Kanadaja do të shkojë në zgjedhje të parakoshme në 20 shtator. Vendimin e ka komunikuar kryeministri Justin Trudeau të dilenë, duke thënë se atij i duhej një mandat i ri për të siguruar që votuesit të miratonin planin e qeverisë së tij liberale për t’u rimëkëmbur nga pandemia COVID-19.
Trudeau, 49 vjeç, po e merr një vendim të tillë duke shpresuar se nivelet e larta të vaksinimit kundër virusit dhe një rikthim ekonomik pas pandemisë do ta ndihmojnë atë të zgjasë dhe forcojë kontrollin e tij në pushtet. Të dhënat e sapo publikuara tregojnë se 71% e popullsisë së rritur të vendit është plotësisht e vaksinuar.
Trudeau tha se zgjedhjet vijnë në një moment thelbësor, pasues për Kanadanë.
“Ne do të marrim vendime që do të zgjasin jo vetëm për muajt e ardhshëm, por për dekadat e ardhshme. Kanadezët meritojnë fjalën e tyre. Kjo është pikërisht ajo që ne do t’u japim atyre”, u tha ai gazetarëve.
Trudeau foli pasi vizitoi Guvernatorin e Përgjithshëm Mary Simon, përfaqësuesen e kreut të shtetit Mbretëresha Elizabeth, për të kërkuar zyrtarisht shpërbërjen e Parlamentit.
Sondazhet sugjerojnë se Liberalët do të fitojnë zgjedhjet të tretat radhazi, por mund të mos fitojnë shumicën në Dhomën e Komuneve me 338 vende. Trudeau aktualisht ka vetëm një pakicë të vendeve, duke e lënë atë të varur nga partitë e tjera për të qeverisur.