Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi foli sot në Parlament për reformim të Policisë së Shtetit me teknologji dhe pajisje super inteligjente. Çuçi tha se kjo do të bëhet me qëllimin që asnjë centimetër i Shqipërisë të mos dhunohet, siç është bërë rëndom sipas tij. Ministri foli për reformim të Policisë së Shtetit me parimin “ndiqe paranë”.
“Si element kryesor ristrukturimi do të jetë dhe futja e teknologjisë së fundit. Do fusim dhe përdorimin e teknologjisë dhe pajisje super inteligjentë për të kontrolluar territorin, në mënyrë që asnjë centimetër e Shqipërisë të mos dhunohet, sikurse është bërë rëndom. Policia do jetë forca e vetme për evidentimin e cdo paligjshmërie. Do fillojmë rishikimin e legjislacionit, do ketë përforcime me masa ndëshkuese në Kodin Rrugor, por edhe dixhitalizimin e mjeteve. Do vendosen kamera në çdo kryqëzim të Shqipërisë. Do vazhdojë reformimi me parimin “ndiq paranë”. Do rishohim strukturën e krimit ekonomik në Policinë e Shtetit për të rritur kapacitetet investiguese”, tha Çuçi në parlament.
Ministri u ndal veçanërisht edhe te SHÇBA, për të cilën tha se do të transformohet në një agjenci të mbikqëyrjes policore bazuar në një legjislacion sipas sistemeve më të avancuara perëndimore.
“Do të synojmë që të transformojmë SHÇBA në një agjenci të mbykëqyrjes policore dhe brenda këtij viti do sjellim në parlament legjislacionin sipas atyre sistemeve më të avancuara perëndimore”, deklaroi Çuçi.
Mirëpo, reformimi sipas mënyrës që thotë ministri, nuk do të sjellë ndonjë ndryshim, pasi problemi qëndron tjetërkund. Arsyeja e mosfunksionimit të SHÇBA është fakti se kjo strukturë është e korruptuar. Nuk janë të pakta rastet kur punonjës të Policisë së Shtetit janë arrestuar për korrupsion dhe pavarësusht kësaj asgjë nuk ka ndryshuar, sepse korrupsioni fillon që nga themelet e strukturës e vazhdon te punonjësit e saj.
Reformimet e ministrit natyrisht që do të kushtojnë, ashtu siç i ka kushtuar para qytetarëve edhe “Komisariati dixhital”. Kjo platformë nuk e ka ndalur as krimin e as korrupsionin në Shqipëri e po ashtu edhe bandat e drogës të lidhura me policinë dhe politikën. E për më tepër, qytetarët as nuk i janë drejtuar me besim platformës, duke u nisur nga korrupsioni i lartë që ka zaptuar institucionet shtetërore.
Pra sipas fjalëve të ministrit, ky reformim pritet të bëhet me anë të tenderave korruptiv, siç ka nodhur edhe në rastet e tjera. Ashtu ndodhi edhe me systemin e kamerave në vend, për të cilin u morën 65.9 milionë euro hua nga Banka Botërore. Sistemi përfshinte Kamerat e trafikut, shenja elektronike rrugore, sensorë etj. e megjithatë asgjë nuk rezultoi në parandalimin e aksidenteve në rrugë, madje ato kanë qenë të shumta muajt e fundit.