë) vite në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.
Në nenin 5 të pr/ligjit lihet të kuptohet që punësimi mund të jetë në institucion shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, publik ose privat.
Gjithashtu studenti pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet, deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 5 (pesë)-vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare.
Kur shteti s’të gjen punë për 1 vit
Në nenin 6 të pr/ligjit thuhet se në rast mospunësimi të studentit brenda 1 (një) viti kalendarik, nga data e lindjes të së drejtës për punësim, sipas legjislacionit në fuqi, konsiderohet i përmbushur detyrimi sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe ka të drejtën të pajiset me diplomën përkatëse universitare”
Kur nis efektet ligji?
Ky ligj i shtrin efektet në një periudhë 3 vjeçare duke nisur nga viti akademik 2023-2024.
Masat do të fillojnë nga viti akademik 2023-2024 deri në vitin akademik 2027-2028, për pasojë efekti i tij do të jetë i përkohshëm, që të investojmë në ndërtimin e një sistemi shëndetësor kombëtar të fortë, rezistent, për të përmirësuar kapacitetet, duke ruajtur forcën e punës në shëndetësi dhe duke promovuar kujdesin social, njëlloj i rëndësishëm me atë shëndetësor./RevistaMonitor