Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka ‘trazuar ujërat” me deklaratën që ka bërë.
Bëhet me dije se pasi ka bërë verifikimet përkatëse për një person me iniciale I.M, ka dalë se ai ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, dhe me rezultatet me materialet përkatëse i janë dërguar Kuvendit.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me këtë çështje. Fillimisht tregon bisedën me Ilir Metën për emërimin e Gentiana Sulës në krye të “Dosjeve”, që siç thotë Rama ka ardhur me pëlqimin e vetë ish-presidentit.
Rama shprehet se nuk e di nëse shtetasi I.M që cilësohet si spiun është Ilir Meta dhe se nuk e ka parë dosjen. Duke iu referuar akuzave të ish-presidentit se kjo është një histori e sajuar prej tij, kreu i qeverisë thotë se nuk është takuar me Gentiana Sulën.Kryeministri tregon se nuk e ka parë dosjen në fjalë, por nënvizon se në shkresën e Autoritetit të Dosjes theksohej se “Politikani I.M është i njëjti me atë që doli nga Presidenca pak ditë më parë”. Sipas kryeministrit djalli fshihet pas inicialeve.
Kryeministri shkruan më tej se në vend të kërkojë hapjen e dosjeve, Meta shantazhon kryetaren e Autoritetit të Dosjeve që e ka propozuar vetë në atë post.
Reagimi i plotë:
SIGURIMI I SHTETIT, SHTETI DEMOKRATIK DHE SHTETASI ME INICIALET I.M
A është bashkëpunëtori i Sigurimit me inicialet IM, pikërisht ish-presidenti, ish-kryekuvendari, ish-kryeministri dhe ish-dhjetoristi i shfaqur mes studentëve, në takimin me Ramiz Alinë?
Kështu mendon siç duket Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në krye të të cilit qëndron sot e gjithë ditën zonja Genta Sula. Emrin e zonjës Sula e kam dëgjuar për herë të parë pikërisht nga ish-kryetari i ish-LSI. Si bashkëkryetar asokohe i koalicionit PS-LSI, ai më pyet një ditë: “E njeh këtë Genta Sulën?”. “Jo!”. “Aaa, duhet ta njohësh! Genta është grua e rrallë, me integritet, e mençur, e zonja shumë, ta çojmë zv.ministre atje tek Veliaj?”. “Patjetër!”. Dhe më vonë, kur duhej zgjedhur drejtuesi i Autoritetit të sapokrijuar të Dosjeve: “Ore ça opinioni ke krijuar për atë Genta Sulën?”. “Dëgjoj fjalë të mira, nuk e njoh nga afër!”. “Bëhen kto emërimet tek Autoriteti i Dosjeve, ta çojmë Gentën atje se këta të përndjekurit e ke parasysh… Nuk mbushin mirë!”. “Dakord!”. “Le të merret Baba Taku me Gentën e me ato punë e ke parasysh?!..”. Kështu, me propozim të atij vetë dhe falë një CV-je realisht serioze, Genta Sula u bë kryetare e Autoritetit me votën e shumicës parlamentare të kohës.
Gjatë gjithë viteve të saj në detyrë, e kam takuar vetëm në aktivitetet publike të Autoritetit, të cilat po, e vërtetë, kanë qenë absolutisht mbresëlënëse. Gjithashtu ka qenë shumë serioze dhe e vlerësuar edhe ndërkombëtarisht, puna aspak e lehtë e Autoritetit me trashëgiminë dyfish të tmerrshme të dosjeve. E para, sepse e tmerrshme ishte praktika mizore e Sigurimit të Shtetit komunist dhe e dyta, sepse e tmerrshme ishte barbaria postkomuniste mbi dosjet, ku u futën egërsisht duart e mëkatarëve të kthyer në heronj të demokracisë.
Sa për dijeni, edhe pas kësaj historisë së shpifur të politikanit me iniciale I.M, as nuk jam takuar as nuk kam folur me zonjën Sula. Thjesht jam informuar nga shkresa zyrtare e Autoritetit mbi Ilir Metën apo Metajn. Kush më njeh dhe e di se si punoj, as që çuditet fare me sa po them. Kush s’më njeh apo më njeh krejt ndryshe, përmes miteve të rreme mediatike mbi regjimin dhe autokratin që kontrollon gjithçka, as që mund ta besojë sa thashë për marrëdhënien time me Autoritetin e Dosjeve dhe me kryetaren e tij. Po ka kohë që s’më intereson mbushjemendja e atyre që janë të udhëhequr nga ligësia e të verbuar nga urrejtja. Ky që thashë është thjesht fakt.
Sa për faktin që bashkëpunëtorin e Sigurimit me iniciale I.M, e lidh drejtëpërdrejtë me Ilir Metën apo Metajn, pikërisht një trupë e drejtuar nga zonja Genta Sula dhe e përbërë nga anëtarë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me Sigurimin e Shtetit, madje disa vijnë deri edhe nga familje thellësisht të prekura nga persekutimi komunist, ky është një fakt që nuk flet aspak në favor të Ilir Metës apo Metajt. Nuk më duket se flet në favor të këtij të fundit edhe shpërthimi i tërbimit karakteristik, me piskama e lëvizje të pakontrolluara të krahëve – i ndodh në fakt sa herë ndjen shpinën t’i prekë lagështirën e një lloj muri që i prish gjumin dhe i merr peng imagjinatën. Po këto janë thjesht mendime të miat, ndërsa fakti është se Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, po sulmohet dhe shantazhohet egërsisht nga Ilir Meta apo Metaj, si edhe natyrisht nga i Pakalluri Non Grata e nga dumbabistët që i shkojnë pas si qorra në kërkim të belasë. (Ky tjetri, që njësoj si i pari, po bën si zakonisht hajdutin që bërtet me të madhe kapeni hajdutin, ka shumë gjasë që po bën një rrugë e dy punë, pra po fsheh edhe dorën, pasi mesa duket e ka hedhur edhe gurin e shejtanllëkut të tij në këtë vorbull, si njohës i kahershëm i të shkuarës së politikanit me iniciale I.M).
Unë nuk e di a është Ilir Meta apo Metaj, ky spiuni me inicialet I.M dhe as e kam parë vetë dosjen! Po ama një gjë është shumë fare e sigurtë: Mes Autoritetit të Dosjeve nga njëra anë, i cili thotë shkresërisht, se Iliri që doli nga Presidenca para pak ditësh është i njëjti Ilir, që doli edhe nga dosja e Sigurimit pak ditë më pas dhe nga ana tjetër, Ilir Metës apo Metajt, i cili shan e bërtet që bëhet fjalë për një Ilir tjetër dhe se kjo është një poshtërsi e madhe patronazhistësh, padiskutim që unë i besoj trupës së drejtuar nga Genta Sula e vetë asaj. E cila s’ka asnjë lidhje tjetër me politikën, përveç faktit që e ka propozuar në atë detyrë personalisht Ilir Meta apo Metaj. Dhe me sa duket ka qëlluar si rrallëherë dhe ku, pikërisht në atë dreq vendi ku djalli fshihet pas inicialeve, që të dalë i hajrit për ligjin e për shtetin një person i propozuar nga ajo parti, e cila së fundmi ndërroi edhe emrin e vet, mu si dikur Ilir Metaj, kur u kthye në Ilir Meta!
Mirë të gjitha, po a nuk ju duket pak e çuditshme, që në vend se ta bëjë vetë hapjen dhe publikimin e dosjes, ku akuzohet se gjendet në rolin e spiunit të shokëve, Ilir Meta apo Metaj akuzon e shantazhon Autoritetin e Dosjeve, kryetaren e të cilit siç e thamë e ka zgjedhur vetë?! Mua shumë.
Po fakti që në vend se ta mbështesë kërkesën e Autoritetit, për të ndryshuar ligjin që pengon hapjen e dosjeve të politikanëve të cilët janë verifikuar partizançe nga komisioni Mezini a Bezhani, Ilir Meta apo Metaj i hakërrehet kryetares së Kuvendit, me gjuhën e trashur si nga një hall i papritur, a nuk ju bën përshtypje?! Mua po.
Mos flasim pastaj për qëndrimin e mediave, në këtë vend ku liria e informimit dhe e fjalës na qenkan vërtetë të penguara, por ama jo në favor të regjimit, i cili po përpiqet të njollosë një trim tribun të vegjëlisë, po për të fshehur pas perdes së censurës dhe tymit të llafeve rreth oxhaqeve mediatike, historinë e një spiuni me inicialet I.M! Mua s’më çudit hiçasfare kjo, po ju?!
Ajo shprehja popullore, “Bërtet hajduti kapeni hajdutin!”, mishëron krejt eksperiencën e psikologut popull me fajtorët që kthehen në fajësues. Me kriminelët që sillen si viktima. Me tradhëtarët që pozojnë si patriotë. Me mëkatarët që flasin si inkuizitorë. Me dhunuesit që ankohen si të dhunuar. Me kusarët që hiqen si të ndershëm. Me të përdalat që aktrojnë si virgjëresha. Me plehrat që bëjnë si lule mos më prek.
Por sigurisht, kjo historia e shpifur e njeriut me iniciale I.M, nuk mund të jetë dhe nuk do ta lejojmë të bëhet si bishti i skiles, ku ca thonë e lagu ca thonë s’e lagu e çudia tre ditë zgjat. Jo! Këtë histori nuk i takon politikës ta ndajë, po vetëm Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Politika thjesht duhet të verë në dispozicion të atij Autoriteti mjetin e kërkuar ligjor, duke votuar në Kuvend ndryshimet e kërkuara nga vetë Autoriteti. Me ato ndryshime i hapet rruga një hetimi të plotë mbi aktivitetin e bashkëpunëtorit me inicialet I.M në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Dhe kjo duhet jo vetëm për këtë bashkëpunëtor, po edhe për të tjerë me iniciale të tjera, të cilët deri më sot e kanë fshehur identitetin e tyre, pas klauzolës së privilegjit që u ka krijuar kontrolli kaotik e politik i viteve ’90. Nga ana tjetër po, patjetër, Kuvendi duhet të diskutojë mbi idenë e hedhur që edhe spiunët e Sigurimit të kthehen në subjekte të Ligjit për Pastërtinë e Figurës së të Zgjedhurve (i quajtur ndryshe Ligji i Dekriminalizimit).
Historia e kësaj thele mbi bishtin e gjatë e të neveritshëm të Sigurimit të Shtetit është sa befasuese dhe e trishtë në shëmtinë e saj, aq edhe motivuese për një reagim konstruktiv ndaj të shkuarës, përmes institucioneve të shtetit demokratik.
Mbase pak e gjatë për ditë të shtune, po kaq deri në shtator për këtë temë.