Prishja e pazareve ndërmjet tyre ka çuar në përplasje mes figurave të dyshimta të shoqërisë shqiptare të cilët fatkeqsisht kanë në dorë drejtimin e Shqipërisë si dhe “informimin” dhe “edukimin “e shqiptarëve. Rasti i shumëpërfolur i momentit përplasja mes Drejtorit të Doganave Gent Gazheli dhe biznesmenit të mediave Irfan Hysenbelliut ka treguar se nëse cënohet sado pak mardhënia e interesit nxirren “kthetrat” dhe sulmohet kundërshtari me të gjitha mjetet që posedon. Dyshja e momentit duket se janë prishur ndërmjet tyre pasi Gazheli i ka vendosur një gjobë kompanisë së Hysenbelliut “Birra Tirana” duke qenë se ka fshehur të ardhurat në një shumë të konsiderueshme. Veprimi nga instucioni që drejton Gazheli është për tu duartrokitur nëse pas tij nuk fshihet ndoshta një prishje pazaresh mes palëve, pasi është pak e pabesueshme që dalja në këtë konkuzion të ketë zgjatur kaq shumë, sidomos duke njohur të kaluarën e bizneseve të Hysenbelliut. Kujtojmë se Hysenbelliu ndonëse shitet si një biznesmen mjaft i suksesshëm, pasi në letra është pronar i disa mediave të mëdha në vend si News 24, Ballkanweb dhe Panorama të cilat i përdor për të shantazhuar funksionarët apo biznesmenët në favor të bizneseve të tjera të tij. I tillë ishte dhe sulmi ndaj Gazhelit ku mediat e Hysenbelliut publikuan një seri shkrimesh ndaj Gazhelit ku publikoheshin skandalet e tij si drejtues i një nga institucioneve më të rëndësishme të vendit që është Drejtoria e Doganave. Balkanweb i shiti këto shkrime si investigime përpara publikut, por në fakt ato ishin thjesht një gjobvënie ndaj Gazhelit ose thënë ndryshe kthim me të njejtën monedhë ndaj gjobës që iu vu “Birra Tiranës”. Qëllimi i medias është të bëjë “watchdog-un” e 4 pushteteve të tjera dhe këto publikime do të ishin vërtet të vlefshme nëse pas nuk do të kishin prapaskenën e hakmarrjeve personale. Kjo tregon se këto “pseudomedia” kanë informacione në lidhje me afera korruptive, skandale, shpërdorime detyre të funksionarëve publikë apo institucioneve publike, por thjeshtë i ruajnë këto informacione për të pasur një “as nën mëngë” në rast nevoje apo në një rast sulmi nga këto institucione. Kjo stategji e përdorur nga Irfan Hysenbelliu nuk është e panjohur për këtë të fundit, pasi edhe më herët ky i fundit ka shfrytëzuar aksesin në editorialin e medias ku është pronar dhe ka sulmuar funksionarët. Në fakt duket se biznesmeni ka një lidhje dashuri-urrejtje ndaj institucionit të Tatimeve dhe atij të Doganave, pasi edhe më herët sulmet nga mediat e tij kanë qenë të vrullshme kur bizneset e tjera të tij merrnin gjoba me të drejtë. Kujtojmë se gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, Irfan Hysenbelliu sulmonte ish-ministrin e atëhershëm Ritvan Bode. Arsyeja? Sepse Tatimet po ushtronin kontrolle. Një sulm më vonë me ardhjen e Rilindjes në pushtet, të ish-drejtoreshës së Tatimeve, Brisida Shehaj. Arsyeja? Po e njëjtë sepse tatimet po cënonin bizneset e tij. Në ktë vend të çudirave bizneset e oligarkëve nuk mund të cënohen, sepse prishet balanca, prishet rrjeshti, por pse jo të bëjmë pak “show” mediatik apo të testojmë njëherë fuqinë e njëri-tjetrit. Ndërkohë aktualisht mediat e Hysenbelliut kanë përfituar qindra miliona lekë nga afera korruptive e inceneratorëve, në formën e reklamave, por përsëri superbiznesmeni mbetet në borxhe. Janë të paktën 300 mijë euro në vit, paguar nga inceneratorët, për mediat e Irfanit dhe familjarëve të tij. Ndërkohë edhe pushtetarët nuk janë ëngjëj, madje janë djajt që i ushqejnë këto lloj situatash, pasi janë ato që e kanë në dorë drejtimin e shtetit, vendosjen e rregullit apo zbatimin e ligjit. Por në këtë vend këto janë dhe ligji dhe Maliqi, prandaj ndodhin të tilla situata të cilat shiten si superskandale nga të dyja palët, por ku bie kusuri? Te konsumatori si gjithmonë. Është popullata e thjeshtë, e cila i vuan të gjitha pasojat e aferave korruptive, mospasjes së drejtësisë, korrupsionit, oligarkisë e kështu me rradhë.Por një gjë të mirë e kanë këto situata, iu hapin sytë qytetarëve të kuptojnë se çfarë qeverie dhe çfarë mediaje duhet të zgjedhin. Në lidhje me këtë rast politika është përfshirë menjëherë, pasi ka pasur reagime nga të gjitha palët. Rama normalisht doli në mbrojtje të zyrtarit të tij, por kjo nuk i pëlqeu medias që denoncoi skandalin e Gent Gazhelit dhe iu hodh në sulm kryeministrit. Ndërkohë po kjo media përkrahu deputetin e LSI Petrit Vasili, sepse ishte në të njejtin kah me të. Ku është raportimi i paanshëm dhe i balancuar këtu? Nuk ka, sepse kështu i intereson pronarit. Gjatë këtyre kohëve të fundit ka pasur shumë skandale të aferave korruptive apo të shpërdorimit të detyres siç ishte dhe rasti i Gazhelit, por koha ka treguar që derisa paraja përmbush zinxhirin “mbetet mes nesh” çfarëdolloj gjëje, por nëse ky zinxhir prishet, “të kam armik të përbetuar”. Ndërkohë kujtojmë dhe se Gazheli ka qenë për një periudhë kohore ambasador dhe ka pasur në dorë pak vite më parë fatin Alvisit të vogël, i cili ishte marrë nga e ëma, e cila i ishte bashkuar ISIS dhe qëndronte në kampet e Sirisë duke u lutur për shpëtim. Gent Gazheli i kishte premtuar se nuk do e linte në kampet e Sirisë vogëlushin, por në fund thjesht nuk iu përgjigj telefonatave të gazetarit italian duke mos bërë asgjë për t’i shpëtuar jetën Alvinit. Ishte pikerisht gazetari i “Le Iene” ai i cili shprehu publikisht zhgënjimin me ambasadorin Gazheli.
“Jam i zhgënjyer, ambasadori shqiptar na dha fjalën që do të zgjidhte gjithçka. Duke qenë se Alvini nuk ka letra italiane, shteti ynë nuk bën dot asgjë për të”, u shpreh asokohe gazetari italian.
Kjo shpjegon se e vetmja gjë që ka vlerë për këto kategori është paraja dhe përmbushja e egos së tyre, qytetari nuk është pjesë e listës së tyre.