Shkopi “magjik” i ndërtimit e pasurive të paluajtshme dhe futjes në qarkullim të parave informale mund të krijojë iluzionin e rritjes ekonomike, por nuk arrin të bëjë mrekulli në përmirësimin real të mirëqenies së qytetarëve. Çdo premtim me urdhër, apo presion indirekt nëpërmjet administratës shtetërore vetëm sa mund të fusë vendin në një spirale të rrezikshme inflacioniste, të rritjes së borxhit dhe të thellimit të barrës fiskale.
Ekonomia vendase u rrit me gati 5% në vitin 2022, duke shënuar ecuri më të mirë sesa pritshmëritë prej rreth 4% të institucioneve ndërkombëtare dhe qeverisë. Këto të fundit e rishikuan në ulje vlerësimin për vitin 2022, pas pasojave që filloi të jepte në ekonominë globale dhe inflacionin, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Në pamje të parë, shifra duket një lajm i mirë. Në fund të fundit, ekonomia vendase gjithnjë ka treguar se ka arritur të ecë më mirë sesa parashikimet. P.sh., nga rreth 7-9% që pritej rënia nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vitin pandemik 2020, tkurrja ishte vetëm 3.3%.
Por, nëse e shohim me detaje nga ka ardhur rritja, gëzimi zbehet. Të dhënat e INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) treguan se dy sektorët që nxitën rritjen ekonomike ishin ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, të vetmit që u zgjeruan me ritme dyshifrore.
Në fakt, të dy këto aktivitete e kanë mbajtur ekonominë në 3-4 vitet e fundit, duke na “shpëtuar” dhe nga pasojat e pandemisë. Bujqësia, që është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë dhe punëson rreth 40% të popullsisë, -për të cilën nuk ka të dhëna të sakta për të ardhurat e pagat për shkak të informalitetit- ishte në stanjacion.
Rritja e pagave nominale, ndonëse në dukje e lartë, krahasuar me vitin 2021 është më e ulët, për shkak të zhvlerësimit nga inflacioni, që ishte më i larti që nga viti 2018.
Shqipëria vijon të mbetet vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë (përveç Kosovës), sipas publikimeve të Eurostat, duke treguar qartë se rritja ekonomike në dekadat e fundit nuk ka arritur të prodhojë mirëqenie të qytetarëve të saj.
Në këtë mjedis ekonomik të debatueshëm vjen dhe premtimi i kryeministrit për të çuar pagën mesatare në administratën shtetërore në 900 euro, me shpresën se kjo rritje do të tërheqë dhe sektorin privat. Por, urdhri vështirë të funksionojë.
As rritja e ekonomisë shqiptare dhe as niveli i inflacionit nuk duket të mbështesë një kërcim të tillë spektakolar të pagës. Meqë shifra u vendos pa ndonjë argument të caktuar që mbështetet nga ekonomia reale, (vetëm mesatarja e rajonit duhet të ketë shërbyer si referencë), lind edhe pyetja: “Përse ndalon te 900 euro e jo te 1900 euro!!
A mund të bëhet paga 900 euro në administratën publike?! Shqipëria ka ndër të ardhurat më të ulëta buxhetore, në rreth 28% të PBB-së, dhe kjo kushtëzon dhe shpenzimet. Fqinjët, që i kanë pagat në administratë rreth 20-30% më të larta sesa ne, kanë luksin që të shpenzojnë, teksa të ardhurat e tyre janë mesatarisht 35-40% e PBB-së.
Duhet të llogarisim edhe shpenzimet që duhet të paguajë buxheti për humbjet në arbitrazhe, ku vetëm për çështjen “Becchetti” duhen 120 milionë euro, ndërsa fatura totale vlerësohet në gati 500 milionë euro.
Ndërsa pagat e sektorit privat janë një pasqyrë e nivelit të zhvillimit të ekonomisë, ku mbizotëron vetëpunësimi, ka shumë ndërmarrje të vogla e mikro, ndërsa sipërmarrjet e mëdha janë, në pjesën më të madhe, të përqendruara në aktivitete tregtare, që financojnë importet.
Koncesionet dhe tenderat kanë krijuar, nga ana tjetër, një grup sipërmarrësish të mëdhenj, që nuk janë realisht të interesuar t’i shtojnë vlerë ekonomisë, pasi janë të kënaqur me fitimet e kollajta që marrin (renditjet e përvitshme të “Monitor” për sipërmarrjet me fitime më të mëdha tregojnë se, pikërisht këto dy aktivitete të përmendura më lart, kanë normat më të larta të fitimit në ekonomi!).
Edhe ajo rritje e pagave që u shënua në vitin 2022 ishte më shumë si rrjedhojë e presionit të lartë të emigracionit, me qytetarët që po protestojnë në heshtje për keqqeverisjen e këtyre dekadave, duke u larguar nga vendi.
Që ekonomia e vendit nuk është konkurruese, kjo po duket qartë nga kriza e fundit e çmimeve, ku më të humburit po dalin prodhuesit vendas, produktet e të cilëve tashmë janë më të shtrenjta se importet, duke rrezikuar falimentime të tyre, për shkak të kostove të lëndëve të para e pagave. Shqipëria po e humb kështu dhe avantazhin e vetëm që kishte, atë të kostos së fuqisë së lirë punëtore.
Si për ironi, zhvlerësimi i euros, që më së shumti vjen nga hyrja e parasë informale apo parasë së pisët (Shqipëria ra në grupin e vendeve gri në çështjet e pastrimit të parave me rrezik për t’u klasifikuar edhe më keq), që po mban ekonominë në këmbë, po u jep goditjen e fundit eksportuesve.
Shkopi “magjik” i ndërtimit e pasurive të paluajtshme dhe futjes në qarkullim të parave informale mund të krijojë iluzionin e rritjes ekonomike, por nuk arrin të bëjë mrekulli në përmirësimin real të mirëqenies së qytetarëve. Vetëm një zhvillim i qëndrueshëm i ekonomisë, përmes shtimit të produktivitetit, nxitjes së inovacionit, tërheqjes së Investimeve të Huaja Direkte me vlerë të shtuar e njohuri të larta do të çojë në rritje reale të pagave.
Çdo premtim me urdhër, apo presion indirekt nëpërmjet administratës shtetërore vetëm sa mund të fusë vendin në një spirale të rrezikshme inflacioniste, të rritjes së borxhit dhe të thellimit të barrës fiskale.
Urdhra apo dëshira të tilla si këto që shpreh për fushatë Kryeministri, me dobësinë që kanë institucionet e shtetit, shndërrohen në mekanizma abuzimi e presioni ndaj atyre pak bizneseve të çdo madhësie apo të vetëpunësuarve që po mbajnë në këmbë një pjesën e qëndrueshme e normale të ekonomisë. Pjesa tjetër është kështjella prej letre e destinuar të shembet, sapo një nga burimet e parasë informale apo të shpërdorimit të pushtetit, të shterojë./RevistaMonitor