Edhe pse është thënë shumë herë deri tani, gjithmonë ja vlen të përsëritet se kriza energjetike në Shqipëri mund të ishte shmangur nëse nuk do të kishte keqmenaxhim dhe abuzim me fondet.
Të dhënat që dalin në dritë ditë pas ditë vetëm sa e vërtetojnë këtë. Vetëm një ditë para se të shpallej kriza energjetike, KESH ka shpenzuar 1 milionë euro për blerjen e pajisjeve elektrike. Nuk mbeten pas OSHEE dhe OST që kanë shpallur tenderë më kosto mbi 1.2 milionë euro vetëm për mirëmbajtje software-i, bën me dije Euronews.
Ndërkohë, qeveria ka mërrë vendimin që këto ndërmarrje të pezullojnë shpenzimet e panevojshme në mënyrë që të garantohet energjia elektrike e pandërprerë. Vendimi supozohet të detyronte operatorët që të shtërngojnë shpenzimet, duke qenë se paratë do të nevojiten për të blerë energji elektrike me çmime të konsiderueshme, por duket se askush nuk e ka marrë parasyesh këtë paralajmërim.
Vetëm 4 ditë pasi kryeministri Edi Rama prezantoi edhe tre pikat që sipas tij do të ndihmojnë në përballimin e krizës, dhe pasi u shpall gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, KESH shpenzoi 1 milionë euro për të blerë pajisje elektrike për Hidrocentralin e Komanit. Si për të bërë garë me KESH, në të njëjtën ditë OST shpalli tender për mirëmbajtjen e pajisjeve që menaxhon, jo shumë larg shumës që shpenzoi KESH. 800 mijë euro është shuma që OST kishte menduar të shpenzonte.
Por nuk mund të mbetej pas as OSHEE, që është edhe kompania që ka përgjegjësi direkte për përballimin e krizës. Nga data 1 tetor OSHEE shaplli tenderin për mirëmbajtje software-esh për fiskalizimin e faturave.
Mbetet për t’u parë nëse 200 milionë Euro që qeveria vendosi t-i jepte OSHE-së, do të shpenzohen me tendera të tillë, apo do të shkojnë për përballimin e krizës. Sikur të mos mjaftonin këto, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike Altax e sheh të nevojshme që të rregullojë zyrat pikërisht në këto momente dhe në dispozicion janë vënë rreth 30 mijë euro.