Inflacioni i lartë, borxhi i madh publik, kriza e shkaktuar për shkak të luftës, por më kryesorja keqmenaxhimi po rëndon shumë në xhepat dhe jetën e qytetarëve shqiptarë. Shtuar këtyre duhet marrë parasysh edhe fakti që rritja e çmimeve dhe inflacioni kanë bërë punën e tyre, por pagat kanë pësuar një rritje fare minimale, pothuajse të papërfillshme.
Jeta e shqiptarëve është bërë gati e papërballueshme me këtë disnivel midis të ardhurave për frymë dhe çmimeve stratosferike të shkaktuara nga arsyet e lart përmendura. Situata është aq drastike sa të diskutohet për produktet e shportës, pasi të tjerat konsiderohen “luks” tashmë. Kjo situtaë rëndom gjendet nëpër qytete të mëdha, për të mos u futur në zona më të thella ku situata është akoma më drastike. Njëra prej tyre është padyshim edhe Malësia e Madhe ku gjendja ekonomike nuk nuk i përafrohet fare nivelit të duhur.
Për të arritur në konkluzionin që përdorimi jo me efikasitet i parave të qytetarëve po ndikon në përkeqësimin e jetëve të tyre do të sjellim një rast në Malësinë e Madhe. Një tender pak i çuditshëm dhe i dyshimtë është hapur nga kjo bashki. Projekti i quajtur “Zana e Malit” ka të bëjë me një event i cili ka si synim “të përmbushë vakumin e lënë nga Sars Covid 2 në strukturat hoteliere, si dhe aktivitetet e qytetarëve”.
Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-47727-10-27-2022 dhe me objekt “Organizim i eventit Zana e Maleve”. Fondi limit i tij është 1,146,658 lekë të reja pa TVSH ose rreth 11 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Rezulton se 60 persona do të akomodohen për 10 ditë në Vermosh për të “përmbushur vakumin e krijuar prej pandemisë Sars- Covid2 si në aktivitetet shoqërore të segmenteve të ndryshme të popullatës, ashtu edhe në aktivitetin e operatorëve turistike lokale, strukturave akomoduese dhe mikpritëse, sidomos në zonat jashtë kryeqytetit”.
Duke lexuar specifikimet e tenderit del se më shumë përfitojnë agjencitë private turistike sesa vetë banorët. Nga ana tjetër vetë procedura e tenderit është e dyshimtë. Themi kështu pasi në garë kanë marrë pjesë vetëm dy operatorë, ku ka fituar oferta më e lartë.
Bëhet fjalë për subjektin “Brunilda Liçaj” që ka ofruar vlerën 1,140,700 lekë të reja pa TVSH ose rreth 14 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë e cila është shpallur edhe fituese, rezulton të jetë sa 99.5% e fondit limit, duke rritur shumë dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.