Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden takoi këtë të mërkurë lideren e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya të mërkurën. Ai shprehu mbështetje për popullin bjellorus në përpjekjen për demokraci.
“Isha i nderuar të takohesha me Tsihanouskaya në Shtëpinë e Bardhë këtë mëngjes. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me popullin e Bjellorusisë në përpjekjen e tyre për demokracinë dhe të drejtat universale të njeriut”, shkroi Biden në një postim në Twitter.
Tsikhanouskaya ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të ushtrojnë më shumë presion kundër qeverisë së Presidentit Alexander Lukashenko teksa diçka të tillë ajo e përsëriti edhe gjatë një vizite në vend. Ajo u takua më herët me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken, diplomatin e lartë të SHBA dhe këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare Jake Sullivan.
Javën e kaluar, ajo u kërkoi zyrtarëve amerikanë të vendosnin sanksione ndaj kompanive në sektorët e potasit, naftës, drurit dhe çelikut në vendin e saj.
“Faleminderit Presidentit të Shteteve të Bashkuara për një shenjë të fortë solidariteti me miliona bjellorusë të patrembur që po luftojnë paqësisht për lirinë e tyre. Sot, Bjellorusia është në vijën e parë të betejës midis demokracisë dhe autokracisë. Bota qëndron me ne. Bjellorusia do të jetë një histori suksesi”, shkroi Tsikhanouskaya në postimin e saj në Twitter.
Situata në Bjellorusi ka qenë e tensionuar që prej vitit të kaluar kur Aleksandër Lukashenko fitoi zgjedhjet mes shumë kundërshtimesh për manipulim të votave dhe shkelje të të drejtave të qytetarëve. Vendi u përfshi për javë nga protesta, reagimi ndaj të cilave ishte i dhunshëm. Një debat të gjerë ndërkombëtar shkaktoi muajt e fundit edhe arrestimi i gazetarit opozitar Roman Protaseviç, teksa po kthehej nga Greqia për në Lituani. Autoritetet bjelloruse ndalun avionin e Ryanair me pretendimin se kishte bombë në bord dhe arrestuan Protaseviç dhe të fejuarën e tij. Bashkimi Europian dhe SHBA-të vepruan duke vendosur sanksione ndaj Bjellorusisë.