Ditën e sotme Prokuroria ka publikuar njoftimin zyrtar në lidhje me abuzimin 1.2 milion eurosh në Ministrinë e Financave, çështje që çoi pas hekurave dy zyrtarë dhe një përmbarues. Në njoftim është zbardhur dhe skema e abuzimit të zyrtarëve me paratë e buxhetit të shtetit. Në pranga janë vënë Sekretari i Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori i Ministrisë së Financave, Fatmir Hoxha.
Cila është skema?
Bëhet fjalë për një magazinë që sipas Prokurorisë i është shitur Thanës për 1 milionë lekë nga nga drejtoria e shërbimit qeveritar në prill të vitit 1992, së bashku me një truall. Por tre vjet më vonë, komisioni i kthimit e kompesimit të pronave ia ktheu ndërtesën ish-pronarëve, një vendim i cili u mbështet edhe nga gjykata që urdhëroi kthimin e parave që blerësi kishte harxhuar në atë kohë, të konvertuara me indeksin e rritjes së çmimeve.
Kështu, Thana mori paratë në vitin 2015, por në 2022, totalisht jashtë ligjit, u krye rivlerësimi dhe me firmën e Gjokutajt, në shtator të vitit 2022, Thanës dhe motrës së tij iu kaluan 480 milionë lekë të tjera, duke i sjellë shtetit akoma më shumë dëme. Më datë 21 dhjetor 2022, Prokuroria njoftoi se kishte arrestuar Thanën e kishte vënë në sekuestro 22 milionë lekë, por dëmi i shkaktuar ndaj shtetit, kapte vlerën e 1 milion e 200 mijë eurove, duke përllogaritur kalimet e herëpashershme.
Njoftimi Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria Tiranë kërkon “Arrest në Burg” për zyrtarët publikë dhe përmbaruesin për “Shpërdorim detyre”. Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u caktua masa e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin, A.GJ., Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, shtetasin F. H., Drejtor i Shërbimeve mbështetëse dhe çështjeve ligjore dhe A.R., përmbarues gjyqësor privat si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal. Këta shtetas kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e shtetasit I. TH., në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 8586/2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 320 të K.Penal. Nga aktet e këtij procedimi, rezultoi se: Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin e saj nr. 16, datë 14.07.2000 ka vendosur: “Urdhërohet zgjidhja e pasojave për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes datë 23.04.1992 të lidhur mes shitësave Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe A.K Privatizimit dhe blerësit I.Th, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, ku objekti magazinë nr.2 i kthehet Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe kjo e fundit së bashku me AKP-në t’i kthejë bleresit I.Th vlerën e objekteve të blera (magazine dhe truall) që është 103.046 lekë të konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit”.
Ministria e Financave dhe Ekonimisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit I.Th sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT. Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e I.Th vlera prej 284.139 me urdhër shpenzimi nr.90 datë 27.02.2015. Më tej, rezulton se shtetasi I. Th është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar shtetasin I. Th në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status. E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro. Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetaist I. Th. shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P.. Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur. Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I.Th., për veprat penale të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 320 të K.Penal si dhe vazhdon hetimet në lidhje me përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.