Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny pritet të përballet me një akuzë të re penale që ka të bëjë me krijimin e një organizate që ka nxitur rusët të shkelin ligjin, sipas Komisionit Hetues për krimet e mëdha.
Navalny, që njihet si kritiku më i ashpër i presidenti Vladimir Putin, është duke vuajtur tashmë një dënim me 2 vite e gjysmë burg, me akuzën për shkelje të lirimit me kusht, gjë të cilën ai e ka mohuar. Ai u arrestua në janar pasi u kthyer nga Gjermania, ku u kurua për helmimin nga një agjent nervor, për të cilin ka akuzuar vazhdimisht Kremlinin. Krimi i ri për të cilin Navalny akuzohet dënohet deri në tre vjet burg.
Autoritetet kanë goditur ashpër aktivistët e opozitës përpara zgjedhjeve parlamentare në shtator.
Komiteti Hetues tha në një deklaratë se Navalny dhe aleatët e tij përdorën Fondacionin e tij Anti-Korrupsion për t’i bërë thirrje rusëve të marrin pjesë në protestat e paautorizuara në janar, të cilat autoritetet thanë se ishin të paligjshme.
Një gjykatë në Rusi shpalli Fondacionin Anti-Korrupsion të Navalny dhe grupet e fushatës rajonale “ekstremiste” në qershor, duke nxjerrë jashtë ligjit aktivitetin e tyre. Komiteti Hetues njoftoi të martën një hetim të ri penal ndaj dy aleatëve të ngushtë të Navalny për mbledhjen e fondeve për rrjetin e tij politik.