Më 3 maj 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Në mënyrë të përvitshme, kjo datë shërben si përkujtesë e shtypit mbarëbotëror për gazetarët e rënë në krye të detyrës, në përpjekje për një raportim objektiv. Në kuadrin e mbrojtjes që garanton neni 19 i Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut, gjithkush ka të drejtën e lirisë së shprehjes, si edhe të ‘njoftimit të informacionit’. Organizata Gazetarët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Megjithatë sipas indeksit që u publikua të martën, edhe Shqipëria, edhe Kosova kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë, njofton Zëri i Amerikës. Në treguesin që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Në vitin 2021, Shqipëria radhitej në vendin e 83-të. Në raport thuhet se Prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e sulmit kibernetik nga Irani. Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar kur radhitej në vendin e 61-të, ndërsa një vit më herët ishte në vendin e 78-të. Serbia, ku sipas raportit mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse, radhitet këtë vit në vendin e 91-të, duke pësuar rënien më të thellë (me 12 vende) në rajonin që përfshin Bashkimin Evropian dhe Ballkanin.
Rrit tarifat dhe “pastron” ankesat, One Albania përballet me revoltë të hapur të abonentëve
Operatori One Albania po përballet me një valë të fortë reagimesh nga abonentët, jo vetëm për rritjen e tarifave me...







