Ditën e sotme janë nisur për në Kosovë të mbijetuarit e aksidentit tragjik me 10 viktima në Kroaci. Mediat kroate 24sata ka publikuar video ku duken të mbijetuarit që janë gati për t’u kthyer në atdhe.
Më herët gjatë ditës, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla njoftoi se udhëtarët që kanë shpëtuar nga aksidenti me autobus në Kroaci të dielën, do të kthehen me transport të linjës ajrore të martën në Kosovë, pas orës 22:00.
Ndërkohë, trupat e pajetë pritet të kthehen në atdhe me transport rrugor.
Si pasojë e aksidentit tragjik kanë humbur jetën 10 persona dhe mbetën të plagosur më shumë se 40 të tjerë. Atuobusi ishte nisur nga Frankfurti në Kosovë dhe në të ishin në total 69 persona, së bashku me dy shoferët. Sipas autoriteteve kroate, shoferi që po drejtonte mjetin ishte i lodhur, ndërsa humbi jetën shoferi që ishte duke pushuar. Ngjarja tragjike ndodhi në autostradën Sllavonski Brod në Kroaci rreth orës 06:00 të mëngjesit ditën e dielë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha gjatë ditës së sotme se janë 15 persona që vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor, ndërsa 26 të tjerë kanë dalë nga spitali. Një person është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kosova shpalli ditën e hënë të 26 korrikut ditë zie kombëtare dhe flamujt ulën në gjysmë-shtizë.