Ditën e sotme deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti ka reaguar menjëherë pas dokumentit të publikuar nga hakerët, në të cilin thuhet se në vitin 2021 ishte planifikuar vrasja e kryeministrit Albin Kurti, Ismet Haxhës dhe atij vetë. Halili thotë se ka pasur lajmërime për këtë ngjarje, por shton se kjo nuk është e vetmja herë që ai është tentuar të vritet. Ai ka thënë se gjëra të tilla, si atentatet, kanë qenë mjaft të zakonshme për të që nga viti 1985.
“Unë kam pas paralajmërime, më kanë lajmëru edhe policia. U kanë një kohë kur më kanë ruajt, unë i kam këto të përhershme që nga viti 85, i kam kështu të rregullta. Më kanë tregu që është diçka por skam pas (mbrojtje). Ndoshta në distancë e që se kam ditë. Rreth 3 vjet më herët më kanë ruajt 6 muaj kam pas mbrojtje të afërt të policisë, shtëpi, punë, rrugë kudo që kam lëvizë,”- tha Haliti.
I pyetur nëse është informuar rreth arsyes së mundshme rreth vrasjes së tij, ai tha “nuk e di, ata e dinë”.
Çfarë ndodhi sot?
Dokumente sekretë nga Policia e Shtetit kanë ‘rrjedhur’ pas sulmit të kryer nga hakerat dhe kanë zbuluar disa atentate të planifikuara ndaj zyrtarë shqiptarë e të Kosovës. Dokumentet kanë zbuluar se është tentuar vrasja e disa personave, mes tyre ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Veç tyre ishte tentuar eliminimi i Ismet Haxhës dhe Xhavit Halitit, dy zyrtarë në Kosovë. Po ashtu janë siguruar informacione edhe për qarkullimin lirshëm të Talo Çelës në Tiranë. Ai ka ardhur dhe ka takuar Ervin Matën, një prej protagonistëve të vrasjes në ish-Bllok, ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj dhe u vra miku i këtij të fundit, Fabjan Gaxha.