“OTP Bank” ka firmosur një marrëveshje me Alpha International Holdings Single Member S.A. për blerjen e 100% të aksioneve të Alpha Bank.
Çmimi i blerjes është dakordësuar për 55 million Euro. Me pjesë tregu totale pothuajse 5% në asete, Alpha Bank është banka e 8-të më e madhe në tregun bankar shqiptar. Përmbyllja e transaksionit financiar pritet në fund të tremujorit të dytë të vitit 2022, pas marrjes së miratimeve të nevojshme rregullatore.
Ndërkohë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se krijimi i bankave më të mëdha nga procesi i shitblerjeve dhe bashkimeve ndkon në rritjen e konkurrencës në treg.
Gjithashtu sipas Sejkos ofron mundësi për rritje më të madhe të kreditimit. Ai iu kërkoi bankave të përcaktojnë objektiva strategjikë, për të shfryëtzuar sa më mirë potencialet e rritjes së huadhënies.
“Sektori bankar do të vijojë të konsolidohet më tej vitin që vjen, pas blerjes 100% të aksioneve të Alpha Bank sh.a. nga OTP NYRT. Ky zhvillim pritet të sjellë rritje të konkurrencës, veçanërisht ndërmjet aktorëve më të mëdhenj të tregut. Portofoli i kredive mbetet kontribuuesi kryesor në të ardhurat e bilanceve, dhe për të mbajtur pozicion konkurrues, bankat duhet ta ruajnë dhe ta rrisin atë në vazhdimësi. Ndërkohë që tregu ofron mundësi për rritje të kreditimit dhe bankat kanë likuiditet dhe mjaftueshmëri të kapitalit, është e domosdoshme të krijohet një vizion afatgjatë dhe të përcaktohen objektiva strategjikë, të hartuar me kujdes për të shfrytëzuar këtë potencial në afatgjatë, me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme në bankë dhe forcimin e marrëdhënieve me klientët,” tha Sejko.
Duhet përmendur fakti se në llogjikën ekonomike, konsiderimi i blerjes së “Alpha Bank” nga “OTP Bank” si ndikim në rritjen e konkurrueshmërisë në treg, nuk qëndron.
Duke ulur nivelin e aktorëve që operojnë në treg, jo vetëm që nuk nxitet konkurrenca por tregu bankar në Shqipëri shndërrohet në një sistem oligopoli, karakteristika kryesore e së cilit është prania e një numri të kufizuar të prodhuesve në treg.
Me lëvizjet e fundit, shohim që tregu bankar në Shqipëri po dominohet nga bankat e nivelit të dytë siç janë “BKT Bank”, “Raifeisen Bank”, “Intensa Sanpaolo Bank” dhe shumë më tepër tashmë “OTP Bank”.
Nëse këto aktorë të tregut bankarë që operojnë në Shqipëri bien dakord të rrisin çmimet e shërbimeve ose kredive, atehërë do të kishim realisht pasqyrimin e një tregu oligopoli.
Në një oligopol, i cili nuk lind natyrshëm në këtë rast, kompanitë dominuese ndihen mjaft të lira dhe mund të lejojnë të kenë kontroll të plotë mbi çmimet.
Kjo mund të sillte rritjen e kostove të shërbimeve apo normave të interesit për klientët e bankave, pasi midis këtyre të fundit mund të ketë bashkëpunim.
Gjithashtu nëse njëra nga bankat e nivelit të dytë falimenton, rrjedhimisht do të kishte një goditje të fortë ndaj tregut financiar në Shqipëri.
Kujtojmë që në vitin 2018-a dhe gjysmën e parë të vitit 2019 ishte një periudhë e rëndësishme për sistemin bankar, që kaloi një proces intensiv riformatimi. ABI Bank bleu Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG) dhe Intesa Sanpaolo finalizoi përthithjen e Veneto Bank. Në fund të 2018-s, numri i bankave u ul nga 16 në 14.
Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës, i cili ësht institucioni publik i ngarkuar nga ligji për të mbrojtur konkurrencën e lirë dhe efektive në Shqipëri si një e mirë publike, deri më tani nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj kësaj lëvizje në tregun bankar.
Duhet theksuar fakti se me rolin që ka Autoriteti i Konkurrencës, duhet të mbajë përgjegjësi për kanalizimin e sitemit bankar në disa banka të mëdha duke e orientuar tregun drejt oligopolit
Menaxhimi i situatës së rritjes së çmimit të karburanteve, miellit dhe ushqimeve apo edhe të komanive celulare ka treguar se Autoriteti i Konkurrencës nuk reagon siç duhet, duke lënë hapësirë që opinioni publik të mendojë se ai është i kompromentuar.