Ligji aktual për fondet private të pensioneve i takon një kohe kur këto fonde ishin në fazën embrionale të zhvillimit dhe kishin përmasa të papërfillshme. Në vitet e fundit, tregu po rritet me ritme të shpejta, por përmasat e tij në numër anëtarësh dhe në vlerë të aseteve ngelen ende të vogla. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka propozuar një projektligj të ri, që tenton t’i bëjë më tërheqëse fondet e pensioneve private, si nëpërmjet shtimit të lehtësive tatimore, ashtu edhe zgjerimit të spektrit të investimeve të lejuara
Ersuin Shehu
Me një popullsi në tkurrje dhe në plakje, pensionet janë një nga sfidat më të mëdha sociale dhe ekonomike për Shqipërinë në afatin e gjatë. Pensionet private janë një nga alternativat që mendohet se mund të lehtësojnë barrën e skemës publike, në një afat të gjatë, por që në Shqipëri ende mbeten në përmasa shumë të vogla.
Statistikat tregojnë se numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është vetëm 33 mijë, ndërsa totali i aseteve neto të fondeve private të pensionit vetëm 35 milionë euro. Aktualisht, numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është sa 4.2% e atyre që paguajnë kontribute në skemën e detyrueshme shtetërore dhe afërsisht sa 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve (bazuar në Anketën e Forcave të Punës).
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur një projektligj të ri, që synon t’i bëjë investimet për një pension privat në pleqëri më tërheqëse. AMF propozon rritjen e përjashtimit nga taksat, si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve, ndërsa kërkon që pensionet të mos tatohen as në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi.
Lehtësitë tatimore, çfarë ndryshon projektligji
Për të nxitur investimet e punëmarrësve (por edhe të punëdhënësve të tyre) në fonde të pensioneve private, ligji aktual parashikon incentiva fiskale, në formën e përjashtimit të kontributeve nga tatimi mbi të ardhurat personale. Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi, pra përpara se të llogaritet tatimi mbi të ardhurat.
Kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250 mijë lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas projektligjit të propozuar nga AMF, kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore, do të jetë deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi. Konkretisht, sot përjashtimi nga tatimi do të shtrihej deri në një shumë kontributesh prej 30 mijë lekësh në muaj.
Sipas burimeve nga tregu, kjo formulë është propozuar nga drejtuesit e shoqërive administruese dhe është pranuar nga AMF. Nëse propozimi i AMF miratohet, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte në 360 mijë lekë në vit, ose 80% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh (Për personat mbi 50 vjeç përjashtimi shkon në 44% më shumë krahasuar me kufirin aktual).
Sipas ligjit aktual, kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit. Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me 250 mijë lekë dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i zbritshëm, për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit.
Projektligji i ri propozon që, edhe për kontributet e punëdhënësit, vlera e njohur si shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin të bazohet në pagën minimale. Me vlerën në fuqi të pagës minimale, përjashtimi nga tatimi për kontributet e punëdhënësit do të arrinte në 360 mijë lekë në vit, ose 44% më shumë krahasuar me nivelin maksimal që njeh ligji aktual.
Duke mbledhur kontributet e punëdhënësit dhe atij të punëmarrësit, projektligji parashikon një përjashtim tatimor mbi kontributet e një individi, sa dy paga minimale, shumë që aktualisht përkthehet në 60 mijë lekë në muaj, ose 720 mijë lekë në vit.
Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese. Ky përjashtim ruhet edhe në projektligjin e ri.
Propozimi, pensioni privat të tatohet vetëm për kthimin nga investimi
Mbështetur në nenin 90 të ligjit në fuqi, çdo pagesë e marrë nga anëtari i fondit të pensionit, tatohet me tatimin mbi të ardhurat personale.
Sot, një pension privat në përfitim tatohet me 15%, njëlloj si çdo e ardhur tjetër e individit. Sipas projektligjit që propozon AMF, përfitimet e marra nga anëtari i fondit të pensionit duhet të tatohen me normën në fuqi për tatimin mbi të ardhurat personale vetëm për kthimin nga investimi, por jo për vlerën e kontributeve.
Nëse Kuvendi do ta miratojë propozimin, ky do të ishte një zhvillim shumë i rëndësishëm për të incentivuar rritjen e kontributit të qytetarëve për një pension privat. Megjithatë, duhet thënë se AMF e ka propozuar edhe në të shkuarën një ndryshim të tillë në ligj, por pa marrë dot miratimin e Ministrisë e Financave dhe Këshillit të Ministrave.
Ligji përcakton se kontribuuesi mund t’i tërheqë asetet e veta pesë vite para se të mbushë moshën e daljes në pension, sipas legjislacionit në fuqi, kur bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme. Në rastin kur kontribuuesi humbet jetën, asetet u transferohen trashëgimtarëve ligjorë.
Dispozitat e lidhura me përfitimin e pensionit janë të ngjashme edhe në projektligjin e propozuar. Në momentin kur i lind e drejta për të tërhequr asetet në llogarinë e tij, anëtari i fondit të pensionit mund të zgjedhë t’i tërheqë në mënyrë të menjëhershme, ose me pagesa periodike mujore.
Projektligji i propozuar nga AMF reflekton, për herë të parë, drejtpërsëdrejti edhe alternativën që anëtari i fondit të pensionit gëzon të drejtën e përdorimit të vlerës neto të aseteve në llogarinë e tij, apo të një pjese të saj për blerjen e një kontrate të sigurimit të jetës në formë “të përvitshme”, të lëshuar nga një shoqëri e sigurimit të jetës. Kjo alternativë ekziston edhe me legjislacionin aktual, por me ndryshimin e vetëm që është e rregulluar me akte nënligjore.
Nëse anëtari i fondit të pensionit vendos të blejë një kontratë të sigurimit të jetës në formë “të përvitshme” nga një shoqëri sigurimi jete, vlera neto në llogarinë e anëtarit të fondit do të transferohet te shoqëria e sigurimit të jetës, sipas opsionit të zgjedhur nga anëtari i fondit. Më tej, pagesa e pensionit kryhet nga shoqëria e sigurimit të jetës.
Një çështje që adresohet në mënyrë të ngjashme në projektligj është ajo që lidhet me penalitetin e tërheqjes së parakohshme nga fondi i pensionit. Sipas ligjit aktual, vlera e penalitetit rregullohet me akte nënligjore të miratuar nga AMF.
Rregullorja “Për penalitetet e tërheqjes” parashikon penalitetet të përshkallëzuara, në varësi të kohës së tërheqjes në raport me fillimin e derdhjes së kontributeve. Penalitetet fillojnë nga 2% dhe mund të arrijnë deri në 20%, për tërheqjet e aseteve brenda pesë viteve të para të derdhjes së kontributeve.
Fillimisht, u propozua që në projektligjin e ri penaliteti të vendosej në masën e tatimit mbi të ardhurat personale, por në një moment të dytë, propozimi u rikthye në formën e parashikuar nga ligji aktual, që penalitetet të përcaktohen me akte nënligjore.
Risia, fondet me pjesëmarrje të mbyllur
Projektligji i përgatitur nga AMF, sjell për herë të parë edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur. Fondi i këtij lloji mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit.
Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aplikohen aktualisht nga disa kompani (dhe ngelen një alternativë edhe me projektligjin e ri), por ndryshimi është se në fondet e mbyllura, pjesëmarrja është ligjërisht e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.
Në mënyrë më specifike, projektligji parashikon se anëtarë të fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur mund të jenë punëmarrësit e një punëdhënësi, i cili në cilësinë e sponsorit krijon një fond me pjesëmarrje të mbyllur, përfshirë edhe ish-punëmarrësit e atij punëdhënësi; anëtarët e një sindikate që sponsorizon një fond me pjesëmarrje të mbyllur, duke përfshirë ish-anëtarët e asaj sindikate; anëtarët e një shoqate të profesioneve të pavarura, ose shoqatat profesionale që sponsorizojnë një fond me pjesëmarrje të mbyllur, përfshirë ish-anëtarët e atyre shoqatave dhe personat e vetëpunësuar të organizuar në formë shoqate, apo organizate.
Fondi me pjesëmarrje të mbyllur krijohet me një minimum prej 100 anëtarësh. Sipas projektligjit, anëtarësia në një fond me pjesëmarrje të mbyllur nuk duhet të kufizohet për punëmarrës të caktuar dhe duhet t’u ofrohet të gjithë punëmarrësve, pa bërë dallime trajtimi midis
punëmarrësve në fond. Nga ana tjetër, asnjë punëmarrës nuk mund të detyrohet të marrë pjesë, apo të vazhdojë të marrë pjesë në fondin me pjesëmarrje të mbyllur dhe pa miratimin me shkrim të tij nuk mund të bëhet asnjë zbritje nga paga për kontributet në fondin e pensionit.
Anëtari mund të ndërpresë, të zvogëlojë ose të rrisë kontributet individuale në çdo kohë. Këto parashikime zbatohen edhe nga punëdhënësi, që zgjedh fondin me pjesëmarrje të hapur. Punëdhënësi mund të përcaktojë një periudhë përpara se punëmarrësit t’i lindë e drejta për të përfituar kontributet e derdhura nga punëdhënësi në favor të tij.
Periudha e pritjes, si dhe periudha përpara se punëmarrësit t’i njihet e drejta e përfitimit të kontributeve të paguara nga punëdhënësi, nuk mund të jetë më e gjatë se tre vite të marra së bashku. Në këtë pikë, disa prej shoqërive administruese të fondeve kërkojnë një politikë më të shtrënguar, sidomos për pjesën e kontributeve që paguhen nga punëdhënësit.
Ata kërkojnë që kushtet e tërheqjes së këtyre kontributeve të përcaktohen në kontratën mes punëdhënësit e punëmarrësit. Ata argumentojnë se e drejta e punëmarrësve për t’i tërhequr në çdo kohë kontributet e punëdhënësit (qoftë edhe me penalitete) e vështirëson promovimin e këtyre skemave te bizneset.
Në rastet kur anëtari i një fondi të mbyllur ndërpret marrëdhënien e punës me sponsorin (punëdhënësin) që ka krijuar fondin me pjesëmarrje të mbyllur, projektligji i njeh atij të drejtën që të ruajë cilësinë e anëtarit të fondit, edhe pa kontribuar, deri në momentin e lindjes së të drejtës për pension, ose të transferojë vlerën e aseteve në llogarinë personale te një fond pensioni tjetër, qoftë me pjesëmarrje të hapur, apo të mbyllur.
Ulet komisioni maksimal i administrimit
Mes risive të tjera që sjell ligji i ri, është ulja e komisionit maksimal vjetor të administrimit të fondeve nga shoqëria administruese. Sipas ligjit në fuqi, kjo tarifë mund të jetë maksimalisht sa 3% e vlerës neto të aseteve. Me projektligjin e ri, niveli tavan propozohet të ulet në 2.5%. Sidoqoftë, aktualisht të gjithë shoqëritë administruese në treg aplikojnë komisione në intervalin midis 1.5% dhe 2.5%, ndaj projektligji nuk pritet të ketë ndikime direkte mbi nivelet faktike.
Një komision më i ulët për shoqërinë administruese ndikon në norma më të larta kthimi për anëtarët e fondit të pensionit. Ndërkohë, komisioni për lëvizjen e aseteve nga një fond drejt një tjetri propozohet të jetë maksimalisht 0.5%, po aq sa në ligjin aktual.
Fondet mund të investojnë edhe në obligacione me ofertë private
Projektligji i ri sjell ndryshime në rregullimin e investimeve të lejuara të fondeve të pensionit. Ligji ekzistues përcakton kryesisht investimet që janë shprehimisht të palejuara, ndërsa investimet e lejuara dhe kufijtë e ekspozimit detajohen me një rregullore të posaçme në AMF.
Drafti i propozuar nga AMF parashikon që investimet e lejuara të përcaktohen në përmbajtjen e ligjit dhe spektri i tyre është zgjeruar ndjeshëm krahasuar me rregulloren aktuale. Sipas projektligjit, fondet e pensioneve mund të investojnë jo vetëm në tituj të qeverisë, por edhe në tituj të transferueshëm ose instrumente të tregut të parasë, të emetuara në Republikën e Shqipërisë dhe të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar.
Kufiri bazë i ekspozimit te një emetues i vetëm parashikohet deri në 5% të aseteve neto të shoqërisë. Megjithatë, ekspozimi mund të arrijë deri në 30%, nëse titujt e transferueshëm, ose instrumentet e tregut të parasë emetohen, ose garantohen nga qeveria qendrore e një vendi anëtar i OECD. Ndërkohë, për instrumentet e emetuara, apo të garantuara nga qeveria shqiptare nuk parashikohen kufizime dhe ato mund të arrijnë deri në 100% të vlerës së aseteve neto, ashtu siç parashikon edhe ligji aktual.
Projektligji u lejon fondeve të investojnë edhe në tituj borxhi të emetuara nga bankat, edhe nëse ato nuk janë të pranuara për tregtim në një treg të rregulluar. Ky parashikim ka një rëndësi më të madhe në stadin aktual të zhvillimit të tregut shqiptar, sepse do t’iu mundësonte fondeve të investonin në obligacione me ofertë private.
Obligacionet me ofertë private emetohen në Shqipëri prej afërsisht një dekade, kryesisht nga bankat dhe institucionet e tjera financiare. Fondet e pensioneve dhe të investimeve kanë shfaqur interes të investojnë në këto obligacione, por kuadri ligjor aktual nuk e lejonte një gjë të tillë. Megjithatë, vlera e këtyre investimeve nuk mund të jetë më e lartë se 5% e aseteve neto të fondit të pensionit, ndërsa për ekspozimin tek një bankë e vetme emetuese, ligji parashikon një kufi prej 2%.
Projektligji, megjithatë, përcakton kufizime të lidhura me konfliktin e interesit, për rastet kur banka emetuese e obligacioneve mund të jetë njëkohësisht aksionere e shoqërisë administruese të fondit. Sipas nenit 23 të projektligjit, shoqëria administruese nuk duhet të investojë asetet e fondit të pensionit në tituj, ose instrumente të tregut të parasë të emetuara nga shoqëria administruese, ose çdo aksioner i shoqërisë administruese, depozitari i fondit të pensionit, ose çdo person apo entitet i lidhur me subjektet e mësipërme.
Projektligji parashikon që fondet e pensionit të investojnë në aksione të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me ofertë publike dhe në kuota të sipërmarrjeve të investimeve kolektive me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike, me kusht që këto sipërmarrje të mos administrohen nga e njëjta shoqëri e cila administron fondin e Pensionit.
Rriten lehtë kërkesat për kapital ndaj shoqërive administruese
Në projektligj propozohen rritje të lehta në nivelet minimale të kapitalit të kërkuar për shoqëritë administruese të pensioneve. Nga 15.65 milionë lekë të parashikuara në ligjin aktual, kapitali minimal i kërkuar rritet në 15.8 milionë lekë.
Në rast se aktivet në administrim kalojnë vlerën e 31.6 miliardë lekëve, kapitali minimal duhet të rritet me 0.02% të shumës që tejkalon këtë vlerë. Sidoqoftë, projektligji parashikon një vlerë tavan të kapitalit të kërkuar, në shumën 1.3 miliardë lekë. Me ligjin aktual, vlera e aktiveve sipër së cilës kërkohet kapital shtesë është 31.25 miliardë lekë, ndërsa kapitali maksimal që i kërkohet shoqërisë administruese është 1.25 miliardë lekë.
Nga ana tjetër, projektligji përcakton një kuadër shumë më të detajuar për kriteret e licencimit dhe mënyrën e organizimit të shoqërive administruese të fondeve të pensionit, përfshirë këtu sistemet e administrimit të rrezikut, parandalimin e konfliktit të interesit, etj.
Gjithashtu, projektligji parashikon edhe mundësinë për transferimin vullnetar të një fondi pensioni nga një shoqëri administruese te tjetra. Një veprim i tillë duhet të miratohet paraprakisht me AMF. Shoqëria që transferon administrimin e fondit, informon anëtarët e fondit lidhur me transferimin, tre muaj përpara implementimit.
Gjatë kësaj periudhe nuk zbatohet asnjë komision transferimi për tërheqjen e aseteve nga fondi, në mënyrë që anëtarët, të cilët nuk dëshirojnë t’iu transferohen asetet te një shoqëri administruese të kenë mundësinë t’i tërheqin ato. Projektligji parashikon edhe mundësinë e transferimit të detyruar të fondit, në rastet kur shoqërisë që e administron i hiqet licenca, ose kur ndaj saj hapen procedurat e falimentit apo të likuidimit.
Ndërkohë, projektligji i ri lehtëson ndjeshëm masën e sanksioneve dhe penaliteteve të parashikuara ndaj shoqërive administruese dhe administratorëve të tyre. Nëse me ligjin aktual parashikohen gjoba deri në 10 milionë lekë, madje edhe ndjekje penale për personat përgjegjës, projektligji i kufizon gjobat më të rënda deri në vlerën e 3 milionë lekëve.
Pensionet private arrijnë në afro 33 mijë kontribuues
Numri i kontribuuesve në fondet e pensioneve private po i afrohet shifrës 33 mijë. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri i kontribuuesve në fund të muajit shtator 2021 arriti në 32 932, me rritje prej 6.16% që nga fillimi i vitit. Gjatë vitit 2021, këtyre fondeve iu janë shtuar më shumë se 1900 kontribuues. Për sa i takon vlerës së aseteve neto, ritmet e rritjes paraqiten edhe më të larta. Vlera e tyre, në fund të muajit shtator të këtij viti, arriti në 4.28 miliardë lekë, ose rreth 35 milionë euro, në rritje me 18.9% që nga fillimi i këtij viti.
Në pjesën dërrmuese, asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara në obligacione të qeverisë shqiptare. Tregu i pensioneve private në Shqipëri është një treg ende i ri dhe zgjerimi i mirëfilltë i fondeve nisi vetëm një dekadë më parë, pas hyrjes së investitorëve me përvojë nga tregu bankar dhe ai i sigurimeve.
Me gjithë ritmet e shpejta të rritjes në vitet e fundit, përmasa e tregut në vlerë ngelet mjaft e ulët në vlerë absolute dhe e papërfillshme kundrejt madhësisë totale të sektorit financiar në vend. Gjithashtu, asetet mesatare neto për çdo anëtar janë ende në nivele shumë të ulëta, me rreth
Në një masë të madhe, këto fonde po nxiten nga skemat e pensioneve të ndërmarrjeve private, që ofrohen në formën e benefiteve për punonjësit. Skemat funksionojnë nëpërmjet kontributeve të derdhura nga punëdhënësit, në favor të punëmarrësve ose nëpërmjet kontributit të përbashkët.
Sipas të dhënave nga AMF, deri në fund të vitit të kaluar, rreth 56% e numrit të përgjithshëm të anëtarëve janë të përfshirë në plane individuale të pensionit vullnetar, ndërsa rreth 44% e tyre në plane profesionale të krijuara nga punëdhënësit për punonjësit e tyre.
Në treg aktualisht veprojnë katër fonde të pensioneve private. Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 55.1% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 27.1%, Raiffeisen Pension me 9.6% dhe Albsig Pension me 8.2%. Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 43.9% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 30.2%, Raiffeisen Pension me 22.9% dhe Albsig Pension me 3%./ Monitor