Një ngjarje krejt e pakëndshme u regjistrua ditën e sotme në qytetin e Fierit. Bëhet fjalë për marrjen peng të 25-vjeçarit nga tre persona, dy prej të cilëve janë arrestuar nga efektivët e policisë ndërsa një tjetër mbetet ende në kërkim.
BalkanWeb ka bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur ditën e sotme në Fier e cila për shkak të një keqkuptimi çoi nga një thirrje për të rregulluar lavatriçen tek një pengmarrje e teknikut.
Në bazë të informacioneve të marra mësohet se e gjithë situata nisi kur vëllai i Erjon Agalliut, shtetasi i shpallur në kërkim, me inicialet B.Agalliu, 40 vjeç, ka kontaktuar në telefon teknikun e lavatriçes, duke i dhënë edhe adresën e shtëpisë se ku duhet të shkonte.
Ky i fundit, së bashku me veglat e tij të punës, ka shkuar pranë shtëpisë ku priste të riparonte lavatriçen, ndërsa aty ka gjetur Erjon Agalliun dhe kunatin e tij, Arben Bletën. Këta të fundit nuk e kanë besuar teknikun, duke e kujtuar si grabitës dhe me forcë e kanë mbajtur atë për rreth dy orë në banesë.
Gjatë 120 minutave, ata kanë tentuar të zbulojnë se cfarë kërkonte 25 vjecari në shtëpinë e tyre, dhe nuk e kanë besuar që ishte tekniku i lavatriçes derisa kanë marrë nje telefonatë nga B.Agalliu i cili u ka thënë se ishte ai që e ka dërguar për të riparuar defektin në makinën larëse.
Menjëherë sapo e kanë lënë të lirë 25 vjecarin, ky i fundit i është drejtuar Policisë së Fierit, duke treguar gjithçka çfarë i ndodhi. Autoritetet e Policisë së Fierit janë vënë në lëvizje, duke ndaluar dy kunetërit dhe shpallur në kërkim B.Agalliun, të cilët akuzohen për heqjen e paligjshme të lirisë, vepër kjo e kryer në bashkëpunim.