Disa banorë të fshatit Madhesh në Mat, mbështetur edhe nga aktivistë të shoqërisë civile, protestuan me datë 20 korrik para Bashkisë Mat, kundër ndërtimit të një hidrocentralit në rrjedhën e lumit të Lunresë. Banorët akuzuan kryetarin e bashkisë, Agron Malaj se HEC-i që ju merr ujin po ndërtohet nga firma e tij, por të administruar nga i vëllai, Fatos Malaj.
“Fatkeqësisht ne ujin po na e merr kryetari i bashkisë, “A.R.M-Albania”, prandaj i jam drejtuar personalisht, pasi edhe administrimin e ka vendosur në emër të të vllait”, tha Edi Miza, banor i fshatit Madhesh.
Për aktivitetin e këtyre HEC-ve, kryebashkiaku Agron Malaj ka krijuar firmën tjetër “Traja & Madhesh”, ku vëllai i tij Fatos Malaj është aksioner me 80%. Procedurat për ndërtimin e këtij HEC-i kanë nisur që në fillim të vitit 2020-të. Banorët shprehen se për këtë HEC nuk është marrë dakordësia dhe dëgjesat publike janë bërë në kohën kur vendi ishte izoluar totalisht prej pandemisë COVID-19.
Ish-kryeplaku i fshatit, Gjergj Gjegji tregon se pak muaj më parë në fshatin Gurrë, është vënë në funksion një HEC, që ju ka marrë ujin e pijshëm: “Një pushtim që nuk po ndalen, e nisën me ujin e pijshëm në Gurrë. E futën në tuba tërësisht, pa marrë dakordësinë nga populli. Në këtë fazë të dytë, duan që të marrin edhe ujin vaditës që i shërben po këtij fshati,” u shpreh ish-kryeplaku i fshatit Gurrë.
Zona e Ulëzës, ku është projektuar të ndërtohet HEC-i i Madheshit është shpallur në vitin 2013, Rezervat Natyror i Menaxhuar/Park Natyror, i kategorisë së IV. Projekti po kërkohet të zhvillohet nga kompania “A.R.M-Albania sh.p.k”, që rezulton të jetë nën administrimin e Fatos Malaj, vëllai i kryetarit të bashkisë Mat, Agron Malaj.
Në vendimin Nr. 64, datë 07.06.2021 të KLSH, për kontrollin e ligjshmërisë së “HEC-Traja 1” dhe “HEC Madhesh” mbi lumin e Lunresë, degë e lumit Mat, është konstatuar se me të dhëna false, është hartuar dhe studimi i ndikimit në mjedis të HEC-ve.
Në vendimet Këshillit të Basenit Ujor, është përcaktuar që ndërtimi i këtyre HEC-ve të mos kufizojë furnizimin e banorëve me ujë për vaditje, ndërsa sipas projektit të ndërtimit, uji për vaditje do zhduket.
Banorët kanë nisur edhe një betejë gjyqësore në Gjykatën Administrative të Apelit, pas pushimit të çështjes nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë.