Martesa në shoqërinë tonë shqiptare është një temë sociale delikate që gjithkush e percepton sipas mënyrës së tij. Për disa martesa në moshë të re është e mire, ndërsa për disa të tjerë shpesh mund të sjellë pasoja. Lidhur me këtë çështje ka folur sociologu, Gëzim Tushe, i cili thotë se qytetarët shqiptarë nuk e kanë adaptuar ende kulturën e ndarjes, madje as kulturën e martesës.
Gëzim Tushi:
Ndarja është një proces që duhet administruar nga gratë dhe burrat. Dy trupa përveç se dashurisë nuk mund t’i mbajë asgjë të bashkuar. Dhe nëse nuk ka më dashuri atëherë ndarja është zgjidhje, është shpëtim, është emancipim. Çështja është se ne duhet të kemi kulturën e ndarjes, ashtu siç duhet të kemi dhe kulturën e martesës. Një pjesë të rinjve martohen tepër shpejtë. Nuk mund të marrësh vendime ne periudhën e adoleshencës, sepse në atë periudhë të rinjtë kanë tundime të forta të seksualitetit. Kur shikon vetëm këtë anë dhe të duket që do martohesh dhe do hysh në parajsën seksuale dhe do bësh seks natë e ditë. Këto janë utopira, që menjëherë sjellin zhgënjime. T’i mësojmë të rinjtë se nuk hymë në martesë për të bërë seks. Martesa është institucion, i cili e ka shumë të rëndësishëm seksualitetin. Ne divorcet i kemi të dhunshme, i kemi logori. Krijohet një gjendje e tmerrshme neverie.