Mijëra francezë dalin sërish në rrugë, kundër vaksinimit të detyrueshëm dhe lejes shëndetësore

Protestat në Francë janë përshkallëzuar këtë të shtunë pasdite, teksa dhjetra mijëra njerëz dolën në rrugë kundër vaksinimit të detyrueshëm për profesione të caktuara dhe kufizimeve të shumta për personat e pavaksinuar.
Ishte fundjava e dytë me radhë që mijëra njerëz u mblodhën kundër vendimit të qeverisë për ta bërë të detyrueshme të ketë një leje shëndetësore për të hyrë në restorante, bare dhe institucione të tjera kulturore.
Leja vërteton që poseduesi i saj është vaksinuar plotësisht, është testuar negativisht gjatë 24 orëve të mëparshme ose është rikuperuar nga COVID gjatë gjashtë muajve të fundit.
Masa e re u njoftua javën e kaluar nga Presidenti Emmanuel Macron në një përpjekje për të rritur vaksinimet, ndërsa vendi lufton me një rritje në rastet e koronavirusit.
Disa mijëra njerëz, të ndarë në të paktën tre tubime, filluan të demonstronin në mëngjesin e hershëm në Paris. Që në orën 2 të mëngjesit, një grup „jelekverdhësh“ u nisën nga Place de la Bastille, me drejtim Portën e Champerret.
Këto demonstrata vijnë ndërsa një shumicë e madhe e francezëve (76%) miratojnë vendimin e Presidentit Emmanuel Macron për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe profesione të tjera, me ndëshkime të bashkangjitura, sipas një sondazhi të Elabe për BFMTV më 13 korrik.