Në dhjetor 2019, një grup pacientësh në Wuhan, Kinë, filluan të përjetojnë një pneumoni të panjohur, e cila më vonë u identifikua si COVID-19.
Ky virus u përhap me shpejtësi në të gjithë globin, duke arritur shifrën e 227 milionë infektimeve të cilat rezultuan në më shumë se pesë milionë humbje jetësh.
Që atëherë, përparimet kundër SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, kanë ardhur me një ritëm relativisht të shpejtë: një seri vaksinash efektive u zhvilluan brenda një viti, shumë më shpejt se kohëzgjatja mesatare prej katër apo edhe dhjetë vitesh që mund të duhen zakonisht. Ndërkohë, Pfizer sapo ka marrë autorizimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave për pilulën antivirale COVID, Paxlovid, e cila, sipas gjigandit farmaceutik, mund të ulë rrezikun e shtrimit në spital ose të vdekjes nga COVID-19 deri në 89%.
Ekspertët e sëmundjeve infektive kanë zbuluar shumë nga të panjohurat e COVID-19 dhe tani mund të identifikojnë shpejt mutacionet, si për shembull ato që gjenden në variantet Delta dhe Omicron.
Por, dy vjet më vonë, ndërsa SHBA e ka kaluar shifrën e 800,000 humbje jetësh nga COVID, si dhe ka pasur dhjetëra milionë të infektuar e të shtruar në spital, shkencëtarët janë ende në përpjekje për t’iu përgjigjur disa prej pyetjeve të mëdha.
Pse disa njerëz sëmuren më shumë se të tjerët, duke përfshirë pasojat afatgjatë të COVID-it.
Dihet se virusi shkakton simptoma që variojnë nga dhimbje koke, ethe dhe çorientim deri te të përziera dhe të vjella, madje edhe humbje të shijes ose nuhatjes. Ndërsa shkencëtarët vazhdojnë të studiojnë se cilët persona kanë më shumë gjasa të preken nga këto simptoma, atyre ende u mungojnë përgjigjet se pse disa njerëz kalojnë një sëmundje serioze dhe të tjerët jo.
Mosha është padyshim korrelacioni më i madh për të kaluar një sëmundje më të rëndë, tha për CNET Gigi Gronvall, studiuese e lartë në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore. “Por ka pasur edhe 29-vjeçarë që kanë vdekur, edhe fëmijë që kanë vdekur, kur të gjitha indikacionet tregojnë se ata duhet të kishin pasur thjesht disa simptoma të lehta të sëmundjes”.
Shkencëtarët po përpiqen gjithashtu të studiojnë “COVID-in afatgjatë” – një sërë simptomash që mund të vazhdojnë për javë apo edhe muaj të tërë pas periudhës fillestare kur një pacient infektohet. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nxjerrë një përkufizim që përfshin një seri simptomash afatgjata – duke përfshirë lodhjen, probleme me frymëmarrjen, pagjumësinë, vështirësinë në fokusim, ankthin dhe depresionin – dhe lista vazhdon të ndryshojë. Megjithatë, shkaku i kësaj gjendjeje pas infektimit me COVID nuk dihet qartë.
“Pas dy vjetësh, ne nuk kuptojmë shumëҫka për COVID-in afatgjatë dhe nuk e dimë sa dominues është ai në variantin Omicron, pas marrjes së vaksinës,” shkroi të mërkurën në Twitter Bob Wachter, kryetar i departamentit të mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko. “Kjo mbetet një vështirësi për miliona njerëz dhe një shqetësim i vazhdueshëm për mua teksa mendoj për mundësinë e infektimit qoftë edhe me një rast ‘të lehtë’ të Omicron.”
Ndërsa disa simptoma të përgjithshme, si humbja e nuhatjes dhe e shijes, kanë më pak gjasa të shfaqen në variantin Omicron, Gronvall tha, “ne thjesht nuk e dimë nëse njerëzit me këtë variant do të vuajnë nga pasojat afatgjatë të COVID. Nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme për të arritur në një konkluzion për këtë.”
Sa do të zgjasë imuniteti nga vaksinat për variantet si Omicron
Vaksinat e para COVID-19 filluan të përdoreshin një vit më parë në SHBA dhe ato dy më efektivet në SHBA – nga Moderna dhe Pfizer/BioNTech – ndërmorën një qasje unike: përdorimi i ARN-së Messenger (mRNA) për t’i mësuar qelizave tona se si të prodhojnë një proteinë që do të shkaktonte një përgjigje imunitare ndaj virusit.
Megjithëse shkencëtarët i kanë studiuar vaksinat mRNA “për shumë dekada”, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), kjo shënon herën e parë që ato janë vënë në dispozicion të publikut. Shkencëtarët vazhdojnë të mbledhin informacione se sa efektive janë ato dhe pas sa kohësh ky efektivitet fillon të bjerë.
“Ne jemi ende duke e studiuar këtë,” tha Gronvall. “Po vëmë re që mbrojtja reduktohet para përfundimit të gjashtë muajve, prandaj rekomandohet që dozat përforcuese të merren në muajin e gjashtë.”
Ndërsa shfaqen variante të reja që përhapen shumë shpejt, ashtu si Omicron, ajo shtoi, “nëse doza përforcuese do të jetë e mjaftueshme për një periudhë të gjatë kohore apo jo, kjo është diçka që mbetet për t’u zbuluar.”
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat Pfizer dhe Moderna janë shumë më pak efektive në parandalimin e infektimit nga varianti Omicron krahasuar me variantet e mëparshme të COVID-19. Vaksinat e tjera – duke përfshirë ato nga Johnson & Johnson, AstraZeneca dhe ato të prodhuara në Rusi dhe Kinë – janë akoma më pak efektive në parandalimin e infektimit nga varianti Omicron, raportoi The New York Times.
Megjithatë, individët e vaksinuar plotësisht kanë shumë më pak gjasa të përjetojnë simptoma të rënda, shtrimin në spital dhe humbjen e jetës, sipas Fakultetit të Mjekësisë të Harvardit, veçanërisht nëse marrin edhe një dozë përforcuese.
“Rasti kur vaksinat nuk janë efektive, nuk është skenari më i keq i mundshëm,” tha Gronvall. “Në skenarët laboratorikë, ne kemi vënë re se vaksinat ofrojnë më pak mbrojtje. Kjo duket se do të provohet në realitet, por ende nuk mund të bëjmë projeksione për botën reale.”
Sa variante të rrezikshme do të ketë, të tilla si Delta dhe Omicron
Viruset vazhdimisht pësojnë mutacione. Ndonjëherë, këto mutacione rezultojnë në variante të reja sëmundjesh që shfaqen shpejt dhe më pas zhduken, sipas CDC. Ka edhe raste kur ato vazhdojnë të ekzistojnë dhe rrisin shkallën e infektimeve dhe të sëmundjes. Përgjatë dy viteve, COVID ka pësuar pesë mutacione të përcaktuara si “variante shqetësuese” nga OBSH, bazuar në ashpërsinë e sëmundjes, efektivitetin e kundërmasave mjekësore dhe aftësinë e variantit për t’u përhapur nga njëri person te tjetri.
Variantet Alfa, Beta dhe Gama u ulën të gjitha në shkallën e “varianteve në monitorim” në muajin shtator, ndërkohë që Delta dhe Omicron vazhdojnë të konsiderohen variante shqetësuese. Këtë javë, zyrtarët federalë të shëndetësisë e shpallën Omicron si variantin dominues në SHBA, pasi ai përbën gati tre të katërtat e infektimeve të reja. Studimet paraprake tregojnë se sëmundja e shkaktuar nga Omicron mund të jetë më pak e rëndë se ajo e Deltas, e cila kishte dyfishin e shkallës së shtrimeve në spital krahasuar me variantin origjinal Alfa, por Omicron mbetet gjithashtu shumë më ngjitës se Delta.
Zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë se sa më shumë të zgjasë pandemia dhe sa më shumë grupime të mëdha të mbeten të pavaksinuara, aq më shumë kohë do të ketë virusi të përhapet dhe të pësojë mutacione. Studiuesit mund të identifikojnë shpejt variantet e reja, por atyre u duhet kohë për të kuptuar se sa i rrezikshëm është një variant i ri, pasi duhet të mbledhin të dhënat e shtrimeve në spital dhe të vdekjeve.
“Ne nuk kemi arritur ende të projektojmë me saktësi se ҫfarë ndikimi do të kenë variantet e reja në botën reale,” tha Gronvall. “Kemi mjete më të mira për të lexuar materialin gjenetik dhe për të përcaktuar nëse është shfaqur një variant i ri. Por ne nuk mund t’i lexojmë ato si një libër.”
Nga erdhi COVID-19
Ekspertët nuk janë ende të sigurt se si u shfaq COVID-19. Teoria mbizotëruese është se virusi u përhap nga kafsha te njeriu. Simptomat e para të COVID-19 u raportuan në Wuhan, Kinë, mes njerëzve që punonin ose jetonin pranë Tregut me Shumicë të Ushqimeve të Detit Huanan, një treg i hapur që shiste mish viçi, shpendë, peshk dhe prodhime të freskëta.
Sipas burimeve të shumta, duke përfshirë një studim të qershorit 2021 në Scientific Reports, në këtë treg shiteshin gjithashtu kafshë ekzotike për t’u mbajtur si kafshë shtëpiake ose për konsum, duke përfshirë baldos, iriqë, civeta dhe ferrëgjatë.
Megjithatë, të tjerë pretendojnë se SARS-CoV-2 erdhi nga një laborator, pasi një virus natyral ose i krijuar nga njeriu infektoi një studiues, i cili e përhapi atë te të tjerët. Megjithëse nuk ka pasur prova të qëndrueshme për të mbështetur teorinë e rrjedhjes nga një laborator, ish-presidenti Donald Trump dhe mbështetësit e tij e shtynë këtë teori të origjinës nga një laborator deri në vitin 2020.
“Ka shumë njerëz që e përdorin këtë si mjet për axhenda të tjera,” tha Gronvall. “Dhe sigurisht që kinezët kanë gënjyer.” Zyrtarët qeveritarë fillimisht pohuan se nuk kishte kafshë kontrabandë që shiteshin në treg, shtoi ajo, por studiuesit që po kërkonin për origjinën e një tjetër sëmundjeje të veçantë në këtë treg, fotografuan shumë kafshë të paligjshme atje, “të ngjeshura së bashku në zonat përreth, në kushte të këqija shëndetësore dhe stresi, pak muaj përpara se të identifikoheshin rastet”.
“Njerëzit po kërkojnë të fajësojnë [dikë],” tha Gronvall. “Ata nuk po kërkojnë një shpjegim që është shumë njerëzor dhe i besueshëm. Por nuk ka asnjë virus të identifikuar në laborator që të jetë sadopak i ngjashëm me këtë që u përhap në të gjithë botën.”
Për shkak se qeveria kineze mbylli tregun Huanan dhe zhduku të gjitha provat sapo rastet e COVID filluan të asocioheshin me këtë treg, tha Gronvall, nuk ka gjasa që studiuesit ta gjejnë ndonjëherë kafshën e saktë nga e cila erdhi virusi. “Nuk ishte si SARS-i në vitin 2003, kur civetat e palmës u zbuluan se ishin të gjitha të infektuara dhe kjo gjë ndodhi shumë shpejt,” tha ajo. Për të zbuluar më shumë rreth shfaqjes së COVID-19, këtë verë, Presidenti Joe Biden udhëzoi komunitetin e inteligjencës federale që të “dyfishojë përpjekjet” për të hetuar origjinën e virusit.
Ajo që ne dimë, ndërsa hyjmë në vitin e tretë të kësaj sëmundjeje, është se kemi një seri mjetesh mbrojtëse – duke përfshirë vaksinat dhe pilulat antivirale – që nuk i kishim kur mësuam për herë të parë për COVID-19.