Rreth 3,8 mld lekë (32 mln euro) do të jetë mbështetja financiare që qeveria do t’i japë bashkisë së Durrësit për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane në këtë qark për periudhën gusht-dhjetor 2021 deri në 2030.
Vendimi i qeverisë me miratimin e mbështetjes së kërkesës financiare të Bashkisë së Durrësit i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se do të fillojë me mbulimin e nevojës financiare që për periudhën gusht -dhjetor 2021 në vlerën e 154,8 mln lekëve.
Mbështetje financiare pritet t’i japë zgjidhje problemit të mbetjeve në qarkun e Durrësit të cilat u bënë shumë shqetësuese për banorët dhe turistët e zonës në pikun e sezonit turistik. Në mesin e muajit korrik qeveria miratoi vendimin ku pranonte se do të mbështesë financiarisht bashkitë pjesë e qarkut Durrës sapo të dërgohet pranë saj kërkesa.
Vendimi me shumat e mbështetjes financiare të kërkuar nga Bashkia e Durrësit (sipas tabelës më poshtë), përcakton se vlerat do të negociohen çdo vit fiskal gjatë hartimit të projektbuxhetit afatmesëm dhe atij vjetor, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkisë Durrës, në varësi të aftësive fiskale, shkruan Monitor.
Për periudhën 2022-2024 për përpunimin e mbetjeve, Bashkia e Durrësit do të financohet nga buxheti i shtetit me fondin e 1,2 mld lekëve. Për periudhën 2025-2027 do të lëvrohet fondi me vlerë 1,2 mld lekë dhe periudhën 2028-2030 fondi me vlerë 1,1 mld lekë.
“Mbështetja financiare e qeverisjes qendrore për Bashkinë Durrës do të bëhet nëpërmjet transfertave specifike vjetore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, vetë qeverisjen vendore dhe financat e vetëqeverisjes vendore, duke filluar me mbulimin e nevojës financiare për periudhën gusht–dhjetor 2021. Duke filluar nga viti 2022 dhe në vazhdim, pjesa e financimit për menaxhimin e mbetjeve nga buxheti i shtetit do të jetë pjesë e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm dhe ligjit vjetor të buxhetit”, citohet në vendim.
Në vendim nënvizohet që bashkia e Durrësit përfiton mbështetjen financiare për menaxhimin e mbetjeve të paraqitura mbi bazën e studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë financiare për trajtimin e mbetjeve urbane në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, sipas legjislacionit në fuqi.