Më 11 maj, sipas kontratave, pritej të vinin turistët e parë nordikë pas një mungese dyvjeçare në vendin tonë.
Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, shprehet se gjithsesi pala shqiptare po nxiti tur-operatorët e huaj të shtynin ardhjen, me shpresën se do të ketë rritje të numrit të rezervimeve, si dhe do të përfundojë rruga dytësore e Golemit, në të cilën aktualisht po kryhen punime.
Sipas Kasës, situata në Ukrainë ka dhënë një lloj frenimi te rezervimet dhe agjencitë partnere të huaja po shesin me ritme më të ulëta.
Pak kohë më parë, ju kërkuat nga qeveria që të shihte një mënyrë për të ndihmuar industrinë e turizmit, në kushtet kur çmimet në disa segmente, si energjia apo ushqimet, janë rritur ndjeshëm dhe paketat janë shitur në një moment kur çmimet kanë qenë shumë më të ulëta. A ka pasur ndonjë reagim?
Për të qenë të sinqertë, nuk ka pasur asnjë lloj reagimi për atë që kemi kërkuar. Jemi në prag të sezonit turistik veror dhe bizneset e turizmit po përballen me probleme të shumta, për shkak të rritjes së kostove, të cilat janë bërë të papërballueshme.
Po hyjmë në një sezon që nuk e dimë sesi do të përfundojë, strukturat akomoduese dhe tur-operatorët janë të shqetësuar pasi nuk janë të sigurt për atë çka ofron ky sezon dhe sesi do ta përballojnë. Shumica e atyre që kanë shitur kontrata me garanci nuk dinë nëse do të jenë me humbje në këtë sezon, apo do të dalin aty-aty, pa asnjë fitim.
Sipas kontratave që keni nënshkruar, cilët janë të parët që do të vijnë këtë vit në sezonin veror në vendin tonë, me turizëm të organizuar?
Nordikët janë të parët që parashikojmë të vijnë në Shqipëri për sezonin veror, me turizëm të organizuar. Bashkëpunëtorët tanë fillimisht nisën shumë mirë me shitjet dhe interesin për Shqipërinë, por për shkak të konfliktit në Ukrainë, ritmi nuk është më i njëjtë.
Në një kohë si kjo, ka një lloj perceptimi risku te qytetari dhe automatikisht është frenuar. Kufizimet ligjore që së fundmi u hoqën nga Komiteti Teknik shpresojmë të jenë një lloj stimuli për më shumë interes për Shqipërinë.
Kur është data paraprake që keni rënë dakord për ardhjen e nordikëve?
Data zyrtare me dokumente që ne kemi ishte 11 maji, por kjo u shty pak. Edhe ne vetë, në fakt, i nxitëm që ta shtynin për dy arsye.
Së pari, që të rigjallërohen disi shitjet, pasi në këtë kohë, edhe ata kanë pak shitje. Me marrëveshje e kemi që të vijnë 4 chartera në javë dhe gjysma e tyre janë të plotësuar, për shkak të atij frenimi që fola.
Së dyti, i nxisim ta shtyjnë pak ardhjen, pasi shohim që në Golem, të paktën aty ku do qëndrojnë turistët, po kryhen punime në rrugën dytësore. Gjendja e kësaj rruge është e keqe dhe mendoj se do të mbarojë nga gjysma e qershorit. Ndërkohë turistët do të vijnë një muaj më parë, sipas marrëveshjeve.
Autobusët e turistëve do të detyrohen të kalojnë në këtë rrugë ku po kryhen punime, me gropa dhe pluhur. Do të krijohet trafik dhe mjetet do të presin në radhë për të hyrë, pasi njëra anë është e mbyllur. Sado ironike të duket kjo, është një problem i madh, pasi grupet e para të turistëve janë shumë të rëndësishëm për ne.
Ata janë “ambasadorët” e parë që kthehen në vendin e tyre dhe nxisin të njohurit e tyre për të ardhur ose jo në Shqipëri. Për të mos folur pastaj për efektin që kanë rrjetet sociale. Turistët janë të ndjeshëm ndaj problematikave dhe kanë tendencën t’i postojnë duke krijuar një imazh që jep efektin e kundërt të asaj që duam të kemi.
Polakët mbeten një grup tjetër i rëndësishëm për turizmin e organizuar. Si duket situata, duke qenë se janë një vend kufitar me Ukrainën?
Polakët gjithashtu kanë ndalur rezervimet dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me faktin që siç e thatë dhe ju, janë vend kufitar i afërt. Është një efekt i pritshëm dhe mbetet për t’u parë sesi do të vijojë situata.
Po turet kulturore, si paraqiten këtë vit, a ka pasur interes?
Po, ture kulturore ka, por nuk janë masive. Gjermanët kanë interes për ture kulturore, ndërkohë që një trend ishte vendosur dhe me izraelitët, por ai ndali.
Arsyeja, sikurse e komunikuam më herët në një deklaratë tonën si Union, ishte se linja ajrore që i sillte vendosi të largohej. Isiair-it iu ofruan subvencione nga Beogradi dhe Mali i Zi dhe kështu hoqi dorë nga Shqipëria për të çuar fluturimet që funksiononin si charter në këto dy vende.
Nga statistikat e tre muajve të parë të këtij viti vihet re një rënie e numrit të vizitorëve nga Kosova. Cilat janë arsyet, sipas jush, dhe si e parashikoni turizmin patriotik këtë vit, duke pasur parasysh që në pandemi ishte mbështetja kryesore?
Mendoj se së pari ka ndikuar rritja e çmimeve. Është shtrenjtuar kostoja e jetesës, por janë rritur edhe çmimet për rezervimet. Pastaj ka dhe faktorë të tjerë që mund të kenë ndikuar në këtë rënie, si moti i keq, muaji i Ramazanit, kufizimet për shkak të pandemisë që ishin në fuqi.
Si e shihni Shqipërinë në raport me vendet fqinje sa i takon konkurrencës?
Po me Malin e Zi mendoj se do të jemi konkurrues, pra kemi mundësi ta konkurrojmë. Kurse Greqia është një vend me industri të konsoliduar dhe nuk mendoj se mund ta konkurrojmë.
E rëndësishme është që të ketë një lloj qetësimi të situatës së përgjithshme që ka shkaktuar lufta në Ukrainë, gjë që do të na garantonte padyshim më shumë rezervime.
Marrë nga: Monitor