Janë një sërë rishikimesh fiskale që kanë hyrë në fuqi nga 1 janari apo pritet të zbatohen në gjysmën e dytë të vitit. Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi dhe heqjen e disa përjashtimeve fiskale për bizneset, në linjë me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Pavarësisht premtimeve të qeverisë për mosndryshime fiskale dhe kërkesave të biznesit për të pasur një qëndrueshmëri të akteve të miratuara, edhe viti 2022 nuk u shpëtoi rishikimeve ligjore.
Dhoma Amerikane tha më herët se qeveria ka thyer angazhimin publik për një paketë fiskale të qëndrueshme, me ndërhyrje të paktën një herë në katër vjet.
Ndryshon tatimi mbi pagat nga 1 korriku
Nga data 1 korrik hyn në fuqi Tabela e re për tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi. Sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin për të ardhurat, u miratua, rritja e pagës dysheme të patatueshme (me tatim zero %), për të ardhurat nga paga në intervalin nga 0 (zero) deri në 40,000 lekë/muaj, përkundrejt intervalit 0 (zero) deri 30 000 lekë/muaj që është aktualisht.
Ndërkohë, për pagat deri në 50 mijë lekë, përgjysmohet tatimi për të ardhurat për fashën nga 30 deri në 50 mijë lekë, që sot është 13%.
Do të rritet edhe kufiri mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në 200 mijë lekë, nga 150 mijë lekë që është sot.
Në relacionin e projektligjit thuhet se tatimpaguesit që përfitojnë nga rritja e tavanit të patatueshëm janë rreth 71,500 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 7,800 lekë për tatimpagues/vit ose rreth 557 milionë lekë/vit për të gjithë tatimpaguesit.
Nga përgjysmimi i normës tatimore për pagat nga 40,000 deri në 50,000 lekë përfitojnë rreth 5,900 tatimpagues dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit ose në total 135 milionë lekë për të gjithë tatimpaguesit.
Nga zbatimi i ndryshimeve ligjore rezulton që efekti negativ në buxhetin të shtetit të jetë prej -1.37 miliardë lekë në vit, ndërsa sa i takon vitit 2022, duke qenë se ky parashikim nis të zbatohet në korrik të vitit 2022, efekti negativ për vitin 2022 parashikohet të jetë -685 milionë lekë.
Kujdes nëse keni dy paga, do të paguani TAP shtesë në fund
Ashtu si vitin e kaluar, të gjithë të dypunësuarit, që gjatë vitit 2021 kanë pasur dy punë, pavarësisht shumës që janë paguar në secilën prej tyre, do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2021, deri më 30 prill 2022.
Kjo do të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm një herë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).
Ligji ka hyrë në fuqi në janar 2020 dhe deklarimi u bë për herë të parë për pagat e 2020-s (duhet të bëhej deri në fund të prillit 2021, por u shty deri në korrik 2021) kur individët do të duhet më pas të derdhnin në bankë tatimin shtesë.
Tatimet kanë bërë të ditur nga lista e dypunësuarve që duhet të deklaronin DIVA 2020, numri i deklaruesve është 38,983. Në total, pagesa me bankë për “Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave” (DIVA) nga lista e të dy punësuarve është rreth 460 milionë lekë, ose rreth 3.7 milionë euro.
Ndryshimet në ligjin për TVSH-në
Ndryshimet në ligjin për TVSH-në kishin dhe reagimet më të shumta nga shoqatat e biznesit, që i kundërshtuan me forcë, por qeveria nuk u tërhoq.
Në ligjin për TVSH-në u hoq përjashtimi nga TVSh-ja i inputeve bujqësore duke u zëvendësuar me vendosjen e një shkalle të reduktuar të TVSH-së në masën 10%.
Sipas variantit të miratuar në Kuvend, Në nenin 49 pas pikës 9 shtohet pika 10 me këtë përmbajtje:
“10. Shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e inputeve bujqësore, ku përfshihen plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, me përjashtim të hormoneve të klasifikuara në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, është 10%. Lista e kategorive të inputeve bujqësore, sipas këtij neni, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
U miratua dhe heqja e TVSH-së 6% të kreditueshme për sektorin bujqësor, që u kundërshtua ashpër, sidomos nga industria e përpunimit të qumështit. Është premtuar skemë rimbursimi për të kompensuar këtë ulje, por që ende nuk është bërë publike.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj pohoi gjatë diskutimeve në Komisionet parlamentare se heqjet e përjashtimeve të sektorit do të zëvendësohen me skema subvencionuese direkte për fermerin. Ibrahimaj shtoi se për 2022, fondi për subvencionet e fermerëve është 3,2 mld lekë.
“Me skemën e TVSH-së, 6% subvenciononim grumbulluesin, kurse tani do të subvencionohet direkt fermeri. Skema e subvencionimit do të bazohet te autofatura me TVSH zero për vlerën e mallit që do të lëshojnë fermerët. Fondi për subvencionet e fermerit është 1,4 mld lekë më shumë se 2021. Në ndihmë të fermerëve do të jetë edhe fondi 200 mln lekë për mbështetjen e investimeve e reja”, tha Ibrahimaj.
Një tjetër ndryshim parashikon përjashtimin nga TVSH-ja makineritë e importit për investime deri në 500 mln lekë nga 50 mln lekë që ishte deri tani. Ky ndryshim ishte në linjë me sugjerimet e FMN-së për heqjen e përjashtimeve fiskale, pasi krijojnë evasion.
Projektligji për taksat kombëtare, lehtësohen jahtet
U miratua vendosja e taksës kombëtare për qumështin pluhur (100 lekë/kg), për hirrë qumështi (150 lekë/litër), për pijet e homogjenizuara (16 lekë/litër) dhe për krem qumështi (150 lekë/ litër), taksave këto të vendosura me fokus sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
U vendos taksa në masën 40 lekë/litër për lëndën djegëse të përdorur si karburant për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi. Masa e propozuar fillimisht ishte 65 lekë për litër, por në variantin final të miratuar në Kuvend u reduktua në 40 lekë.
Projektligji i akcizave
U vendos si afat maksimal i zbatimit të politikës së rimbursimit për industrinë prodhuese, data 31 dhjetor 2023. Projektligji i qeverisë propozonte shfuqizimin e shkronjës (d) të nenit 14 “Rimbursimi”, nëpërmjet të cilit synohet “heqja e rimbursimit për lëndët djegëse të konsumuara në serrat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë (farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto).”
Dhoma Amerikane vuri në dukje efektin e dukshëm negativ që ka akciza, si një prej taksave indirekte në procesin e prodhimit të çimentos, sa i takon konkurrueshmërisë së këtij produkti vendas dhe potencialit të kësaj industrie për eksport.
Nisur nga situata aktuale e krizës energjetike, u vendos që aplikimi i unifikimit të çmimit të gazit me 6 lekë/litër për të gjithë përdoruesit të fillojë të aplikohet nga 1 korriku 2022.
Një tjetër ndryshim parashikon që akciza e llogaritur indeksohet çdo dy vjet në masën e normës zyrtare të inflacionit për dy vitet paraardhëse shpallur nga INSTAT-i, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij për të cilat akciza aplikohet sipas kalendarit specifik të përcaktuar. Ky ndryshim pritet të reflektohet në rritjen e çmimeve të karburanteve e produkteve të tjera që paguajnë akcizë. /Monitor.al