Alqi Bllako po përballet ashpër me drejtësinë, ku SPAK i kërkoi dje Kuvendit që të hapë rrugën për arrestimin e tij.
Por nuk vonoi shumë dhe Bllako dha dorëheqje nga mandati i deputetit, duke thënë se nuk i nevojitet kjo mburojë për të provuar pafajësinë.
Pra, në një kohë që SPAK-u kërkoi ta arrestojë në lidhje me dosjen e incerenatorëve, deputeti e bëri punën më të lehtë, pasi u ”vetëdorëzua” dhe Kuvendi nuk do të votojë për mandatin e tij.
Ndërkohë që ashtu sikurse qeveria e ka për “traditë”, nuk kishte si të mungonte një qëndrim indiferent dhe distancues nga disa nga zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste në lidhje me fatin kritik të Bllakos përballë drejtësisë.
Dje ishtë Taulant Balla ai që u shpreh se PS nuk është zyrë avokatorë për askënd që vendoset në përballje me drejtësinë.
Ndërkohë që ditën e sotme ka ardhur një reagim nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja që shprehet se çështja penale e deputetit të PS Alqi Bllako për të cilin SPAK kërkon arrestimin është individuale dhe Partia Socialiste nuk pengon punën e drejtësisë.
“Në fakt pyetja ka të bëjë me çështjet e drejtësisë dhe qëndrimi i qeverisë dhe Partisë Socialiste ka qenë i qartë. Çështjet e drejtësisë janë çështjet e drejtësisë. Inkurajojmë drejtësinë për të kryer hetime të shpejta dhe objektive. Ne kemi ndërmarrë një nga kryereformave të këtyre 30 viteve dhe kemi qenë të bindur kur e kemi marrë këtë Reformë në Drejtësi. Qëndrimi ynë është i qartë, çështjet e drejtësisë janë çështje të drejtësië. Kushdo që shkel ligjin çështjet penale janë individuale”, tha ministri Manja.
Kujtojmë që Partia Socialiste është treguar e “zgjuar” duke lënë edhe figura të tjera të rëndësishme të strukturës së saj “në baltë” kur ata kanë pasur problematika me drejtësinë.
Mund të themi se Saimir Tahiri është “kurbani” më i madh që PS bëri për hir të fasadës në mbështetje të drejtësisë.
Dikur një nga personat më të rëndësishëm për kryeministrin Rama, ish-ministri i Brendshëm u la “jetim” nga partia kur abuzimet e tij, në kohën që mbante postin, filluan të evidentoheshin dhe hetoheshin nga drejtësisa.
Rama duke iu drejtuar Tahirit nuk i ka kursyer as epitetet, “dru i shtrembër” dhe “vemje”.
“S’besoj se ka nevojë të them këtu, pse do të ishte zhgënjimi më i rëndë në kujtesën time dhe mësimi më i hidhur i jetës sime në shërbimin publik, nëse do të zbuloja në fund të kësaj historie se Saimir Tahiri nuk është ai që unë njoh, që e kanë besuar e mbështetur me gjithsej, pas meje, kaq shumë njerëz, po një vemje, e cila e turpëron fjalën njeri!” është shprehur ndër të tjera Rama.
Në maj të vitit 2018, Saimir Tahiri dorëzon “vullnetarisht” mandatin e deputetit dhe në reagimin e tij të parë pas dorëheqjes së Tahirit, Rama u duk i qetë. Ai tha se “ky ishte një akt dinjitoz” se ai “nuk kishte gisht”, “nuk e kishte ditur më herët”, “nuk ia kishin kërkuar ndërkombëtarët” dhe se “kjo nuk kishte lidhje me hapjen e negociatave”.
Por të tjerë zyrtarë të rëndësishëm, janë “divorcuar” automatikisht më Partinë Socialiste në momentin kur strukturat përkatëse të drejtësisë i kanë përballur ata me faktet e abuzimit dhe shpërdorimit të detyrës.
Lefter Koka, tashmë është në burg për çështjen e inceneratorëve, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Gjithashtu arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka, kryeministrit Edi Rama nuk i bëri përshtypje.
Kjo sepse sipas tij investimi për inceneratorin e Elbasanit është aty për qytetarët dhe së dyti sepse ky është një tregues i qartë që Reforma në Drejtësi funksionon.
“ Ne nuk e kemi udhëhequr dhe nuk e mbështesim pa kushte Reformën në Drejtësi, si palë politike po si forcë udhëheqëse politike e morale e shqiptareve pa dallim, kështu që për mua e për Partine Socialiste mbetet e pandryshuar vija e kuqe e ditës së pare në detyrë: Cilidoqoftë, pa dallim partie duhet të përballet vetë me drejtësinë! Dhe cilindoqoftë nder ne, që merret si i pandehur nga organet e pavarura të drejtësisë, duhet të ballafaqohet me drejtësinë bashke me avokatin e vet, sepse Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt prej nesh dhe deri në vendimin përfundimtar gjyqësor, askush nder ne që ka punë me drejtësinë nuk mund të jetë pjese e familjes sonë politike”, u shpreh Rama.
Gjthashtu gjatë dëshmisë së tij në komisionin hetimor të incineratorëve kryeministrie quajti revolucion mjedisor që i ka dhënë frymëmarrje Tiranës, Fierit e Elbasanit projektet e incineratorëve. Pranoi se ka punuar me ministrin Koka për këto projekte por tha se nuk mban përgjegjësi për ato çfarë janë bërë skutave të errëta.
Fatos Tushe kryebashkiaku i Lushnjes u arrestua korrikun e vitit të kaluar pasi akuzohet për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” për korrupsion nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK. Po ashtu Gjykata e Posaçme vendosi masen “arrest shtëpie” për ish-zëvendës ministren e Punëve të Brendshme Rovena Voda. Ajo akuzohet për veprën penale ‘ushtrim ndikimi të paligjshëm’. Sipas SPAK, Voda akuzohet se ka marrë përfitime nga shtetasit Florida Beu dhe Majlinda Hasani kundrejt emërimeve të tyre në detyrë.
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Ballaka folur edhe për arrestimet e ish-kryebashkiakut Tushe dhe ish-zv.ministres Voda.
Balla tha se qeveria mbështet reformën në drejtësi e cila do të godasë këdo që shkel ligjin dhe se PS ka vendosur një standart dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për asnjë person që ka hesape me drejtësinë.
“Fatos Tushe nuk është më pjesë e PS. Ka detyrimin ligjor të bëjë një betejë të tijën ligjore dhe ndërkohë që edhe zonja në fjalë (Voda). Sepse këtë standard e kemi vendosur prej shumë kohësh. PS nuk mban asnjë përgjegjësi për çdo person që këtë hesap e ka personal me drejtësinë”, tha ndër të tjera Balla.
Gjithashtu të tjerë perosna që janë hedhur direct poshtë nga PS në momentet e tyra më të vështira të karrierës politike, kanë qenë edhe Valdrin Pjetri dhe Arben Ndoka.
Valdrin Pjetri fitoi drejtimin e Bashkisë së Shkodrës në një garë pa kandidatë, por nuk u ul dot në karrigen e të parit të kryeqendrës së veriut.
Zbulimi i fshehjes së një hetimi dhe dënimi në 2003 në Itali për trafik droge, pas denoncimit të bërë nga selia blu pak javë pas fitores së tij në zgjedhjet vendore, nxiti prokurorinë të nisë hetimin për falsifikim të dokumenteve. Në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, Valdrin Pjetri nuk i kishte deklaruar këto fakte në KQZ para kandidimit.
Ndërkohë që ish deputeti Arben Ndoka akuzohet për falsifikimi të dokumenteve, vulave, stampave ose i formularëve, shpërdorimi i tokës në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash në zonën bregdetare në qarkun e Lezhës.
Spiropali tha se PS mban përgjegjësi vetëm për ata individë që veprojnë nën logon e PS, ndërsa largoi përgjegjësitë për të shkuarën e këtyre personave që anëtarësohen më pas në PS.
“Përgjegjësia është individuale. Ne nuk shtyjmë dot në fall, që të zbulojmë se individë të caktuar janë kapur me drogë në moshën 20 vjeçare”, u shpreh Spiropali.
Me bindje të forta socialiste, në deklaratat e tij publike, Pjetri përmend shpesh herë shprehjen: Socialist lind, nuk bëhesh! Por edhe me devotshmërinë dhe bindjet e tij të majta, duket se PS-ja ia ka mbyllur dyert deri në momentin që Pjetri të vërtetojë pastërtinë e tij.
Dhe natyrshëm lind pyetja: Për cilat çështje mban përgjegjësi qeveria?!
Siç qartazi duket tashmë po bien në rrjetën e drejtësisë ato që quhen “peshqit” e vegjël të politikës, por nuk duhet të harrojmë se piramidat shemben nga poshtë.
Shumë shpejt kjo përgjegjësi që qeveria e delegon, do të vijë lart duke tronditur baza të forta./Gazeta Reforma