Rritja e çmimeve në vendin tonë është bërë trend dhe nga institucioni rregullues që është Autoriteti i Konkurrencës nuk po shohim asnjë reagim.
AK pas rritjes së çmimit të miellit, bukës dhe medikamenteve të COVID-19 , po lejon së fundmi krijimin e një tjetër tregu monopol duke rritur çmimet e vajrave ushqimor.
Në lidhje me rritjen e çmimit të vajrave ushqimore Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar për herë të fundit në datën 9 prill 2021, me anë të një sqarimi skandaloz. “Autoriteti nuk do ta hetojë rritjen e çmimeve të vajrave, mbasi prej 4 vitesh nuk ka ankesa nga bizneset e konsumatorët”.
Autoriteti i Konkurrencës ka rolin e një rregullatori për të siguruar një konkurrencë të lirë, e cila duhet të zbatojë ligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe konsumatorit.
Një vrojtim i shkurtër në tregje duke nisur nga janari i vitit 2021, për shkak të pazareve të tregut të shumicës, çmimet e vajit janë rritur nga 125 lekë/litri, në 145 lekë, 157 lekë, 169 lekë e 190 lekë/litri para zgjedhjeve; ndërsa pas zgjedhjeve u bë 200-220 lekë/litri e tashmë kanë shkuar në 250 lekë/litri. Rritja e çmimit të vajit “Olim”, “Floriol”, “Bomira” etj., është marrëveshje mes ndërrmarjeve; ndërsa “Konkurrenca”, paçka se e di si abuzim, justifikohet me faktin se nuk po e heton, pasi nuk ka denoncime nga qytetarët.
Mësohet se ne importojmë 71 mijë ton vajra të rafinuar rifuxhio në vit, por paketojnë e hedhin në treg 106 mijë ton. Pra, sot kemi të njëjtët importues e çmime blerjeje në bullgari, madje dhe sasi më të mëdha importi e kosto të njëjta ambalazhi, por kemi një çmim 60% më tepër se janari 2021.
Nga ana tjetër në lidhje me ankesat e qytetarëve, risjellim në vëmendje se edhe ditën e sotme ata u ngritën në protestë përpara kryeministrisë, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës shprehet se nuk ka ankesa nga konsumatorët.
Kujtojmë se AK nuk ka vepruar kur shkelen hapur ligjet dhe subjekte të ndryshme, shpesh edhe në bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe aq më tepër kur rrisin çmimet në mënyrë abuzive. Të njëjtën gjë bëri me rritjen e çmimeve të medikamenteve të COVID-19, ku mori vendimin që të mos i ndëshkonte kompanitë por, ti mbante në monitorim për 1 vit.