Pallati i arkitektit Maks Velo, i njohur së shumti si “Pallati me kuba” do të shpronësohet dhe “të kthehet në identitet”. Kështu deklaroi në 29 shtator ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Bëhet fjalë për një godinë gjashtë katëshe, në udhëkryqin midis rrugës së Dibrës dhe rrugës së Barrikadave, e cila është një godinë e arkitektit Maks Velo”, tha Balluku.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se do të reabilitohet fasada e ndërtesës dhe do të prishen shtesat e paligjshme. Kjo për t’i dhënë mundësinë vizitorëve ta shijojnë godinën siç ka qenë fillimisht.
“Është një vepër arkitekturore që ne e konisderojmë mjaft të rëndësishme dhe që duhet ruajtur”, kishte thënë Balluku.
Por ky nuk ishte shpronësimi i vetëm i miratuar në mbledhjen e qeverisë. Të tjera ishin në unazën lindore të Kavajës, në unazën e Korçës, shpronësimi i një sheshi në fshatin Bogë dhe një pjesë e aksit Tiranë-Elbasan si procedurë e vonuar.
Kujtojmë që pallati gjashtë katësh është projektuar në vitin 1972 nga arkitekti Maks Velo. Për vite të tëra gjatë kohës së diktaturës aty kanë jetuar disa nga figurat më të rëndësishme të kulturës shqiptare. Bëhet fjalë për shkrimtarët Ismail Kadare e Dritëro Agolli si dhe kompozitori Feim Ibrahimi.
Kohët e fundit pallati është veshur nga një murale e artistit Franko Dine. Në të paraqitet një bibliotekë me elemente si një glob, mace e skulpturë dhe foto të dy shkrimtarëve të mëdhenj.
Sipas Citizens Channel, një tjetër vepër e arkitektit Maks velo është planifikuar të shembet sipas vendimit të miratuar nga Instituti i Ndërtimit. Bëhet fjalë për godinën e ish-Agjencisë Telegrafike Shqiptare, e njohur ndryshe si 7-katëshi.
Kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi shembjen e saj në muajin prill, me argumentin e raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit ndaj Bashkisë Tiranë.
Godina është shpallur monument culture i kategroisë së dytë, nga Ministria e Kulturës me vendim nr.122 më 05.03.20077 dhe objekti vazhdon të jetë ende në këtë listë.
Por këto nuk janë të vetmet godina me rëndësi historike e kulturore që shpronësohen në këtë mënyrë, duke lënë të errët atë që i pret në të ardhmen.
Me “Sarajet e Toptanëve”, në qendër të Tiranës u përdor një skemë edhe më tinëzare. Pak kohë më parë atyre iu vu zjarri në mes të natës dhe ende nuk dihet çfarë do të ndodh me ndërtesën.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj nuk vonoi të dilte në një deklaratë ku njoftoi shpronësimin sa më shpejtë të Sarajeve. Kjo me pretendimin se Sarajet do të shpronësohen për t’u kthyer rikonstruktuar dhe për t’u hapur për vizitorët.
Por nuk është i pamundur as shkatërrimi i Sarajeve me të njëjtën skemë që u përdor për Teatrin Kombëtar. Një kullë ku një kat është muze dhe pjesa tjetër e oligarkut që do të marrë truallin.
Mirëpo shpronësimet nuk po ndodhin vetëm në ndërtesa historike. Disa ditë më parë qytetarë të ndryshëm denoncuan në Gazetën Refroma, se si pallatet ku ata jetojnë po shpronësohen dhe do të shemben me pretendimin se janë dëmtuar nga tërmeti. Raportet e paraqitura janë krejtësisht të pavërteta, pasi godinat nuk duket të jenë të dëmtuara dhe të pabanueshme, por ndodhen natyrisht në zona mjaft të lakmuara të kryeqytetit. Lexo këtu
Tashmë Bashkia ka gjetur një mënyrë të re “ligjore”, por dinake për shpronësimet. Duke shfrytëzuar frikën e banorëve nga tërmeti, Bashkia po përdor një mënyrë tjetër për të vazhduar abuzimet e saj që s’kanë fund.