Fabrikat bërthamore dhe ato të gazit natyror mund të konsiderohen si “energji e gjelbër”, sipas planeve të reja që janë prezantuar nga Bashkimi Evropian.
Komisioni Evropian ka thënë se ka vendosur që të dyja llojet e energjisë të klasifikohen si “investime të qëndrueshme”, nëse plotësojnë disa kushte.
Mirëpo ky vendim ka ndarë BE-në, pasi planet janë kundërshtuar ashpër nga disa anëtarë. Kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë se “energjia bërthamore, as nuk është e gjelbër, as nuk është e qëndrueshme”.
“Nuk e kuptoj këtë vendim të BE-së”, ka thënë ai. Austria tashmë ka kërcënuar me marrjen e veprimeve ligjore nëse planet ecin përpara.
Luksemburgu ka thënë po ashtu se do të bashkohet në veprimet ligjore kundër Komisionit Evropian. Vetë BE-ja ka synim që të bëhet neutrale në aspektin klimatik deri më 2050.
Komisioni Evropian beson që për të arritur aty, duhet të ketë investime të mëdha private.
Spanja po ashtu ka kundërshtuar ashpër këtë ide, për të cilën është diskutuar me muaj, para se të propozohet të mërkurën.
Megjithatë, kundërshtimet janë balancuar nga mbështetja e shteteve që përdorin energjinë bërthamore sikurse Franca.
Energjia bërthamore emeton më pak karbon mirëpo përbën shqetësime tjera për sigurinë dhe kërkon asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme.
Klasifikimi i gazit natyror si “i qëndrueshëm” mbështetet nga ata që argumentojnë se disa shtete që varen nga thëngjilli për energji – sikurse Polonia – do të mund të përfitonin nga stimujt për të kaluar në energji më të pastër.
Gjermania, shtet i fuqishëm në politikat e bllokut evropian, varet nga gazi për një pjesë të energjisë së saj, ndonëse ministri i saj për Ambienti, Steffi Lemke, ka kritikuar planet e bllokut./REL