Papa Françesku ndodhet që prej ditës së djeshme në një vizitë tre-ditore në Qipro.
Papa Françesku ka zhvilluar një takim nën masa të rrepta në stadium, ku të pranishëm ishin rreth 7 mijë besimtarë nga Qipro dhe nga vende të tjera.
“Këtu në Qipro marr frymë pak nga atmosfera tipike e Tokës së Shenjtë ku lashtësia dhe shumëllojshmëria e traditave të krishtera pasurojnë pelegrinin”, ka thënë ai.
Por ky takim është shoqëruar edhe me një incident, fatmirësisht pa pasoja.
Një person është arrestuar nga policia pasi është kapur duke hyrë në stadium me thikë .
“Gjatë kontrollit në hyrje të stadiumit u arrestua një shtetas i huaj 43-vjeç, i cili posedonte një thikë”, tha zyrtari i policisë.
Më vonë autoritetet thanë se kjo nuk kishte lidhje me praninë e Papës në ishull. Dy burime thanë se thika u gjet gjatë kontrollit të sigurisë për mijëra persona që kërkonin të hynin në stadium të premten në mëngjes. Autoritetet kishin marrë masa të rrepta sigurie dhe shumica e të pranishmëve duhej të ishin në vendin e ngjarjes disa orë më parë.
Takimi i parë i Papës Françesku në Qipro, ishte ai me meshtarët dhe rregulltarët e ritit maronit, ndjekur nga shumica e katolikëve të pranishëm në ishull. Ati i Shenjtë dëgjoi dëshmitë e tyre dhe i përshëndeti në katedralen e Zojës së Hireve, në Nikozi, kryeqyteti i ndarë më dysh nga një kufi i patrulluar prej forcave të OKB-së. Që nga viti 1974, nga njëra anë, është Republika e Qipros e njohur botërorisht e nga ana tjetër, pasojë e pushtimit turk, Republika turke e Qipros së Veriut, e cila njihet vetëm nga Turqia.