Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Miroslav Lajçak, përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.
Pas përfundimit të takimit, Kurti ka treguar se mbarëvajtja e procesit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të takimit.
Kurti ritheksoi se në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë, duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dy vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
Kurti ka theksuar se u bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit.
Ndërsa Lajçak para gazetarëve theksoi se është duke punuar për të caktuar një takim të radhës të nivelit të lartë të dialogut në Bruksel, por nuk ka përmendur ndonjë datë të saktë.
“Ajo çfarë kemi diskutuar është për bashkëpunimin rajonal, por më e rëndësishmja është dialogu dhe situata e tanishme e dialogut… Unë jam këtu për tri ditë, unë do të kem shumë takime dhe do të bëj vlerësimin në fund. Sapo kam filluar, është herët për këtë. Unë do të takohem me zëvendëskryeministrin Bislimi tash, për të diskutuar detajet më vonë dhe sikurse e dini do të takohem edhe me partitë e ndryshme politike dhe të dëgjoj se çfarë ata kanë për të thënë”, tha ai.