I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, po vazhdon vizitën disaditëshe në Prishtinë prej nga do të shkojë edhe në Beograd, në përpjekje për të caktuar një datë për takimin e radhës ndërmjet palëve në kuadër të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Zoti Lajçak të premten u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa gjatë këtyre ditëve ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë tjerë të institucioneve, partive politike dhe përfaqësues të bizneseve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se zoti Lajçak ka pasur rastin që të kuptojë për së afërmi situatën politike në vend ndërsa tha se ende nuk ka një datë për takimin e radhës me presidentin e Serbisë.
“Nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi samitin në Slloveni midis BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk ka një datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës ndërkohë zëvendëskryeministri im që është përgjegjës për dialog ka pasur takime në Bruksel, ai diskuton hollësitë sidomos të çështjes së të zhdukurve me forcë”, tha ai.
Kryeministri Kurti tha se tashmë u ka dërguar një letër udhëheqësve të shteteve evropiane për t’i informuar me shkeljet që siç thotë ai po i bën Serbia në marrëdhëniet tregtare me Kosovën. Ai paralajmëroi vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë nëse ajo nuk heq barrierat ndaj mallrave të Kosovës.
“Ne do të dëshironim që Serbia t’i heq barrierat, ka barriera të shumta jotarifore të cilët herë janë sporadike në zbatim e herë janë sistematike. Ne pra e duam reciprocitetin që Serbia t’i heq barrierat, mirëpo nëse reciprociteti nuk do të mund të zbatohet duke i hequr Serbia barrierat, atëherë do të zbatohen duke iu kundërvënë ne, jo si hakmarrje por për shkak se e duam barazinë”, tha ai
Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është mbajtur më 19 korrik, por pa ndonjë përparim.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.
Por të dyja palët janë përfshirë në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane. / VOA