Gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Ervin Trashi u shkarkua nga detyra më 12 nëntor, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti se kishte kryer deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme për pasurinë dhe figurën.
Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se Trashi u gjet me balancë negative prej 5.9 milionë lekësh, ndërsa ngrihen gjithashtu dyshime për fshehjen e posedimit të një automjeti. Trashi u vlerësua i papërshtatshëm dhe për pastërtinë figures, pasi nuk ka deklaruar një procedim penal për korrupsion të regjistruar në ngarkim të tij.
Komisioni evidenton se ka pasur raste kur subjekti nuk ka dhënë përgjigje apo të ketë dorëzuar dokumente lidhur me disa prej gjetjeve të hetimit administrativ, si dhe ka mbajtur qëndrime të paqarta dhe kontradiktore në përpjekjet e tij për të kundërshtuar gjetjet.
Mungesat financiare
Komisioni konsaton mospërputhje të çmimit të një apartamenti të deklaruar nga Trashi me atë të pasqyruar në kontratën e porosisë; pamundësi të vëllait të tij për t’i dhënë hua 1.8 milionë lekë për pagesën e një kredie që kishte shërbyer si burim për banesën; si dhe për shlyerjen e kësaj vlere nga subjekti në vitet e pretenduara prej tij.
Sipas KPK-së, çmimi i blerjes së apartamentit në Vlorë është deklaruar në shumën 27 mijë euro në 2008-ën kur është porositur, ndërsa në vitin 2012 kur është kryer blerja dhe në atë veting është deklaruar 24 mijë euro.
Subjekti ka pretenduar se vlera reale e paguar ka qenë 24 mijë euro, pasi nga pala shitëse nuk janë përmbushur të gjitha kërkesat e dakordësura më parë, por Komisioni nuk është bindur dhe ka vlerësuar të konsiderojë si shpenzim për këtë pasuri shumën 27 mijë euro.
“Pretendimet e subjektit të rivlerësimit për ndryshimin e çmimit mbeten në nivel deklarativ dhe të pakonfirmuara në kohë reale me dokumentacion në asnjë formë apo mënyrë,” konstaton trupi gjykues.
Po ashtu, evidentohet se subjekti nuk ka pasqyruar burimet e kësaj pasurive në asnjë prej deklaratave periodike dhe as në atë “veting”. Megjithëse Komisioni vëren se Trashi ka marrë një kredi 20 mijë euro për shlyerjen e pjesës më të madhe të çmimit të apartamentit, ai ka rezultuar në pamundësi për të justifikuar pjesën tjetër prej 7000 eurosh.
Për arsye të mosjustifikimit të burimeve të ligjshme të shumës 7000 euro, mosdeklarimi i burimit të apartamentit është çmuar prej KPK si pasaktësi me peshë me peshë specifike dhe është konsideruar si pamjaftueshmëri në deklarime.
Po ashtu, ka rezultuar se vëllai i gjyqtarit Trashi nuk ka pasur burime të ligjshme për dhënien e huasë 1.8 milionë lekë në vitin 2011me afat 10 vjeçar dhe pa interes, shumë që ka shërbyer për shlyerjen e kredisë. Në vendim thuhet se kontrata e huamarrjes nuk ka qenë noteriale dhe kalimi i shumës nuk është kryer nëpërmjet sistemit bankar. Nisur nga balanca negative, shuma 1.8 milionë lekë nuk është konsideruar si burim për shlyerjen e kredisë.
Po ashtu, gjyqtari Trashi ka rezultuar me balanca negative për vitet 2011, 2012 dhe 2015 dhe për rrjedhojë në pamundësi pr të shlyer huanë e marrë nga vëllai G.T..
Në përfundim të analizës për këtë pasuri, KPK konkludon se veç deklarimeve të pasakta, Trashi nuk ka justifikuar me të ardhura të ligjshme investimin total prej 27 mijë euro të apartamentit, si dhe nuk ka arritur të provojë shlyerjen e kredisë.
Si shkak për shkarkim është konsideruar dhe mungesa financiare për blerjen e një automjeti tip Benz, si dhe dyshimet e ngritura se subjekti mund ta kishte disponuar këtë makinë disa vite para se të nënshkruante aktin noterial.
Në deklaratën “veting”, subjekti ka pasqyruar blerjen e automjetit tip “Mercedes-Benz” në vitin 2016, kundrejt shumës 600 mijë lekë, por nuk ka shënuar burimin e krijimit, si dhe nuk ka identifikuar targat. Megjithëse ILDKPKI nuk ka konstatuar probleme për këtë pasuri, Komisioni ka konstatuar se subjekti e ka përdorur këtë mjet prej vitit 2012.
Nga hetimi ka rezultuar se më 7 shtator 2012, makina është blerë nga shtetasi A.M. për shumën 10,330 euro, i cili ka paguar dhe 343 mijë lekë për zhdoganimin. Pas 10 ditësh A.M. ia ka shitur këtë mjet bashkëshortit të tezes së gjyqtarit Trashi, shtetasit Z.B., për shumën totale 600 mijë lekë.
Ndërkohë, vetëm dy ditë pasi automjeti është regjistruar në pronësi të të afërmit të subjektit, makina është pajisur me sigurim të detyrueshëm, ku ka figuruar si i siguruar gjyqtari Trashi. Një muaj më vonë, bashkëshorti i tezes ka nënshkruar deklaratë noteriale për dhënien në përdorim të mjetit në favor të subjektit të rivlerësimit.
Në shkurt të vitit 2016, mjeti i është shitur shtetasit A.L. për 800 mijë lekë, i cili megjithëse e ka regjistruar në emrin e tij, në policën e sigurimit ka figuruar subjekti i rivlerësimit. Dy javë pasi ka blerë mjetin, A.L. ka emëruar si përfaqësues të posaçëm subjektin, duke i dhënë të drejta të plota, qoftë dhe për ta shitur këtë makinë.
Në vijim, në dhjetor të 2016-ës, A. L. i ka shitur subjektit Ervin Trashi automjetin në çmimin 600 mijë lekë, shumë e cila sipas subjektit është paguar cash.
“…vërtetohet se subjekti e ka përdorur automjetin, objekt shqyrtimi, menjëherë pasi blerësi i parë Z. B. e ka regjistruar automjetin në emër të tij në datën 26.9.2012, e në vijimësi, menjëherë pasi blerësi i dytë A. L. e ka blerë automjetin në datën 5.2.2016, deri në momentin që këtë automjet e ka blerë vetë nga shtetasi A. L. në datën 27.12.2016”, vëren KPK dhe i ka konsideruar dy pronarët e mëparshëm të mjetit si persona të tjerë të lidhur.
Nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se kur mjeti ishte në pronësi të Z.B., ai ka përdorur tjetër makinë për të udhëtuar jashtë shtetit, ndërsa Benz-i është përdorur nga subjekti.
“Pavarësisht se subjekti e ka blerë dhe deklaruar automjetin në vitin 2016 me çmimin 600.000 lekë, gjatë hetimit administrativ u administruan prova e fakte, sipas të cilave subjekti është sjellë si pronar i mjetit që në vitin 2012, duke krijuar dyshime të forta se është blerë prej tij gjatë këtij viti në çmimin 13.000 euro,” konstaton KPKdhe vëren se nuk është provuar mundësia e bashkëshortit të tezes për ta blerë makinën në vitin 2012.
KPK ngre dyshime se subjekti është përpjekur të fshehë posedimin e mjetit për katër vjet, por analizën financiare përfundimtare e kryer sipas pretendimeve të tij, bazuar dhe në jurisprudencën e KPA, duke u konsideruar si shpenzim shuma 600 mijë lekë e përcaktuar në kontratën e shitjes, prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 433 mijë lekë.
Komisioni konstaton deklarim të pamjaftueshëm edhe lidhur me ndërtimin e një pjese të një shtëpie banimi me tre kate në Lushnjë, në pronësi të babait të subjektit. Trashi ka deklaruar se kjo shtëpi është ndërtuar para vitit 2006, por nga hetimi është konkuduar se deri në atë periudhë ishin ndërtuar vetëm dy katet e para, ndërsa papafingo është ndërtuar në vjijim dhe ka rezultuar pamundësi financiare për shtimin e këtij kati.
Në analizën financiare të përgjithshme, deklarimet cash janë përllogaritur si gjendje të disponuara në fund të vitit dhe jo si shtesa. Ndërkohë, janë konsideruar një pjesë e pretendimeve për të ardhurat nga bujqësia duke ulur shpenzimet jetike të anëtarëve të familjes.
Megjithatë, balanca negative për gjithë periudhën e rivlerësimit është reduktuar pjesërisht duke mbetur në vlerë të konsiderueshme edhe pas rishikimeve të analizës – nga 7.7 milionë lekë që ka rezultuar nga hetimi paraprak në 5.9 milionë lekë.
Procedimi për korrupsion
Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar papërshtatshmërinë e gjyqtarit Ervin Trashi, pasi nuk ka deklaruar një procedim penal të regjistruar në ngarkim të tij për veprën penale “korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Subjekti ka preteduar se në formularin për kontrollin e figurës është përgjigjur në mënyrë korrekte, pasi sipas tij asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në veprimtari që lidhen me krimin e organizuar. Ai ka theksuar se ish-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka vendosur të pushohen hetimet e procedimit penal, pasi nuk ka rezultuar asnjë provë ndaj tij.
Duke iu referuar ligjit për vetingun e magjistratëve, KPK vëren se parashikohet që personi do të konsiderohet i përfshirë në krimin e organizuar edhe në rastin kur procedimi penal i filluar ndaj tij pushohet nga organi procedues, me përjashtim të rastit kur është deklaruar i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Për rrjedhojë, është konsideruar se subjekti nuk ka plotësuar në mënyrë të saktë dhe me vërtetësi deklaratën për kontrollin e figurës që çmohet se është shkak për shkarkimin e tij, së bashku me pamjaftueshmërinë në deklarime në lidhje me kriterin pasuror. /BIRN/