Policia ka sekuestruar një sasi droge në Portin e Durrësit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, është sekuestruar një sasi prej 7.25 lëndë narkotike e dyshuar si kokainë, në një kontejner të kompanisë “Alba Exotic Fruit”. Kujtojmë se kjo është hera e tretë brenda muajit Korrik që kapet drogë në kontejnerët e kësaj kompanie. Në kuadër të operacionit të koduar “Rada”, për herë të parë është kapur një sasi droge në datën 13 korrik, për herë të dytë është kapur më 23 korrik dhe e fundit është ajo e datës së sotme 29 korrik. Kësaj radhe janë kapur 7.25 kg kokainë pas një kontrolli në kontejnerët e kompanisë “Alba Exotic Fruit”. Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore për dokumentinin e plotë të veprimtarisë kriminale të trafikimit të kokainës.
Njoftimi i policisë
Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrohet një tjetër sasi lëndë narkotike kokaine, në kontenierët për llogari kompanisë “Alba Exotic Fruit”.
Në vijim të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, e duke vijuar përsëri në datën 23.07.2021, ku u gjetën dhe sekuestruan 6.5 kilogramë të tjera lëndë narkotike kokainë, pasditen e sotme si rezultat i veprimeve hetimore, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një tjetër sasie lëndë narkotike kokainë
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit në disa kontenierë për llogari të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, u gjet dhe u sekuestrua 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Taks Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore për dokumentinin e plotë të veprimtarisë kriminale të trafikimit të kokainës.