Gjykata në Kroaci ka vendosur një muaj paraburgim për shoferin e autobusit që shkaktoi tragjedinë, ku humbën jetën 10 persona dhe mbetën të plagosur rëndë dhjetëra të tjerë, midis të cilëve edhe fëmijë.
Ditën e djeshme autoritetet dëgjuan palët, shoferin dhe provat e grumbulluara nga hetimi, ndërsa sot vendosi që shoferi të qëndrojë një muaj në paraburgim, më pas do të ketë vlerësim në vazhdimësi të masës në bazë të hetimeve që po vijojnë nga autoritetet.
“Shoferi ishte i lodhur momentin që humbi kontrollin e autobusit dhe i paaftë për ta drejtuar në mënyrë të sigurt” theksojnë autoritetet kroate.
“Gjyqtari urdhëroi paraburgimin për një muaj, për shkak të mundësisë së mundshme të largimit nga Republika e Kroacisë, pra arratisjes. Sot ai nuk dha asnjë dëshmi” tha avokati.
Por edhe vetë shoferi pas arrestimit e pranoi se për një moment e kishte zënë gjumi në timon, edhe pse kishte vetëm 30 minuta që kishte ndërruar me kolegun e tij. Sipas mediave kroate, në bazë të ligjeve vendase që shoferi nga Kosova rrezikon maksimumi 15 vite burg për aksidentin që shkaktoi.
Nëntë pasagjerë dhe shoferi i dytë i autobusit nuk arritën që të mbijetonin, ndërsa 42 persona u lënduan, 15 në gjendje më të rëndë dhe 15 janë akomoduar nga autoritetet kroate.